Sa vjen asambleja, futbolli shijon “tamponin”…!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 17:31

Sa vjen asambleja, futbolli shijon “tamponin”…!

 GËZIM SINEMATI 

Sinemati

Mos harroni dorën, se koka nuk ju duhet në asamblenë e përgjithshme! Ky do të ketë qenë slogani i ftesës së FSHF-së për klubet e futbollit, kur shikon se sistemi i “dorës në allçi” është përsosur edhe në versionin online. Edhe në kohën e pandemisë, kur e gjithë bota e futbollit ka hapur gojën për të marrë tamponin e shumëpritur, këtej në anët tona, “tamponi” që përdoret në asamble është çudibërës nga efekti.

Një ilaç, i cili nuk gjendet në asnjë habitat tjetër në hartën e futbollit, ku koka të ulet poshtë dhe dora të ngrihet lart. Edhe kjo asamble, së cilës ia kanë vënë një mbiemër të rremë “e zakonshme”, nga doza e përqindjeve të votimit duket e pazakontë, disi anormale… Aq e pazakontë, sa mund të thuhet se futbollin e votave e kanë tredhur me rrënjë moralisht, saqë FSHF po ngjason me një parti despotike, më shumë sesa me një organizatë sportive…

asambleja-fshf-zgjedhjet

Kjo asamble do të kujtohet për hapjen spektakolare. Ç’ishte ai falënderim thumbues ndaj shtetit qysh në minutat e para? Si mund të harrohet hapja e saj bujëmadhe, tamam si në ato ndeshjet e pabesa, ku më shpejt vjen goli sesa bie bilbili i arbitrit? Ku do të gjendet një asamble tjetër, ku qeveria e futbollit ka djegur të gjitha “skedinat parashikuese”…? Dhe ishte vetë presidenti Duka (dhe jo më tellallët), autori i një falënderimi driblues për zotin Rama:

“Ju falënderoj për mosbashkëpunimin dhe injorimin që bëtë qoftë për ndihmën financiare të personave që punojnë në futbollin shqiptar, por edhe për rinisjen e kampionatit”. Ishin fjalë që përlotën qysh në fillim anëtarët e “kongresit”, sa dikush kishte kujtuar me nostalgji takimin e fundit të presidentëve me zotin Rama, kur shefi i politikës dhe ai i topit ia pasonin topin me sy mbyllur njëri-tjetrit, ndryshonin kaq me marifet rolet gjatë “lojës”, sa nuk merrej vesh në ca momente se cili ishte kryeministri e kush na ishte presidenti i futbollit…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"