Përse ndeshjet e Superiores duhen gjykuar me 6 arbitra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2018 | 22:52

Përse ndeshjet e Superiores duhen gjykuar me 6 arbitra

YLLI AGA

Në tentativë për të minimizuar sa më shumë problematikat dhe ndikimin e arbitrave në rezultatin e një ndeshje dhe rrjedhimisht edhe të verdikteve finale, të gjithë organizmat drejtuese të futbollit në nivel botëror, kontinental apo në vende të veçanta kanë thirrur në apel teknologjinë.

ylli aga

Dhe të gjithë jemi dëshmitarë se si përdorimi i “VAR” dhe “Goal Line Technology”, pavarësisht problematikave anësore kanë rritur në një përqindje të konsiderueshme saktësinë e vendimeve të arbitrave dhe rrjedhimisht kanë përcjellë më tepër besim te protagonistët e lojës dhe veçanërisht te të gjithë ndjekësit. Ndërkohë në shumë vende, në mungesë të përdorimit të teknologjisë, (sepse kostot për të janë të konsiderueshme), në kompeticione të rëndësishme ndeshjet gjykohen me 6 arbitra.

Të gjithë janë dëshmitarë se në ndeshjet e gjykuara sipas këtij standardi, problematikat nuk kanë munguar, por në total, krahasuar me standardin me 4 arbitra kanë qenë më të pakta. Një gjë e tillë krejt e logjikshme, duke qenë se me 6 arbitra, fusha në tërësi, të gjithë protagonistët dhe secili aksion në veçanti është i monitoruar në një mënyrë më të detajuar në çdo moment. Në vendin tonë është i parakohshëm diskutimi përdorimin e “VAR” apo “Goal Line Technology”, duke nënkuptuar kostot e mëdha financiare, ndërkohë që prej disa sezonesh nuk po arrijmë të krijojmë një standard unik gjykimi për të gjitha ndeshjet në Kategorinë Superiore, duke qenë se në pjesën më të madhe vijojmë me 4 arbitra dhe në ndeshjet kryesore të javës me 6 arbitra.

Sigurisht edhe në këtë pikë, arbitrimi i të gjitha ndeshjeve me 6 arbitra, nuk është vendosur si një standard për shkak të kostove financiare. Por, ky justifikim meriton një llogari më të detajuar dhe më gjithëpërfshirëse në raport me kërkesën për të pasur një gjykim më të drejtë, më pak polemika dhe normalisht edhe rritje të vlerës së kompeticionit si produkt. FSHF shpenzoi 190.440.000 lekë (të vjetër) për pagesat e arbitrave të Kategorisë Superiore. 144 nga ndeshjet u gjykuan në mënyrën klasike me 4 arbitra, ku kryesori shpërblehet me 450.000 lekë (të vjetër), asistentët nga 220.000 lekë (të vjetër) dhe gjyqtari i katërt me 120.000 lekë (të vjetër).

377616_TS_21-04-18_1715714918_

Në total për një ndeshje paguhet 1.010.000 lekë (të vjetër) dhe kjo shumë shkon në 145.440.000 lekë (të vjetër). Ndërkohë që 36 ndeshje, praktikisht më të rëndësishmet e çdo jave janë gjykuar me nga 6 arbitra, duke bërë që kostoja për një ndeshje, për shkak të pagesës me nga 120.000 lekë (të vjetër) për secilin nga gjyqtarët në linjën e portës, shkon në 1.250.000 lekë (të vjetër) dhe për këtë grup ndeshjesh 45.000.000 lekë (të vjetër).

Nëse FSHF do të marrë vendimin që të gjitha ndeshjet të gjykohen me 6 arbitra, do të duhej një buxhet shtesë prej 34.560.000 lekë (të vjetër), që për momentin mund të jetë një problem. Por, në funksion për të arritur qëllimin kryesor për të pasur një standard gjykimi unik për të gjitha ndeshjet, FSHF në bashkëpunimin me shoqatën e arbitrave do të duhet të marrë në konsideratë një ulje minimale të shpërblimeve për secilën ndeshje, por që rrjedhimisht do të kompensohej në total me aktivizimin në më shumë ndeshje, krahasuar me ato që kanë ndodhur në të kaluarën.

