Opinion nga YLLI AGA/ Triumfi i modelit “Duro”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2017 | 20:39

Opinion nga YLLI AGA/ Triumfi i modelit “Duro”

Opinion nga YLLI AGA

ylli-aga

Flamurtari është në mënyrë të padiskutueshme surpriza më e bukur e këtij fillimkampionati. Ky konstatim jo në raport me emrin, historinë apo ambiciet tradicionale të vlonjatëve, por në mënyrë specifike me ecurinë dhe rezultatet nga vera e 2014-ës. Në këtë pikë pësimet dhe eksperimentet duket se janë bërë mësim dhe, pasi është luajtur gati ¼-ta e garës, Flamurtari i është imponuar opinionit sportiv me një profil të qartë, ku uniteti është tipari më dallues.

Në një kampionat ku diferencat mes ekipeve janë minimale dhe, si rrjedhojë, gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen, sërish kjo skuadër jep garanci që këtë sezon vlonjatët janë projektuar për të qëndruar në elitë. Për këtë prezantim dhe profil meritat shkojnë për drejtuesit e klubit, veçanërisht për administratorin Idrizi, i cili, deri në këtë moment, ka plotësuar të gjitha kërkesat e stafit teknik dhe të futbollistëve. Por, në mënyrë të padiskutueshme, ndryshimin e madh e ka bërë pikërisht trajneri Shpëtim Duro. Personalisht për të, paraqitja e Flamurtarit nuk është një risi, por bazuar tek eksperiencat e suksesshme te Besa, Partizani dhe Shkëndija e Tetovës ky profil është konfirmimi i triumfit të modelit trajner-menaxher edhe në futbollin tonë.

Duro

Në verën e 2009-ës, kur presidenti i Besës prezanton Shpëtim Duron si trajnerin e ri, pjesa më speciale është lënia e të gjithë kompetencave për përzgjedhjen e futbollistëve. Dhe Duro nuk zhgënjeu aspak, teksa afroi me radhë emra si Shehi, Fagu, Dragusha, Vrapi, Arapi, Poçi, Shkëmbi, Mancaku, Xhafaj apo katapultoi në futbollin e madh Cikalleshin. Ajo skuadër fitoi Kupën dhe ishte forca e dytë në kampionat. Thuajse e njëjta histori edhe me Partizanin në eksperiencën e katërt me të kuqtë në verën e 2014-ës. I ndihmuar edhe nga aventura në Maqedoni me Shkëndijën ndërton një grup, që ende edhe sot ndjell nostalgji.

Pasi rikonfirmoi Hoxhën dhe Rrahmanin, solli me radhë Fejzullahun, Vrapin, Cuculin, Bathën, Trashin, Nexhipin, Raçiç, si dhe prezantoi një të ri si Bardhi. Në atë kampionat Partizani u rendit i treti, pas një gare të ashpër me Skënderbeun, Kukësin dhe Tiranën. Frymën që krijoi Partizani i selektuar nga trajneri-menaxher Duro nuk ka arritur ta përsërisë asnjë tjetër në kampin e kuq, madje as “tabori” i drejtorëve, këshilltarëve dhe menaxherëve në verën e fundit. Nëse dikush ndihet mirë me rezultatet e Shkëndijës në kampionatin e Maqedonisë dhe në Europë, duhet të dijë se një përqindje te kjo ecuri shkon edhe për Duron te përzgjedhjet e bëra dy vite më parë.

Duro

Dhe për të vulosur gjithçka, sa i takon këtij modeli, është edhe merkato e realizuar prej tij në masën 100% te Flamurtari, që premton më në fund një sezon të mirë për vlonjatët pas disa vitesh problematike. Në vendin tonë, në historinë e të gjithë viteve të tranzicionit, seleksionimi i futbollistëve ka qenë një nga hallkat më të dobëta në nisjen e një projekti sportiv. Shpeshherë zgjedhjet kanë qenë ekskluzivitet i presidentëve, në jo pak raste bashkëpunim i tyre me trajnerët dhe jo rrallë edhe si sugjerime të menaxherëve të ndryshëm. Sikundër nuk kanë munguar rastet kur ekipet janë kthyer në strehë për të bërë qoka që nga presidentët, kryetarët e bashkive, deputetët apo edhe vetë trajnerët. Bota e futbollit më elitar në kontinent prezantohet sot me dy modele, ajo që i gjithë procesi i rekrutimit të futbollistëve udhëhiqet nga një bord teknik, përfaqësuar me drejtorin sportiv dhe modeli i trajnerit-menaxher.

Te modeli i parë, futbolli ynë prezantohet në mënyrën më të mirë Skënderbeu, ndërsa modeli anglez i trajneritmenaxher është i pakonkurrueshëm me të gjitha skuadrat e drejtuara nga Shpëtim Duro. E sigurt është që zgjedhja e njërit prej këtyre modeleve nuk nënkupton domosdoshmërisht që ka më tepër premisa për të qenë fitues, pasi futbolli na ka mësuar se, edhe nëse në një klub bëhen të gjitha gjërat mirë nga A-ZH, në fund do të kërkojë edhe pak fat.

Në këtë mënyrë dhënia e një pavarsie më të madhe për trajnerët, vendosja në dispozicion e një buxheti të caktuar për t’u përdorur në merkato, është gjithashtu e destinuar të prodhojë sukses, sepse në këtë rast trajneri-menaxher është dyfish i motivuar për të realizuar të gjitha synimet e klubit, për të promovuar vlerat e tij në të dy elementët dhe për të synuar të qëndrojë sa më gjatë në krye të një projekti. Nëse fjalët nuk iu bindin, mjafton të rishihni edhe një herë të gjithë rrugëtimin e skuadrave të Shpëtim Duros në vitet e fundit, sepse suksesi i tij përfaqëson triumfin e një modeli se si duhet të funksionojnë klubet tona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"