Të mëdhenjtë e monizmit që nuk mundën të ricikloheshin në demokraci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2021 | 14:30

Të mëdhenjtë e monizmit që nuk mundën të ricikloheshin në demokraci

Nga SPIRO KUVARATI

Spiro Kuvarati Panorama Sport

Nëpër gazeta, emisione televizive dhe sidomos në rrjete sociale, po thuhen e shkruhen shumë histori, ngjarje, rezultate e paraqitje të shumë lojtarëve, skuadrave e trajnerëve që kanë kontribuar në sporte të ndryshme para viteve ’90.

Me fakte, data, statistika, foto e dëshmi të protagonisteve, tregohet shumë bukur nga gazetarët sportivë, niveli i sporteve të asaj kohe, rezultatet më të mira të skuadrave, gola apo pikë të shënuara në lojërat me dorë, kush ka drejtuar stërvitjet sportive në këtë apo atë skuadër, ndodhi nga jeta e sportistëve dhe trajnerëve në raport me shoqërinë dhe shtetin e asaj kohe.

Nuk mungojnë as etiketimet e nofkat si: legjenda filan (që janë me dhjetëra), i paarritshmi, mbreti i kësaj apo asaj skuadre, trajner i madh etj. Është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, gjë që do të shërbejë për fiksimin në memorien kolektive të ngjarjeve të rëndësishme sportive, paraqitje mbresëlënëse nga sportistë cilësorë ndër vite, të ndjekur me aq zell nga njerëzit në atë kohë, ku siç dihet format e argëtimit kanë qenë të kufizuara, fushat tejmbusheshin e publiku i kujton me nostalgji edhe sot. Edhe unë kam provuar të jap kontributin tim, sigurisht në basketboll, me kolegët e mi Xh. Vasili dhe G. Kavaja, duke botuar tre libra për historikun e basketbollit në vendin tonë qysh nga ditët e para kur u shfaq ai në Shqipëri e deri në ditët kur u botuan ato. Meqë ra fjala, ishte një punë e vështirë që na lodhi, por edhe na trishtoi.

Spirto Kuvarati

Na lodhi, se punuam për një kohë të gjatë duke shfletuar gjitha gazetat e para dhe pas çlirimit, duke u përpjekur për të mbledhur fakte, foto e dëshmi në shumë qytete të vendit. U trishtuam kur pamë në Bibliotekën Kombëtare që në gazetat e arkivit ishin prerë me gërshërë të gjithë artikujt dhe fotot që bënin fjalë për basketbollin. Kështu që, na duhej të punonim me roje te koka tek i vetmi ekzemplar qe kishte shpëtuar. Dikush para nesh e ka pasur ndoshta një projekt të tillë, por që nuk doli në dritë kurrë. Tani le të kthehemi te qëllimi kryesor i këtij shkrimi.

Pas rënies së sistemit komunist kanë kaluar 30 vjet, pra një periudhë kohore e përafërt me ato që u thanë me sipër. Gjatë këtyre tri dekadave janë zhvilluar më shumë ndeshje ndërkombëtare se në atë kohë nga fëmijët, grupmoshat e deri në ekipet kombëtare. Ka më tepër skuadra në praktikën sportive e shumë më tepër lojtarë që ushtrojnë sportet, sidomos ato kolektive, pa u futur në cilësinë e tyre. Kjo është një temë tjetër. Me përjashtim të futbollit, sot sporti nuk përbën rëndesën kryesore ekonomike afatgjatë në jetën e të rinjve.

Në monizëm, trajtimi ushqimor (ashtu siç ishte në raport me popullsinë) grumbullimet e gjata stërvitore të paguara, 5-orëshi i punës, sistemimi në punë i sportistëve dhe shpesh familjarëve të tyre, mundësia e dy seancave stërvitore në ditë si element i sportit profesionist, ishin një mundësi për zhvillimin e sporteve. Të mos flasim pastaj për mbështetjen ekstra me “nëndetëset” e tyre nga superministritë e Brendshme dhe të Mbrojtjes për dy nga skuadrat që prodhuan histori kolektive dhe individuale. Mos harrojmë, që edhe trajnerët ishin shumë të mbështetur në karrierën e tyre, qofshin ata “të mëdhenjtë” që quhen legjenda, qofshin të vegjlit që thuajse nuk i përmend askush.

Kuvarati Spiro

Në monizëm, përgjithësisht nuk të hiqte njeri si trajner në qoftë se nuk fitoje titullin apo humbisje këtë apo atë ndeshje. Biografia, po. Kjo të hiqte kur skuadra rritej e duhej të shkonte jashtë. Të qëndrosh në stolin e skuadrës për vite e vite të tëra ngandonjëherë deri në pension, me lojtarë që vinin nga sistemi zinxhir dhe arrinin majat, me mbështetjen e shtetit siç treguam më sipër, patjetër do koleksionohen dhe kaq e aq tituj. Opinioni sportdashës e ka pranuar me bujari këtë kontribut dhe e ka vlerësuar e respektuar atë.