Tabela e ndeshjeve të gjykuara një vit më parë është dëshmia më e qartë se si më shumë se gjysma e arbitrave të Kategorisë Superiore numërojnë shumë pak ndeshje të gjykuara në elitë. Nëse do të vendoset standardi me 6 arbitra në çdo ndeshje, shumica e grupit të 18 arbitrave kryesorë dhe atyre anësorë do të kenë mundësinë të aktivizohen pothuajse në çdo javë. Një gjë e tillë do t’i japë kuptim stërvitjes së tyre vjetore dhe mbi të gjitha duke qenë prezent si gjyqtar i linjës apo i katërt do të fitojë besimin e duhur për vlerat e tij profesionale dhe mbi të gjitha do të rrisë konkurrencën e munguar mes gjyqtarëve.

SAA9

Për këtë arsye do të mjaftonin që shpërblimet e arbitrave të zbrisnin në: kryesori nga 450.000 lekë (të vjetër) në 380.000, anësorët nga 220.000 lekë (të vjetër) në 190.000, arbitri i katërt nga 120.000 lekë (të vjetër) në 100.000 dhe arbitrat e linjës nga 120.000 lekë (të vjetër) në 100.000 do të bëhej e mundur që të vendosej si standard pagesa totale për një ndeshje për arbitrat të ishte 1.060.000 lekë të vjetër dhe në total për të gjithë kampionatin pothuajse e njëjta shumë që paguhet aktualisht, 190.800.000 lekë (të vjetër).

Dhe që arbitrat të mos ndihen të kërcënuar se po dalin të humbur, ndonëse pagesat e tyre janë nga më të lartat në rajon, bëjmë një llogari të thjeshtë. Arbitri me më shumë ndeshje sezonin e kaluar ka përfituar 21 x 383.000 lekë (të vjetër) neto = 8.040.000 lekë (të vjetër). Të njëjtën shumë do të mund ta përfitonte nëse do të bënte të njëjtin numër ndeshjesh si kryesor dhe minimalisht 12 ndeshje si gjyqtar i linjës. E njëjta llogari edhe për arbitrat anësorë, që pjesën e hequr do ta kompensonin duke qenë në disa ndeshje plus si gjyqtarë të katërt.

Por, në këtë llogari, ata që do të përfitonin më shumë do të jenë arbitrat me më pak ndeshje, të ardhurat e deritanishme të të cilëve janë minimale llogaritur për një vit të tërë. Të gjithë ata që kanë më pak se 10 ndeshje në një kampionat, do të kenë shansin të jenë prezent edhe minimalisht në 10 ndeshje të tjera me statusin e arbitrit të linjës, gjë e cila do të bënte që në llogarinë e tij të mund të përfitojë më shumë se aktualisht. Dhe më shumë se paratë, me siguri do të fitojnë eksperiencë, besim dhe nuhatjen aq të nevojshme në këtë sport. Sepse në fund të fundit edhe arbitrat janë si futbollistët, sa më shumë aktivizime, aq më shumë rritje profesionale.

Nëse vazhdojnë pafundësisht të qëndrojnë pa u aktivizuar, ashtu si futbollistët rezervë, do të zbehin vlerat e tyre. Në qoftë se dikujt në fundin e një sezoni do t’i mungojnë disa dhjetëra mijëra lekë, askush nuk do të duhet të shqetësohet, pasi mbi të gjitha duhet të vlejë produkti, imazhi dhe cilësia e tij. Një mënyrë e tillë për rishpërndarjen e shpërblimeve do të sillte përfitime për të gjithë, arbitrat do të jenë më prezent, do të kenë më tepër aktivizime dhe do të marrin në total në harkun e një sezoni të njëjtën shumë financiare. Klubet konkurruese do të ndjehen më të mbrojtura nga vendimet e arbitrave dhe mbi të gjitha besimi i publikut do të jetë më i lartë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"