Trajnerët, “jetimët” e futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2019 | 20:36

Trajnerët, “jetimët” e futbollit shqiptar

YLLI AGA

ylli aga

Kur janë luajtur 16 javë, vetëm katër klube kanë mbajtur në detyrë trajnerët me të cilët nisën kampionatin. Sh.Duro, V.Dovedan, M.Jonuz dhe I.Daja vijojnë ende detyrën e tyre, me dyshimin se shumë shpejt mund të përfshihen në llogaritë e statistikave. Ndërkohë që katër klube, Laçi, Partizani, Teuta dhe Flamurtari e kanë kryer “rokadën” e trajnerëve, Tirana dhe Luftëtari kanë provuar zgjedhjet e treta dhe janë në pritje për të katërtën.

Megjithatë, përtej statistikave, që pasurohen çdo vit, shijen më të keqe ta linte sinkronizimi i lëvizjeve në javën e kaluar, ku si me komandë largohen tre trajnerë. Shtuar këtyre dhe trajnerët e komanduar në detyrë, bën që profili i trajnerit në sytë e opinionit sportiv të zhvlerësohet në maksimum.

Trajneret

Klubet i duan trajnerët edhe… “magjistarë”

Nuk ka një profesion të dytë, ku vendi i punës të jetë gjatë gjithë kohës në diskutim. Ndodh në nivelet më të larta, e pashmangshme për të qenë e tillë edhe në futbollin tonë. Me ndryshimin e madh, që në shumicën e vendeve, trajnerët janë të rrezikuar për punën e tyre nga rezultatet dhe marrëdhëniet që krijojnë me të gjithë faktorët, ndërkohë që te ne, në një shumicë rastesh u kërkohet të bëjnë edhe “magjistarin”.

Kjo sepse nuk ka shpjegim tjetër, ku në klube që nuk paguhen prej muajsh, apo nuk paguhen rregullisht lojtarët dhe ata vetë, ku trajtimi është shumë larg të qenit profesionist, ku kushtet dhe baza materiale mungojnë ose nuk janë asnjëherë të plota, ku nuk kanë një rezidencë zyrtare, nuk kanë një ambient të përbashkët për t’u ushqyer, ku kujdesi mjekësor, gjithashtu, nuk kryhet nga profesionistë apo mungon edhe ai, si mund të pretendohet që gjithçka ta zgjidhë… një trajner?

Në të tilla kushte ku punojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre klubet tona, është pothuajse e pamundur që të zhvillohet një punë mirëfilli profesionale. Ndaj, largimi, zëvendësimi, linçimi i trajnerëve është thjesht fasadë për të fshehur problematikat e vërteta të klubeve tona të futbollit.

Kategoria Superiore 81

Shoqata e trajnerëve, ku?

Në një shoqëri si e jona, ende në tranzicion, por në përpjekje të vazhdueshme për të fituar të drejta dhe imponuar vëmendje, janë me qindra shoqatat që bëjnë gjithçka për të mbrojtur anëtarët e tyre. Ndër të paktat, në mos e vetmja që nuk është parë të hidhet në aksion, është shoqata e trajnerëve.

Asnjë mbledhje me anëtarët e saj, asnjë përpjekje për ta fuqizuar rolin trajnerëve në klubet tona, asnjë tentativë për t’i ndihmuar trajnerët me asistencë ligjore, asnjë reagim për largimet nga puna, shpesh të pamotivuara. Asgjë. Nëse nuk pati reagim, qoftë edhe formal, në momentin që gjysma e klubeve të Kategorisë Superiore largon nga puna anëtarë të saj, me shumë mundësi misioni i kësaj shoqate mund të konsiderohet i përfunduar. Në këtë panoramë, trajnerët e pushuar nga puna ngjajnë me jetimët për të cilët nuk kujdeset askush.

Ndërkohë që gjithçka i ka ndodhur dhe po i ndodh “klasës” së trajnerëve shqiptarë, (se të huajt kanë eksperiencën për t’i kopsitur kontratat e tyre) është një ftesë për të reflektuar, për të kërkuar më shumë të drejta dhe kushte të përshtatshme për të punuar dhe mbi të gjitha kontrata që i mbrojnë ata. Në mungesë të një reagimi të përbashkët dhe me një zë nga të gjithë trajnerët, secili veçmas është i detyruar ta bëjë. Gjithmonë nëse ka respektin për veten dhe për profesionin e tij.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"