“ORAN 2022”/ Nisin Lojërat Mesdhetare, Shqipëria shkëlqen me boksierin Alban Beqiri (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 20:13

“ORAN 2022”/ Nisin Lojërat Mesdhetare, Shqipëria shkëlqen me boksierin Alban Beqiri (VIDEO)

Mbrëmjen e së shtunën në Algjeri është hapur zyrtarisht edicioni i 19-të i Lojërave Mesdhetare. Në një ceremoni madhështore në stadiumin olimpik ka ngritur siparin evenimenti “Oran 2022”, aktivitet ku do të konkurrojnë 3390 sportistë nga 26 shtete te Mesdheut, të cilët do të garojnë për 244 medalje që do të jepen në 24 disiplina të ndryshme sportive.

Flamuri

Në këto Lojëra Mesdhetare, merr pjesë edhe Shqipëria, e cila paraqitet në këtë kompeticion me 29 sportistë në 10 disiplinë të ndryshme.

Çast nga parakalimi i sportistëve shqiptarë në Lojërat Mesdhetare. Video: KOKSH

Kuqezinjtë mbërrijnë me objektiva të rëndësishme në Oran, aty ku do të kërkojnë fitimin e disa medaljeve. Sot Shqipëria ka konkorruar në disiplinat e boksit dhe mundjes, ndërsa ka spikatur paraqitja e boksierit Alban Beqiri, i cili ka mundur që të kualifikohet për në turin e dytë.

Mundja – Shqipëria debutoi në “Oran 2022” me sportin e mundjes, teksa të parët kuqezinj që garuan ishin Kevin Kupi, Gjetë Prenga dhe Bajram Sina, mundës të stilit Greko-Roman. Kupi e filloi mirë, teksa triumfoi 10-0 në duelin e parë për raundin 1/8 kundër sllovenit Luka Gumilar, sfidë e vlefshme për peshat 77 kg. Por më pas ai u eliminua në raundin 1/4 nga, teksa u mund serbi Viktor Nemes me rezultatin 10-1.

Prenga konkurroi në raundin 1/4 në peshat 67 kg, nuk ja doli të avancojë më tej, pasi u mposht nga egjiptiani Omar Abdelrahman me rezultatin 9-0. Ndërsa Sina gjithashtu u eliminua që në ndeshjen e parë për raundin 1/4 në peshat 60 kg, duke e humbur përballjen ndaj sirianit Ahmad Alnakdali me rezultatin 9-0.

Boksi – Gjatë pasdites ishte radha e boksierëve, ku edhe një herë tjetër spikati Alban Beqiri, sportist që një vit më parë ka shënuar edhe rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave për boksin shqiptar, duke fituar medalje bronzi në Kampionatin Botëror. Beqiri triumfoi me rezultatin 2-1 kundër turkut Necat Ekinci, në raundin e 1/16 për peshat 69 kg.

Boksieri

Në foto boksieri Alban Beqiri

Boksieri kuqezi dhuroi një tjetër paraqitje të shkëlqyer, për të marrë me meritë kualifikimin për në turin e dytë. Ndërkohë Arjon Kajoshi nuk ja doli që të avancojë për më tej, pasi u mposht nga francezi Moreno Fendero me rezultatin 3-0, duel i vlefshëm për peshat 75 kg.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"