S’do zoti Rama të “hapë qepenat”, goli vjen nga presidenca

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2020 | 18:14

S’do zoti Rama të “hapë qepenat”, goli vjen nga presidenca

GËZIM SINEMATI

Sinemati

Po përsëritet historia e asaj gruas në Berat, e cila u bë e famshme me thirrjen e pavdekshme: “Aman, vetëm të pajtohen politikanët, të mos grinden me njëri-tjetrin se populli është gati të qëndrojë edhe pa bukë, edhe pa ujë”. Edhe populli i mbijetuar i futbollit, sidomos në kohën e pandemisë, është gati të sakrifikojë: “Vetëm të bashkohet prapë, edhe një herë, kryeministri Rama dhe presidenti Duka, si në kohët e arta të Europianit, por le të mbetemi pa rroga, pa tifozë në stadiume…”.

Meta dhe Duka

Dhe futbolli që e shpiku i pari maskën, me veset që lulëzuan, ku do të gjente një politikë më të bekuar se kjo! Një politikë që e dredh belin sipas motit, kur la edhe kokën për futbollin në kohën e Europianit, apo kur bënte sikur nuk ishte gjallë kur u dënuam për shkak të trukimeve, apo dhe tani në kohën e “COVID”-it kur e trajton futbollin si një dyqan pa blerës, që edhe po të hapë qepenat, më shumë do të ketë rrezik, sesa do të ketë argëtim!

E dinë të gjithë se fatin e një ndeshjeje futbolli e vendos taktika, por kur në fushë janë shefat, taktika është shumë e rafinuar, aq sa loja i afrohet më shumë shahut dhe bilardos. Dhe kjo ka një shpjegim: ata kanë talentin dyfish për të qenë edhe lojtarë, edhe trajnerë. Dhe kur kryeministri s’del në “fushë”, atëherë ndryshon dhe strategjia.
mmm
Dhe, sipas skemës, tamam këto ditë, është takuar presidenti i Republikës, Meta, dhe presidenti Duka. Një takim që me gjuhën e futbollit mund të krahasohet me misionin e sulmuesit të fshehur, i cili luan sikur nuk është i interesuar për të bërë gol. Dhe, në fakt, “ndeshja” doli me gola poshtë, me vetëm një gol, që përmblidhet në frazën antipandemike: “Futbolli është vaksina më e mirë në këto momente epidemie!” Ky është një moment i lumtur kur presidenca e ngriti “qepenin”, por, si për ters, në kryeministri… i ndjell e kundërta.

Janë afër e afër dy selitë madhore, por sa largohen kur futet topi në mes. Edhe në ditë euforie nuk janë bashkë, si atëherë, fill pas Europianit, kur ndezën derbin e tyre me dekorata dhe me buste, cila t’i bënte më të bujshme…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"