Shënojeni edhe Teutën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2017 | 14:57

Shënojeni edhe Teutën!

YLLI AGA

Çdo fillim kampionati ka pretendentët e tij për titullin kampion. Në mënyrë të pashmangshme edhe në këtë sezon, ka skuadra meylli-aga një profil të lartë dhe, në letër, më superiore se të tjerat. Pavarësisht dëshirave që ekzistojnë në kampet respektive, me siguri, shumica e opinionit sportiv bie në një emërues të përbashkët për treshen Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu.

Verilindorët janë aty sepse mbajnë statusin e kampiones në fuqi, kanë ruajtur pjesën më të madhe të skuadrës së vitit të kaluar, kanë bërë disa afrime cilësore dhe drejtohen nga një trajner që krijoi një profil pozitiv me Luftëtarin. Partizani është aty, sepse, çfarëdo që të ndodhë, e ka në ADN-në e saj pretendimin për titullin kampion.

Ndërkohë që në këtë sezon si forca shtesë vjen uria edhe më e madhe e të gjithëve në klub, grupi i futbollistëve, pjesë më e madhe e të cilëve me shumë eksperiencë dhe cilësorë për kampionatin tyre, si dhe arma plus mund të konsiderohet Moggi & CO, të cilët vështirë se mund të pranojnë dështimin në këto nivele.

Teuta

Renditja në listë me Skënderbeun prezent mund të ishte edhe e përmbysur, sepse korçarët, ndonëse me statusin e forcës së tretë në kampionatin e kaluar me përfaqësimin në Kupat e Europës dhanë një mesazh të qartë se kush është skuadra më e mirë në vend. Pretendimet e tyre bëhen edhe më të prekshme kur kujton se në krye të dëshirave qëndron pikërisht titulli kampion. Janë të shumta arsyet se edhe në këtë sezon emri i kampiones të dalë nga kjo listë e shkurtuar.

Por futbolli është i njohur për surprizat e tij dhe, në parim, askush nuk është i përjashtuar dhe gjithkush do të luajë mundësitë e tij. Gjithsesi, njëra ndër to meriton të veçohet, Teuta. Durrsakët i kanë bërë një start perfekt këtij kampionati. Dy ndeshje, gjashtë pikë. Më shumë seç arritën të merrnin pas tetë javësh një vit më parë.

Teuta, trofeu Paskuçi

Dhe kjo është një tjetër provë e seriozitetit dhe ambicies së tyre. Në qytetin bregdetar nuk kanë shumë dëshirë t’u përmendësh titullin kampion. Ndoshta edhe sepse preferojnë “të fluturojnë” ulët dhe të mos ndiejnë presionin e më të mëdhenjve dhe, mbi të gjitha, se e kanë të qartë se në këtë kampionat diferencat janë aq të imëta sa peshorja e fitores kalon sa nga njëra anë në tjetrën për shumë pak gjëra.

Gjithsesi, opinioni sportiv duhet të dijë se në Durrës prej muajsh ka nisur një projekt i ri, që me siguri nuk do të vonojë t’i japë frytet e tij. Klubi është shumë pranë shndërrimit në shoqëri aksionere, një hap që do t’i bëjë ortakët shumë më të interesuar për ta shndërruar Teutën në përfaqësuesen më dinjitoze të qytetit dhe në një markë edhe më cilësore të futbollit në vendin tonë.

Në fare pak kohë, edhe për shkak të ambicieve maksimale, klubi prezantohet me një administratë më të zgjeruar dhe më profesionale. Janë bërë investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe në këtë pikë më e mira nuk ka ardhur ende, pasi projektet janë për t’i shndërruar ambientet përreth stadiumit “Niko Dovana” në një oaz të mirëfilltë sportiv.

teuta

 

Ka gjithashtu një buxhet të përafërt me klubet më të mira në vend dhe premtohet se korrektesa do të jetë gjëja e fundit që do të mungojë. Në aspektin sportiv i është lënë dorë e lirë stafit teknik dhe Magani ka pasur mundësinë të mbajë disa nga lojtarët më të mirë të sezoneve të fundit, si dhe të përzgjedhë futbollistë që kanë të njëjtat ambicie, si dhe drejtuesit e klubit. Lena, Hila, Dosti, Sykaj, Kastrati apo Moçka janë një garanci. Hrkac, Dediç, Onyeke kanë dhënë sinjale pozitive.

Ndërsa Çyrbja, Beqaj, Shkalla, Abe i japin shumë më tepër energji një skuadre që synon të jetë te më të mirat. Një kujdes i veçantë po i kushtohet edhe Akademisë me shpresën se do të jenë gjithnjë e më të shumta prurjet për ekipin e parë. Puna e bërë deri më tani është e lavdërueshme dhe një garanci që qyteti do të përfaqësohet në garën më të rëndësishme sportive në vend nga një skuadër dinjitoze dhe me ambicie maksimale.

Teuta

Ashtu siç skuadra është e dëshiruar për të pasur një mbështetje më të madhe nga tifozëria. Ndonëse trajneri Magani nuk lejon askënd të mendojë përtej ndeshjes së radhës, askush nuk mund të mbyllë sytë dhe të mos shohë se në Durrës është ndërtuar një skuadër që nuk ka asgjë më pak se rivalet e saj. Në këto kushte, përsëritja e suksesit më të madh të këtij klubi, titulli kampion i vitit 1994 nuk duhet të jetë diçka e pamundur.

Teuta

Ndonëse në dy javët e para të kampionatit, Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu nuk kanë bërë gjithçka në mënyrë perfekte, sërish për shumicën janë pikërisht këto tri skuadra pretendentet kryesore për titull. Por, qoftë edhe sepse në Durrës ka nisur një projekt i rëndësishëm dhe në futboll ndodh gjithçka, shënojeni edhe Teutën!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"