Sekti i trajnerëve të humbur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 22:10

Sekti i trajnerëve të humbur

YLLI AGA 

ylli aga

Në verën e vitit 1993, KF Tirana do të riniste një epokë të re. Pas dekadash organizimi nën modelin komunist, klubi kryeqytetas do të provonte të rikthehej në identitet, duke zgjedhur në krye një sipërmarrës të mirënjohur si Metush Seferi dhe njëkohësisht duke nisur një cikël suksesesh, që do t’i bënin bardheblutë ekipin me më shumë trofe në vend.

Njëjtë si në fillesat e këtij sporti në vendin tonë në vitet ’30 me presidentin legjendar S.Stërmasi në krye. 10 tituj kampionë dhe 8 kupa do të krijonin një distancë të konsiderueshme me rivalët tradicionalë. Por keqardhja pas gjithë këtyre sukseseve qëndron në faktin se në gjithë këtë periudhë KF Tirana, ndonëse nga më të mbështeturat financiarisht, duke pasur në drejtim trajnerët më të spikatur dhe futbollistët më të mirë, nuk arriti të ngrihej një nivel më lart, për të qenë një skuadër jo vetëm fituese trofesh, por gjithashtu e aftë për t’u bërë e njohur edhe në garat kontinentale dhe të fitonte pavarësinë për sa i takon anës financiare.

julian ahmataj

Arsyet për një dështim të tillë, që kulmojnë me rënien nga kategoria, mund të jenë të shumta, duke filluar nga vonesat në përcaktimin e statusit ligjor të klubit, problematikave për mënyrën e administrimit, pamundësisë për të pasur, ndërtuar dhe rikonstruktuar një infrastrukturë të përshtatshme, milionave të shpenzuara pa kriter, por edhe eksperimenteve pa fund për sa i takon pjesës sportive.

Në sezonin e 27-të që KF Tirana ka një menaxhim të ngjashëm me modelet më të njohura, ka pasur në drejtimin teknik 28 emra të ndryshëm trajnerësh, por që në varësi të rezultateve dhe gjithçkaje tjetër, janë alternuar në plot 48 raste. (sipas tabelës bashkëngjitur). Gjatë gjithë kësaj periudhe vetëm në katër sezone bardheblutë e kanë filluar dhe mbaruar sezonin me një trajner të vetëm.

Ashtu sikundër nuk kanë ngurruar të largojnë nga detyra edhe trajnerë që sapo ishin kurorëzuar kampionë, si Muça 1995 dhe 2000, Josa 2004, Starova 2005, Tafaj 2009. Baraslarguar me standardin më të mirë atë të Manchester United, që për të njëjtën hapësirë kohore i besoi një trajneri të vetëm si Sir Alex Ferguson, mund të kuptojmë se sa gabime janë bërë gjatë kësaj periudhe. Rrotacionet e vazhdueshme dhe shpesh pa asnjë kriter, minimalisht kanë ngadalësuar apo penguar krijimin e një klubi mirëfilli profesionist, si dhe nuk i kanë dhënë mundësinë e krijimit të një profili të qartë dhe diktues në sytë e opinionit të gjerë sportiv.

ardian mema

Në një përqindje të madhe, të gjitha vendimet janë marrë në kushtet e një presioni të lartë, të pakonsultuara dhe shpesh janë përdorur si “kurban” për të mbuluar të gjitha problematikat e tjera. Në shumë raste trajnerët, shumë prej të cilëve imponues me CV-të e tyre, janë prezantuar si lider të një projekti apo cikli të ri dhe në fund kanë paguar të vetëm faturën e rezultateve jo në lartësinë e kërkesave tradicionale të klubit. Justifikimi, si përafërsisht e njëjta gjë ka ndodhur edhe me klubet e tjera, nuk mund të qëndrojë në raport me statusin dhe pretendimet e gjithkohshme të bardhebluve.

Në testin e radhës është një ambicioz si J.Ahmataj, që ndonëse në fillimet e karrierës së tij, nuk ka hezituar të provojë dhe lërë gjurmë në disa klube. Tanimë në provën e tij më të rëndësishme, ndonëse roli i trajnerit zë një përqindje të caktuar në ecurinë dhe rezultatet e një skuadre, do të provojë dhe ka premtuar maksimalen e mundshme, ndoshta edhe i kushtëzuar, sepse te ky klub nuk mund të ketë objektiva të tjerë, veçanërisht në një vit jubilar si 100- vjetori i krijimit. Për të gjitha eksperimentet e dështuara në 27 sezonet e fundit, trajneri i ri meriton mbështetjen e të gjithëve në kampin bardheblu, qoftë edhe për të dëshmuar vullnet për fillimin e një cikli të ri për rolin që duhet të ketë një trajner në një klub futbolli.

Capture

Në fund, cilido qoftë rezultati, Ahmataj do të duhet të dëshmojë se nuk do të ketë asnjë peng për punën e bërë prej tij, pasi nuk do të ketë 100% të meritave në rast suksesi, ashtu sikundër nuk do të jetë fajtori i vetëm në rast dështimi. Më e rëndësishme në këtë moment është që KF Tirana në “kapërcyell” të dy shekujve të mund përcjellë mesazhin se ka mësuar nga gabimet e bëra dhe ka aftësinë për të nisur diçka të re, pse jo, shumë më të bukur se ajo e deritanishmja dhe se trajnerët më shumë se një “sekt i humbur”, përfaqësojnë një nga hallkat më të rëndësishme në zinxhirin komandues të një klubi.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"