“Tradhtia” hipën në majë të kullës, u sosën puthjet me politikën zoti Duka…!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2017 | 20:21

“Tradhtia” hipën në majë të kullës, u sosën puthjet me politikën zoti Duka…!

GËZIM SINEMATI

sinemati

Njerëzit e presidentit Duka janë gati të rrezikojnë edhe kokën, të ngjiten në majën e Kullës së pambaruar të stadiumit të ri që po ndërtohet në kryeqytet, vetëm për të më- suar se deri ku shkon e vërteta lidhur me kandidimin e Bashkim Finos për postin e presidentit të FSHF-së. Është hera e parë në këto 16 vite, kur lepuri i frikës në bark po rritet më shpejt se sa shqiponja kuqezi me të cilën maskojmë lëkurën. Po pse pikërisht Bashkim Fino? – kjo pyetje ka prishur gjumin për 7 palë qejfe të “mbretit” dhe shpurës zyrtare, të cilët sa herë mbërrinin zgjedhjet tregonin barsoleta hokatare me rivalët e pafat, të cilët binin në tapet ende  pa filluar ndeshja.

Me mburrje dhe, aspak me turp, tregohet akoma për “rekordin e zi”, rastin unik dhe kontravers në konkurrimin e Rudi Vatës për president, kur u realizua tradhtia spektakolare dhe më e paskrupullt nga morali, atëherë kur futbolli tradhtoi masivisht kapitenin e saj, duke i dhënë vetëm një votë! Në emër të futbollit… kundër futbollit. Kjo ka qenë loja 16- vjeçare, ku vota e dalë nga dora e allçinosur e Asamblesë, bekohej edhe nga politika, tjetër punë se shtirej sikur nuk kishte fjetur me të në krevat… Dhe çfarë krevati!

 

Duka dhe Rama

Edhe pse na thoshin se UEFA e ka përcaktuar stilin dhe, sipas saj, futbolli do të jetë mbi politikën, natën, por dhe ditën, çifti nuk pyeste për rregulla sepse ndiqte instinktin e interesit. Kur u kualifikuam në Europian, për ta bërë sa më të vërtetë dhe më të besueshme prekjen e qiellit të shtatë, shefat e futbollit u futën në trupin e politikës. Mu para syve të UEFA-s, e cila na bëhej sikur spërkaste me oriz dhe karamele çiftin, që kishte blerë lumturinë me para gjoja të vërteta.

Ato ditë, kur futbolli krenohej se shefi i saj, Duka, ishte një “magjistar” që Shqipërinë e vogël ta bënte të madhe brenda natës, lindi edhe skedina historike, ku futbolli ishte njëshi i madh, politika më e bukur, një gënjeshtër ndryshe nga të tjerat. Ka një thes me arsye, por edhe prej këtij deliri, futbolli, ose më mirë zoti i tij i lodhur me pushtet po ndihet i tradhtuar në këto momente, kur dëgjon se në lojën e madhe topin nuk e ka ai, por të tjerët…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"