Sporti i “krundeve” tani kërcënohet nga falimentimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2018 | 20:30

Sporti i “krundeve” tani kërcënohet nga falimentimi

YLLI AGA

800 milionë lekë (të vjetër) për 48 federata. Kaq është buxheti që shteti paguan për sportin në vendin tonë (në këtë listë nuk përfshihet FSHF, pasi kontributi i shtetit për të është me zero lekë). Një deklaratë të tillë e bëri presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, që shqipëron në mënyrën më të thjeshtë shqetësimin e Artan Shytit për “sportin e krundeve”.

ylli aga

Në fakt, një realitet të tillë mund ta konkurrojë vetëm “ballisti” Fadil Hasa në atë skeçin e famshëm “28 kamionë për 7 batalione”. Sepse të flasësh për strategji, për edukim sportiv dhe në fund për rezultate është thjesht e pamundur.

Pjesa e “Luanit” për këtë buxhet shkon vetëm për rrogat e zyrtarëve të këtij batalioni me federata (dhe mos u çudisni pse shumica e zgjedhjeve për këto institucione mbyllet me sherre dhe kuti të thyera). Ajo që mbetet nga buxheti janë realisht krunde që nuk mund të shërbejnë për asgjë. Aq më pak për të bërë sport dhe politika sportive. Për ta bërë më të prekshme shifrën minimale që merr sporti nga buxheti është e rastit të kujtojmë se vetëm nga kompanitë e basteve arkëtohet afërsisht 100 herë më shumë!

Dhe për ta bërë realitetin edhe më të errët dhe gjithnjë e më pak premtues, nuk mjafton buxheti që pakësohet vit pas viti, por shtyrja pa fund edhe “Ligjit për Sponsorizimin”, për të cilin vijon të shkruajë pambarimisht vetëm presidenti i FSHB, Avni Ponari. Të gjithë “budallenjtë” me statusin e biznesmenëve, që deri më tani kanë financuar për sportin, kanë gjithnjë e më pak arsye për të dhuruar nga pasuria tyre për një aktivitet që po shkon drejt rrënimit.

10-sportistet

Edhe sepse tani e kanë kuptuar dhe një pjesë e kanë parë, se në shumë vende të tjera, mbështetja e sportit, investimi në infrastrukturë është një nga detyrimet e qeverisë qendrore dhe atyre lokale. Dhe për të rritur cilësinë sportive, bizneset favorizohen në mënyra nga më të ndryshmet për të sponsorizuar. Nëse dikush ka dyshime, mjafton të interesohet për atë çfarë ndodh në Kosovë, Kroaci, Maqedoni për të mos shkuar më larg.

Të gjitha këto janë të ditura dhe të trajtuara nga ata, të cilët i ndiejnë mbi kurriz këto problematika apo kanë ende ndjeshmërinë për të ndalur jo thjesht rrënimin, por me shumë mundësi falimentimin e të gjithë ngrehinës së sportit në vendin tonë. Por për ta bërë edhe më problematike marrëdhënien dhe detyrimet që shteti ka ndaj sportit në përgjithësi dhe me të gjithë ata që merren me këtë aktivitet në veçanti, ka ardhur edhe vendimi i fundit i Policisë së Shtetit për të hequr dorë nga përgjegjësia për ruajtjen e rendit në eventet e ndryshme sportive.

Shqiptaret

Motivi, ndryshimet e bëra në Ligjin e ri për Sportin. A thua se këto ndryshime nuk reflektuan më së pari dëshirën për të hequr qafe një “barrë” pikërisht nga forcat e rendit. Vendimi për të mos qëndruar brenda ambienteve ku do të zhvillohen këto aktivitete, jo thjesht do të shtojë kostot për organizatorët, por rrezikon të vërë realisht në dyshim zhvillimin e tyre. Për parantezë është për t’u nënvizuar fakti se rrezikon të ndodhë si në ndeshjen e fundit të Superkupës Skënderbeu-Laçi, kur një makinë policie vjen vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes dhe më pas jo vetëm nuk qëndrojnë jashtë këtyre ambienteve, në gatishmëri për çdo problematikë, por largohen krejtësisht, duke i lënë organizatorët dhe zyrtarët e ndeshjes në mëshirë të fatit dhe në duart e pak policëve privatë.

Por nëse klubet e futbollit të Kategorisë Superiore kanë një buxhet që mund ta mbulojnë këtë shërbim, shqetësimi i madh dhe që duhet përcjellë mbi tavolinat e drejtuesve të policisë është se çfarë do të ndodhë me të gjitha kategoritë inferiore në futboll dhe garat e të rinjve? Çfarë do të ndodhë në të gjitha sportet e tjera, ndeshjet e lojërave me dorë basketboll dhe volejboll, kategoritë e të rriturve dhe të rinjve? Kjo masë e jashtëzakonshme, për ata që përballen çdo ditë me vështirësi për të paguar fushat dhe sallat ku luhen këto aktivitetet, për të siguruar bazën materiale minimale, do të vihen para dilemës “të luajmë apo të mos luajmë”.

sportistet shqiptare

Nëse zgjedhin të luajnë në kushte ku siguria nuk ekziston, kush do t’i paguajë kostot për, larg qoftë, dhunën dhe problemet që do sjellë ajo? Sepse mbase dikush e ka harruar jemi në një vend ku dominojnë njerëzit gjaknxehtë dhe mendje-tek, të cilët mund t’i frenojnë në atë “5-minutëshin e budallait” vetëm forcat e rendit dhe autoriteti i ligjit dhe i shtetit. Në këtë pikë, nevojitet një reflektim i fortë nga i gjithë komuniteti sportiv, nga të gjitha federatat dhe shoqatat që preken nga ky vendim i fundit i Policisë së Shtetit, në mënyrë që në fillimin e aktivitetit zyrtar të mos gjenden para vështirësive të reja, që vënë në dyshim dhe me risk të lartë zhvillimin e garave sportive në të gjitha disiplinat dhe kategoritë. Kjo, pasi sporti ynë nuk ka këllqe të përballojë problemet me buxhetin minimal dhe mungesën e ligjit të sponsorizimit.

Nëse braktisen edhe nga Policia e Shtetit, sporti ynë rrezikon të ketë fatin e gomarit të anekdotës, së cilit i zoti për të kursyer zgjodhi t’i heqë fillimisht racionin e mëngjesit dhe punët vazhduan normalisht. Më pas edhe atë të drekës dhe përsëri rezistoi. Por kur eksperimentoi t’i hiqte dhe darkën, ngordhja nuk vonoi dhe kërshërisë së të tjerëve nuk nguroi t’i përgjigjej: “më vjen keq vetëm se kisha tri ditë që e pata mësuar të punonte pa e ushqyer fare!” Nga ky moment, askush nuk duhet të çuditet që nëse nuk ka një reagim të të gjithë komunitetit sportiv ndaj braktisjes që policia po u bën detyrimeve të veta kushtetuese, sporti nga misioni i tij historik, rrezikon të kthehet, për fat të keq, në një kërcënim për sigurinë publike në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"