Një renditje, si një faqe e historisë së Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2020 | 12:45

Një renditje, si një faqe e historisë së Shqipërisë

Nga YLLI AGA

ylli aga

Pritja mbaroi. 53 ditë nga starti i progra muar dhe 98 ditë nga fundi i kampionatit pararendës, do të marrë jetë edicioni i ri i kompeticionit më të rëndësishëm të sportit tonë.

Në kulmin e një pandemie mbarëbotërore, i rrethuar nga pasiguri të shumta, në epilog të një bojkoti, që shpresohet të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve të sportit dhe me pritshmëritë gjithnjë të larta. Do të startojë kampionati i ri, i 82-ti në radhë zyrtarisht.

Ndonëse për t’u përfshirë mbeten edhe tri edicionet e luajtura në fillimin e viteve ’40, të cilat, për fat të keq, nuk janë homologuar me të njëjtat argumente dhe justifikime si ato të përdorura gjatë periudhës së komunizmit, duke u mohuar të drejtën legjitime klubeve fituese të asaj periudhe, Tirana dhe Vllaznia, por mbi të gjitha të refuzojë të njohin kontributin, sakrificat dhe pasionin e qindra të rinjve dhe drejtuesve të asaj periudhe.

Temë më vete kjo, e rëndësishme dhe që meriton një qëndrim dinjitoz. Dhe për të rikthyer një të drejtë, gjithkush është i ftuar të reflektojë. Nëse doni të njihni historinë e Shqipërisë, një rrugë e lehtë, e bukur, intriguese është të ndjekësh ecurinë e kampionatit të futbollit, që në 90 vite jetë ka parë të zhvillohet në Monarki, nën pushtim, në komunizëm dhe tri dekadat e fundit në tranzicion demokratik.

Siç e konfirmon edhe renditja historike e të gjitha kampionateve, elita e futbollit tonë ka parë të përfshihen në të çdo komunitet të rëndësishëm, qytetet më të mëdha, por edhe realitete të reja, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre. Në çdo rast, nëse ndalemi dhe kthejmë kokën pas, do të gjejmë shumë elemente sinjifikative, klube të lavdishme, protagoniste absolute, yje të pashlyer në memorien e opinionit sportiv, që imponojnë krenari dhe shumë nostalgji.

Të gjitha së bashku bëjnë në vetvete, jo thjesht historinë e një gare sportive, por kur kujton se çfarë interesash përfaqësojnë kampionatet tona të futbollit, mund të konsiderohet një serial, i cili dëshmon pjesën më të bukur të këtij vendi. Në këtë tabelë të punuar me shumë kujdes, dallojmë realisht cilat janë klubet më të mira të gjithë historisë së futbollit tonë.

Do të gjesh Tiranën konstante dhe në shumicë fituese, Partizanin imponues, Vllazninë sfiduese, mund të ndiesh nostalgji për Dinamon, Teutën gjithmonë prezente dhe me numër ndeshjesh pothuajse të njëjtë me bardheblutë, Flamurtarin që ka marrë më pak se ç’i ka dhënë kampionatit, Skënderbeun themelues dhe bashkudhëtar në shumicën e kampionateve, por edhe klube që ua ndiejmë mungesën në elitë, si Elbasani, Besa, Lushnja, Luftëtari apo Tomori.

Do të gjejmë gjithashtu emra klubesh që tanimë nuk ekzistojnë apo janë si një foto e vjetër, ashtu edhe klube që së fundmi kanë ditur të rreshtohen mes më të mirëve, si Laçi apo Kukësi. Të gjithë së bashku, si pjesëza të një “puzzle”- i, që bashkëngjiten për t’i dhënë profilin dhe fytyrën e vërtetë jo thjesht futbollit, por gjithë historisë sonë.

renditja

Në start është edicioni i ri. Në garë 10 ekipe. 6 prej tyre me statusin e kampiones së Shqipërisë dhe bashkëngjitur me to edhe 4 rivalë, që duan të bëjnë historinë e tyre ose minimalisht ta përmirësojnë atë.

Të gjitha së bashku, në raport edhe më të gjitha zhvillimet e fundit, do të kenë një mision të përbashkët, ta bëjnë këtë kampionat më të ndjekurin dhe më emocionuesin.

E sigurt që nuk do të jetë kampionati të cilin do të donim të gjithë të ishte, por në fund të fundit është kampionati ynë, i njerëzve tanë, i atyre që shpenzojnë për pasionin e të gjithëve, i atyre që trajnojnë dhe duan ta rrisin cilësisht, i atyre që luajnë dhe duan të fitojnë vëmendje, të ecin në gjurmët e yjeve të mëparshëm, të shndërrohen në idhujt e rinj të mijëra fëmijëve dhe, pse jo, të arrijnë nëpërmjet kampionatit ekipin kombëtar apo një kontratë më fitimprurëse diku tjetër.

Është gjithashtu kampionati i tifozëve, që në këto kohë të vështira, do të provojnë gjithsesi të lënë shenjën e tyre si lojtari i 12-të i secilit ekip. Si dhe është pa dyshim edhe kampionati ynë, i gazetarëve dhe i të gjithë njerëzve të medias, që nga pozicioni i reporterit, komentatorit, analistit, moderatorit apo çdo roli tjetër ndihmës, do të na duhet ta ndjekim dhe përcjellim në çdo detaj me vërtetësi dhe profesionalizëm. Dhe sigurisht, pa asnjë drojë, me shumë dashuri sepse është kampionati ynë, pasuria jonë e përbashkët, historia jonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"