Një eksperiment me tifozët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2017 | 21:08

Një eksperiment me tifozët…

YLLI AGA

ylli-aga

Në Vlorë duket se janë të lodhur me tifozët. Në betejë me ta, për fat të mirë, nuk janë më FSHF si organizatorë të garës apo kundërshtarët e radhës, por vetë klubi Flamurtari. Gjërat kanë shkuar në atë pikë, sa marrëdhënia mes tyre nuk mund të vijojë pa kushte, por kërkohet një zgjidhje e shpejtë, e drejtë dhe afatgjatë. Beteja e iniciuar nga administratori Idrizi duket se nuk do të ketë kthim pas, por paralajmërimi i bërë prej tij për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë, duket tepër radikale dhe mbi të gjitha, jo e drejtë për shumicën e tifozëve të Flamurtarit.

Problemet e shkaktuara në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut, mbi të gjitha në tribunën qendrore, ishin një mungesë e theksuar respekti për drejtuesin kryesor të Flamurtarit, si dhe thyerje e shumë normave dhe traditave në raport me mikun, që shqiptarët i kanë trashëguar ndër shekuj. I lodhur nga një situatë e tillë, si zgjidhje është gjetur hapja e dyerve të stadiumit vetëm për fëmijët dhe femrat. Mesazhi për një veprim të tillë është shumë i fortë dhe i qartë për gjithsecilin, që e ka sadopak ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektit, por frika është se nuk do të ketë efektin e duhur për problematikët e zakonshëm.

flamurtari tifozet

Megjithatë, lajmi i mirë në gjithë këtë është se në Vlorë, vetë drejtuesit e klubit nuk pajtohen me situatën që përjetojnë stadiumet tona dhe po kërkojnë një zgjidhje përfundimtare. Në këtë pikë nevojitet bashkëpunim dhe kontribut për t’u ndarë njëherë e mirë nga epoka ku stadiumet, me statusin e identitetit të një qyteti, të mbeten peng i disa personave të papërgjegjshëm ose që nuk janë të aftë të kontrollojnë emocionet e tyre. Për këtë arsye nevojitet përkrahje për drejtuesit e Flamurtarit për të gjetur zgjidhjen më të mirë, e cila mund të jetë larg vetëm me disa iniciativa dhe vendime transparente dhe të guximshme.

Së pari, të pajiset stadiumi në çdo tribunë me kamera sigurie. Së dyti, shitja e biletave për çdo vend në stadium të bëhet me karta identiteti. Së treti, në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë që Flamurtari bashkëpunon, si dhe me policinë, të identifikohen personat që shkaktojnë probleme dhe t’u ndalohet, pikërisht atyre, hyrja për një kohë të caktuar ose edhe përgjithmonë në stadium. Bërja shembull e disa personave, do të ishte leksioni më e mirë edhe për shumë të tjerë. Do të ndalte ndëshkimin kolektiv për të gjithë tifozët dhe falë këtij vullneti, Flamurtari do bëhej shembulli më i mirë edhe për klubet e tjera, që kanë pothuajse të njëjtat probleme, por duan t’i fshehin ato ose t’ua delegojnë të tjerëve.

flamurtari

Flamurtari është duke zhvilluar sezonin e tij më të mirë. Nga momenti që është në drejtim nga administrator Idrizi, ka krijuar ide të qartë loje dhe karakteri falë punës dhe zgjedhjeve të trajnerit Duro dhe një gjë e tillë pasqyrohet lehtësisht edhe te mbështetja që ka marrë nga pjesa dërrmuese e tifozërisë. Stadiumi i tejmbushur në ndeshjet me Kukësin dhe veçanërisht me Skënderbeun, ishin konfirmimi më i mirë.

Për të vijuar këtë rrugëtim, që me siguri do ta shohë Flamurtarin sërish mes ekipeve pretendente të futbollit tonë, nevojitet kontributi i të gjithëve edhe i tifozëve me statusin e lojtarit të 12-të, por e sigurt është se mund të bëjë pa disa problematikë, qofshin këta dhjetëra apo edhe qindra. Sepse Flamurtari, si një nga elementët më përfaqësues të qytetit, si imazh dhe si konkurrent në çdo garë sportive, është shumë më i rëndësishëm se çdonjëri nga ata që tentojnë të njollosin të kaluarën e këtij klubi dhe mbi të gjitha, të mbajnë peng të ardhmen e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"