“Oran 2022″/ Abakarov i siguron medaljen e parë Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 21:37


“Oran 2022″/ Abakarov i siguron medaljen e parë Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare

Shqipëria ka siguruar medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” që po mbahen në Algjeri. Suksesi kuqezi ka ardhur nga sporti i mundjes, aty ku Zelimkhan Abakarov ka prerë biletën për në finalet e peshave 65 në stilin e lirë. Abakarov tregoi një formë të shkëlqyer në sfidat e sotme, teksa fillimisht mposhti në çerekfinale turkun Munir Recep me rezultatin 8-4, ndërsa më pas në gjysmëfinale shkatërroi serbin Stevan Micic me rezultatin 9-0.

Abakharov

 

 

Zelimkhan Abakarov i pozicionuar sipër me fanellën me vija blu…

Tashmë Abakarov ka siguruar minimalisht medaljen e argjendtë, por ai do të luftojë për të artën, teksa nesër në orën 19:30 do të përballet në finale me egjiptianin Yehia Hafez. Kujtojmë se Abakarov është një sportist nga Çeçenia, i pajisur me pasaportë shqiptare disa muaj më parë, për të përfaqësuar Kombëtaren kuqezi.

Një zgjedhje kjo nga ana e FSHM-së, që po jep rezultate të menjëhershme. Ndërkohë, ditën e djeshme kanë regjistruar rezultate të rëndësishme edhe mundësit e tjerë të stilit të lirë. Kështu, Osman Hajdari ka spikatur në kategorinë e peshave 86 kg. Ai ka kaluar me sukses çerekfinalen kundër spanjollit Damian Iglesias Vilela, të cilin e ka mundur me rezultatin 3-2, por në gjysmëfinale u mposht 10-0 nga turku Fatin Erdin.

Megjithatë, nesër në orën 20:00 Hajdari do të luftojë për bronzin, teksa do të sfidojë qipriotin Choiras Charalambos. Ndërsa Islam Dudaev, tjetër sportist i natyralizuar kuqezi nga Çeçenia, u mund në duelin e tij të parë me rezultatin 6-3 nga turku Samet Ak në çerekfinalet për peshat 74 kg.

Por Dudaev do të ketë shansin të luftojë në ripeshkim për medaljen e bronzit, teksa nesër në orën 19:40 sfidon algjerianin Abdelkader Ikkal. Ndërkohë, Kevin Kupi, i ripeshkuar në kategorinë e peshave 77 kg, e ka humbur duelin e tij ndaj egjiptianit Emad Abouelatta me rezultatin 9-0.

Abakarov me blu

SPORTET E TJERA – Shqipëria e boksit në Mesdhetare nuk mundi të vijojë në ecurinë e Alban Beqirit, pasi sot regjistroi dy disfata. Nelson Hysa humbi me pikë 2-1 ndaj italianit Vincenzo Fiaschetti, në duelin e peshave +91 kg, ndërsa Ardit Murja u mposht 3-0 me pikë me marokenin Abdellatif Zouhari, në ndeshjen e peshave 57 kg. Kuqezinjtë koleksionuan dy eliminime edhe në tenis.

Kristal Dule e humbi përballjen e saj ndaj rivales tuniziane Chiraz Bechri në shifrat (1-6, 1-6), ndërsa Martin Muedini u mposht nga spanjolli Carlos Lopez Muntagud me rezultatin (0-6, 0-6).

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL