Shqiptarët në apel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 19:52

Shqiptarët në apel

YLLI AGA

Për herë të parë, nga kualifikueset për “Euro 1964”, për të gjithë opinionin sportiv në vendin tonë, eliminatoret e një kompeticioni të rëndësishëm nuk do të jenë më sipas të njëjtit format. Ishim mësuar që në këtë periudhë të përgatiteshim për të konkurruar në një grup kualifikues ku domosdoshmërisht të kishim një nga skuadrat e mëdha të kontinentit. Dhe siç është vërtetuar, duelet me to ishin data të shënuara në kalendar me ngjyrë të kuqe.

ylli aga

Ende në memorien e shumë tifozëve parakalojnë futbollistë yje dhe skuadra që kanë bërë pjesën më të madhe të historisë së këtij sporti. Për të qenë prezent në këto sfida, shumëkush ka një histori të tijën për mënyrën sesi është siguruar një biletë, çmimi ekstra i paguar për të, por edhe vështirësia për t’u ulur në vendin për të cilin ishte bërë pagesa. Dhe historitë e shumë prej tifozëve, ashtu siç copëzat e një “puzzle” kanë krijuar një panoramë që është shumë e qartë për të gjithë, një pjesë e tifozëve i bënin sakrificat për të parë yjet e futbollit të madh europian.

Sepse nuk mund të ketë shpjegim tjetër, që në shumë ndeshje të tjera me rivalë të dorës së dytë, interesimi ka qenë gjithmonë e më i pakët. Druaj se e njëjta histori do të përsëritet edhe në debutimin e kuqezinjve në “Nations League”. Është nga të paktat raste në më shumë se një dekadë që nuk jam “bezdisur” në asnjë moment nga miq me telefonata apo mesazhe për t’i ndihmuar për gjetjen e një bilete për ndeshjen kundër Izraelit. Lexohet qartë që entuziazmi i çdo fillimedicioni kualifikues ka një rënie të dallueshme. Arsyet për një situatë të tillë mund të jenë të shumta, duke filluar nga statusi që kuqezinjtë tanë kanë aktualisht, që nisur nga paraqitjet dhe rezultatet e fundit nuk injektojnë shumë besim.

Apo më saktë nuk është si katër vite më parë, pavarësisht se në lojë priten të jenë shumë nga ata që e bënë Shqipërinë të jetë pjesëmarrëse në finalet e “Francë 2016”. Ndoshta edhe rregullat strikte të trajnerit Panuçi gjatë ditëve të grumbullimit kanë lënë shumë pak hapësira për një promovim më të mirë të kësaj ndeshjeje, por edhe për shumë nga futbollistët e ardhur rishtas. Sigurisht, një përqindje shkon edhe për specifikën e kësaj ndeshjeje, që izraelitët insistojnë ta bëjnë të duket me një shkallë të lartë rrezikshmërie.

kombetarja

Dhe kur edhe lajmërimi për “kujdes” vjen nga një ambasadë e rëndësishme në ditë-ndeshjen në Elbasan, mesazhi është i qartë për të gjithë të dyzuarit, për të mos ndërmarrë aventura për të udhëtuar deri në “Elbasan Arena” dhe për të provuar poshtërimin për një kontroll të denjë vetëm për të dyshuarit si terroristë. Por, përtej të gjitha këtyre, një ndeshje e Kombëtares së Shqipërisë duhet dhe shpresoj në orët që kanë mbetur, të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme për çdo shqiptar, kudo që ai është lindur apo jeton. Sepse është nga institucionet e pakta në këtë vend që na ka përfaqësuar denjësisht, që na ka bërë të ndihemi të bashkuar, krenarë dhe besimplotë se, po, ky vend mund të bëhet.

Ndaj Izraelit, në debutimin e “Nations League”, çdo shqiptar është thirrur në apel për të dhënë kontributin e tij. Të parët ata që do të kenë nderin të zbresin në fushën e lojës dhe më pas të gjithë të tjerët që do ta ndjekin në shkallët e stadiumit apo në çdo cep të globit. Gjithkush do të duhet t’i përgjigjet këtij apeli me dashurinë më të madhe, me përgjegjësinë më të lartë për të dhënë pjesën e tij në një betejë, që i kalon kufijtë sportivë.

Futbollistët do të duhet të vërtetojnë se pjesëmarrja në Europiani nuk ishte një rastësi dhe çdo tifoz duhet të jetë aty për të mbështetur djemtë dhe ngjyrat kuqezi, cilido qoftë emri i kundërshtarit dhe në fund edhe verdikti final i kësaj ndeshjeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"