Ai ka pritur që ky kontribut të vazhdonte edhe gjatë viteve të demokracisë. Po filmi u ndërpre këtu, si “me urdhër nga lart”. Shumë pak trajnerë “te mëdhenj” të lojërave me dorë e provuan se çfarë mund të bënin në kushtet e reja, të tjerë nuk e ushtruan fare profesionin, megjithëse demokracia i gjeti në moshë të mesme dhe në kulmin e përvojës.

U thirrën në ekipe shumë të mira për shkak të emrit të dikurshëm, por emri vazhdon t’i mbetet, rezultatet sportive nuk i kapin radarët e gazetarëve sportivë. Ndoshta se, edhe atyre nuk u pëlqen të bëjnë një analizë më teknike. Nuk po them që të dallojnë manovrat teknike që bën trajneri për të menaxhuar skuadrën në një ndeshje të caktuar, se kjo është punë specialistësh, por të paktën të dallojnë përbërjen e skuadrës, kushtet e stërvitjes, financat në dispozicion, gjendjen e skuadrave të tjera etj. Kaq gjëra të thjeshta që kanë rëndësi të madhe, madje vendimtare te lojërat me dorë, duhet t’i dallojnë gazetarët sportivë, po që nuk i kam lexuar kurrkund.

Me modesti po u jap dy shembuj për veten: Kam qenë trajner te Luftëtari i Gjirokastrës, që bazonte lojën te tre lojtarë kryesorë: Semanjaku (ende pa kapur kulmin e formës së saj), V. Brinja (në mbyllje të karrierës) dhe M. Alibegaj. Sidoqoftë, tre emra të nderuar të basketbollit shqiptar, me përvojë, disiplinë sportive dhe mentalitet profesionist në stërvitje dhe lojë. Formacioni plotësohej nga një figurë e madhe e basketbollit gjirokastrit, z. Sinoimeri, atëherë rreth 42 vjeç dhe me një psikologji të shkatërruar për shkak të disa tragjedive familjare, por që e linte në fushë edhe atë copë shpirti që i kish mbetur.

Përballonte 7-8 minuta lojë dhe pastaj ulej në stol për të matur pulsin që nuk i ndihej gjëkundi. A. Çani, gjimnaziste pa përvojë, dhe në stol pesë kalamaj që nuk ia vlen t’u përmendet emri. Me këtë ekip, falë kontributit të gjithë faktorëve, Gjirokastra u bë qendra e basketbollit në Shqipëri, me pallatin e sportit të mbushur plot, e vlerësuar nga shtypi i kohës për fitimin me meritë të gjithë trofeve të mundshëm, megjithëse përveç Flamurtarit rivalizonte me superskuadrën e Studentit që përbehej nga bashkimi i lojtarëve më të mirë të ekipeve të kryeqytetit dhe që drejtohej nga ish-basketbollisti i mirënjohur V. Progri si dhe dy ish-trajnerë të mëdhenj të monizmit. Pas meje, në këtë skuadër erdhi si trajner një miku im, nga “të mëdhenjtë” e basketbollit të monizmit.

Asgjë nuk mungonte nga skuadra që lashë unë, madje e stërvitur rregullisht dhe e kompaktësuar. Përbërjes ekzistuese të saj iu shtuan dy lojtare bullgare, një amerikane dhe të tjera nga ekipi kombëtar shqiptar. Siç shihet, përbërja e skuadrës ndryshoi në mënyrë të pakrahasueshme. Pavarësisht se në ndeshjen e parë me Skënderbeun modest humbi, kjo skuadër natyrisht arriti t’i fitojë trofetë. Kjo gjë u tha me forcë nga gazetarët sportivë, por nuk u vu re në shkrimet e tyre të thuhej, se kjo skuadër ishte nga më të kompletuarat si përbërje në vitet e demokracisë dhe siç thonë rëndom sportdashësit, nuk ka pasur nevojë për trajnerë të njohur, pale pastaj “të mëdhenj”, përveçse skuadrat rivale nuk ishin më aq të forta si më parë.

