Tirana me Memën kërkon kthim në identitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 13:20

Tirana me Memën kërkon kthim në identitet

YLLI AGA

ylli aga

Dallohej qartë një dozë aktrimi nga ana e Ardian Memës në momentin që po firmoste kontratën si trajneri i ri i Tiranës. I detyruar të vishej me kostum, nën provokimin e bliceve të aparateve fotografike dhe në fund një buzëqeshje e sforcuar në momentin e shtrëngimit të duarve me presidentin Halili.

Me siguri, në momentin që e gjitha kjo procedurë ka përfunduar, do të ketë nxituar t’ia thotë në sy numrit 1 të klubit bardheblu: “merre dhe grise tani këtë kontratë. Te Tirona nuk erdha për të, por për gjakun dhe dashurinë time!” dhe fill pas saj, nxiton drejt fushës së stërvitjes, aty ku e presin të besuarit e tij dhe basti më i madh i karrierës.

ardian mema

Trajneri i ri, asnjë surprizë

Emri i Ardian Memës nuk ishte i rastësishëm në kampin bardheblu. Kontakti i parë me të ishte menjëherë pas humbjes në derbi, por zyrtarizimi do të vinte dy javë më vonë, pasi brazilianit Ze Maria iu dha edhe një shans i fundit, të cilin nuk e shfrytëzoi. Pas humbjes me Laçin nuk kishte më asnjë dyshim, koha e eksperimenteve me trajnerë të huaj kishte përfunduar, ndryshimi ishte tanimë një detyrim, por kushtet diktojnë një zgjedhje brenda familjes, dikush që e njeh ambientin “me rronj dhe me deg”. Në këtë moment nuk kishte me nevojë për tratativa të stërzgjatura.

Ka mjaftuar një telefonatë nga “shtëpia bardheblu” dhe Mema ka bërë gjithçka me nxitim, duke i kërkuar leje drejtuesve të Flamurtarit dhe si “qingji” i “Bagëti e Bujqësi”, “kur nigjon zërin e nënës” është nisur fluturim për të marrë timonit e klubit të Tiranës, praktikisht klubit të tij të zemrës. Dhe në këtë turravrap me siguri do të ketë harruar të ndahet me “vëllain e madh” Ilir Dajën, por që gjithçka mund të rregullohet direkt në takimin e tyre të parë. Kur zgjidhjet kërkohen brenda filozofisë së klubit Tregojnë se në Verën e 1985, në një analizë të drejtuesve të futbollit të kohës, një nga titullarët e tij, duke u dëshmuar më burokrat se ç’duhej, guxoi të pyeste trajnerin e saposhpallur kampion Enver Shehun: -Shoku trajner!

ardi mema tirana

Me çfarë varianti taktik ka luajtur skuadra juaj në sezonin e fundit? Përgjigjja e trajnerit të famshëm ishte e menjëhershme, e drejtpërdrejtë, me një ironi therëse dhe me të folurën e tij unike, që mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë njohur nga afër: -”Ça varianti taktik kërkojshit ju?! Fitojshim kundër çdo skuadre me tre-katër gola!”.

Nënteksti i atyre fjalëve ishte i qartë. Suksesi i atij ekipi nuk ishte një variant i caktuar taktik, por shpirti i lartë i garës dhe fryma që mbizotëronte tek ai grup lojtarësh. Këtë histori dhe shumë të tjera do të duhet t’i dëgjoni nga Ardian Mema, që me trajnerin Enver Shehu ka pasur një raport shumë special, duke qenë se pothuajse në të gjithë periudhën te Tirana ka pasur në krah babanë e tij Ali Memën, njëkohësisht edhe një nga futbollistët më të mirë të historisë së bardhebluve. Në kushtet ku ndodhet Tirana, dalja nga kriza me shumë mundësi nuk do të vijë nëpërmjet një ndryshimi të thjeshtë taktik apo emrash në formacion, por nga injektimi i atyre elementëve të lojës, me të cilët te bardheblutë janë krenuar historikisht.

ardian mema

Prova e radhës për ta vërtetuar atë është marrja në drejtim e Ardian Memës, dikush që e di si pakkush si fitonte Tirana kur në drejtim ishte edhe babai i tij, si fitonte kur ishte në fushë si futbollist dhe ëndërron ta bëjë një gjë të tillë edhe si trajner. E sigurt është se në këtë moment nuk ka vend për asnjë magji, por nëse bëhen bashkë shumë faktorë (gjëja më e rëndësishme) dhe zgjohet shpirti i garës që ka karakterizuar bardheblutë ndër vite, suksesi nuk do të vonojë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"