Kjo gjë u vërtetua edhe me vonë, kur Luftëtari vuri si trajner një gjirokastrit pa qenë një orë trajner, po ja që puna u bë shumë mirë. Trajneri “i madh” nuk u pa më të stërviste ndonjë ekip të parë as në qytetin e tij. Më vonë u ribashkova me Semanjakun, kur ajo luante për Apoloninë. Tashmë lojtare e kompletuar, por që me gjithë shoqet e saj nuk arrinin të fitonin një trofe. “Kam plane të mëdha për infrastrukturën e Fierit, – më tha B.Zeqaj, ish-kryebashkiak i Fierit, – a mundesh ta drejtosh skuadrën me synim fitimin e ndonjë trofeu?” – Do mundohem i thashë, e di që këtu ka etje për një trofe dhe vajzat janë gati të bëjnë më të mirën. Kështu fillova punën pa kontratë dhe pa ditur gjë edhe për pagesën.

Që t’i biem shkurt, dolëm kampionë, një trofe që Fieri e kish fituar vetëm njëherë para 37 vjetësh. Fituam edhe Kupën dhe Superkupën në rivalitet me Superkupën e Flamurtarit dhe Tiranën e fortë duke luajtur gjithmonë jashtë qytetit të Fierit. E njëjta skenë si më parë me ikjen time nga Apolonia, erdhi një tjetër i “madh” i basketbollit të monizmit (falë nuhatjes sportive që kanë). Skuadra u përforcua me lojtare të tjera nga më të mirat e ekipit kombëtar. Rezultati: asnjë titull kampion, një kupë e vetme nga 9 të mundshme, megjithëse skuadrat rivale Flamurtari dhe Tirana ishin shumë më të dobëta në përbërje.

Ndoshta, kjo e detyroi kryebashkiakun A. Subashi ta shkrijë këtë skuadër të mirëpaguar, pa trofe dhe pa lidhje me qytetin e Fierit. (Lexo “Panorama Sport” dt 18.09.2015). Trajneri “i madh” u detyrua t’i kthehej punës me fëmijët. Ka edhe plot raste të tjera, por unë do ta ndërpres këtu, meqë i kam konsumuar këto sy më sy me “të mëdhenjtë” e monizmit, të cilët në këto biseda më thoshin me sinqeritet: “Ne ishim kur ishim”. Tani nuk e bëjmë dot këtë punë. Edhe ekipi i Tiranës për femra e ka provuar këtë gjë. Ai u braktisu nga “të mëdhenjtë” për vite e vite me radhë duke marrë shumë pak trofe ndër vitet e demokracisë për shkak se nuk ishin më skuadër aq e fortë që të kënaqte nuhatjen e tyre për të dalë kampione pa shumë punë.

Spiro666

Flasim për ekipin e femrave gjithmonë, ndërsa te meshkujt ka punuar mjaft mirë një i “madh” i monizmit, Bujar Shehu që jo vetëm e ruajti staturën e dikurshme, por e lartësoi me tej atë duke drejtuar me kompetencë profesionale meshkujt drejt sukseseve, për shumë vite në demokraci. Ndaj, u them opinionbërësve sportivë, që kur përdorin termin trajner “i madh” të vendosin kufij kohorë, duke shtuar termin “të monizmit”, në qoftë se nuk duan t’u heqin një fije floku nga portreti atyre për këto 30 vitet e demokracisë që nuk kanë mundur të riciklohen.

Kjo nuk u heq asnjë meritë të “mëdhenjve” të monizmit që meritojnë respekt për kontributin e dhënë dikur. Por, është mirë të vlerësohen njëlloj edhe të tjerë që punojnë prej vitesh e kanë prodhuar lojtare e skuadra shumë të mira në kondita të vështira këto 30 vite. Meriton të përmendet e vlerësohet H. Kaso, figurë emblematike e basketbollit përmetar, B. Gjecaj i Shkodrës, J. Këmbora i Lushnjës e deri te P. Seferi që mban gjallë basketbollin në Sarandën e zbrazur.

Meriton t’i përmendet emri dr. A. Mërtirit që e nxori ekipin kombëtar të volejbollit në vendin e tretë në Europa Ligë apo Tares për sukseset me Partizanin e femrave, D. Bardhit e Farkës, P. Kapedanit te Skënderbeu apo shumë të tjerëve, që kanë dhënë rezultate dhe bërë histori në lojëra kolektive apo sporte individuale në nivele ndërkombëtare.

Koha e demokracisë ka të mëdhenjtë e saj, që kanë mësuar nga të mëdhenjtë e dikurshëm, që i kanë respektuar mjaft ata dhe kane nisur karrierën duke krijuar personalitetin e tyre profesional nëpërmjet rezultateve të arritura. Opinionbërësit sportivë duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj punës së tyre. Ata nuk duhet të mbeten peng i vlerësimeve rutinë, por të hedhin vështrimin nga parametrat teknikë e profesionalë që përcaktojnë performancën sportive në qoftë se ua lejon kjo pjesë e formimit të tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"