Një poster me Uzunin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2020 | 21:57

Një poster me Uzunin

Nga Ylli Aga

ylli aga

Suksesi i asaj mbrëmjeje në “Juventus Stadium” nuk ishte thjesht një ëndërr e realizuar nga një 25-vjeçar, si Myrto Uzuni, por një model për t’u ndjekur nga mijëra fëmijë të vendit tonë, që dëshirojnë të luajnë një ditë në sallonet e mëdha të futbollit europian. Sepse, një shembull si i Uzunit nuk është nga ata që e ndesh shpesh, të cilin mund ta kopjosh apo mund ta imitosh lehtësisht. Për t’u bërë si ai, duhet të sakrifikosh në kufijtë e vetëmohimit, të ndjekësh ëndrrën dhe pasionin për këtë sport në kushte që shumë nga yjet e tjerë në kontinent nuk do t’ia kishin dalë. Me shumë mundësi do të ishin dorëzuar nga stërvitja në fusha, që vetëm të tilla nuk mund të quhen, të stërvitur nga trajnerë më shumë pasionantë sesa profesionistë dhe në një ambient të rrethuar me dyshime dhe ndërhyrje nga jashtë. Uzuni ua doli të gjitha këtyre pengesave dhe goli, loja e supervlerësuar nga specialistë të nivelit Champions League, festa në versionin K.Ronaldo dhe në fund bluza e marrë nga idhulli i tij janë kurorëzimi i rrugëtimi të denjë për një film hollivudian. Për të gjithë ata që dëshirojnë ta shikojnë fëmijën e tyre në këto nivele, do të ishte e udhës të printonin një poster të Uzunit dhe t’ua vendosnin atyre në murin e dhomës. BETEJA

PËR TË FITUAR SA MË SHUMË TALENTE

Një trajner prej vitesh me moshat më tregonte për një incident që i kishte ndodhur në një nga seancat stërvitore: – Më goditi prindi i një fëmije, – e filloi tregimin. – Të goditi? Po pse? – pyeta aty për aty. – Djalin e tij 13-vjeçar e kam stërvitur prej gati 6 vitesh dhe pothuajse në të gjitha ekipet e kam pasur edhe kapiten të ekipeve të mia. Në një nga ndeshjet e fundit nuk e aktivizova dhe të njëjtën gjë bëra edhe në ndeshjen e radhës, por në momentin që po bëja nxehjen, më vjen babai i tij dhe më pyet: – Presor! Pse nuk luan djali im? Pa u menduar gjatë iu përgjigja me një sinqeritet të ekzagjeruar: – Po hë mor burrë, ça të bëj dhe unë se ju të gjithë doni që të luajë fëmija juaj. Ja shiko në fushë, njëri është çuni i prokurorit, njëri çuni i sponsorit, njëri i drejtorit! – Po ti, a e di ça e ka babin çuni im? – më pyeti. – Jo, – iu përgjigja pa u menduar gjatë. – Po e ka gangster, mor të… – ulëriti dhe më goditi. Aty m’u “fikën dritat” dhe nuk mbaj mend më gjatë. Një realitet i ngjashëm i futbollit të moshave është edhe ky. Shtuar edhe stërvitjet në një masë të madhe në fusha skandaloze ose në rastin më të mirë me bar artificial, por ku mund të praktikohen vetëm në gjysmën e saj, në orare që vijojnë nga mesdita deri në orët e vona të natës, shpesh pa ambiente të brendshme, me një kujdes të munguar mjekësor dhe jo rrallë edhe me trajnerë problematikë. Pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme të bëra në shumë elemente dhe një kujdesi të shtuar nga shuma klube apo sipërmarrës të rinj, sërish realiteti ynë është shumë larg standardeve që kërkohen apo janë vendosur në funksion të objektivit për të zgjeruar bazën e fëmijëve që merren me futboll, për t’i trajnuar me profesionistë dhe në kushte të mira e për të bërë një seleksionim sa më të mirë të çdonjërit prej tyre që mund të bëjë karrierë në këtë sport.

Uzuni

KUJDESI I SHTUAR PËR SEKTORIN E TË RINJVE

Në zhvillimet e ditëve të sotme në futboll, në planin politik, sportiv apo financiar, klubet tona janë vendosur para disa barrierave shumë të mëdha, prej të cilave e kanë të pamundur të rivalizojnë me elitën e kontinentit. Në një treg, pothuajse të liberalizuar, edhe kampionatet e shumë vendeve janë ndarë në klasa të ndryshme, të cilat janë të vështira për t’u kapërcyer. Konfirmuar me faktin se tanimë është e pamundur të shohësh klube përfaqësuese edhe të vendeve me goxha traditë si Ajaks, Sëlltik, Dinamo Kiev, Anderleht, Goteborg, Steaua, Crvena Zvezda apo Gallatasaraji të rivalizojnë me kundërshtarët e tyre anglezë, spanjollë, italianë, gjermanë apo francezë. Të detyruar në kushtet e krijuara, edhe politikat e klubeve tona duhet të jenë rrjedhimisht të fokusuara tek investimi për të krijuar akademi të mirëfillta sportive, afrimin e stafeve sa më profesionale sportive, përmirësimin e të gjitha kushteve ndihmëse, në mënyrë që në një vend si yni ku pothuajse gjysma e fëmijëve ëndërrojnë të bëhen futbollistë, të rekrutojnë sa më shumë prej tyre nëpërmjet një procesi të mirëfilltë skautimi, për t’i trajnuar në mënyrën e duhur dhe për të shpresuar se një ditë do të jenë të aftë të katapultohen në futbollin e madh, rrjedhimisht, duke përfituar minimalisht për edukimin e tyre sportiv apo nga shitja e kartonit të tyre. Në kushtet e sotme, pa neglizhuar pjesën sportive, investimi te sektori i të rinjve duhet të kthehet në prioritet për punën dhe strategjinë e klubeve tona. Rasti “Uzuni” me shumë mundësi do të shërbejë si frymëzim për shumë nga ata fëmijë që dëshirojnë të luajnë në nivele të larta dhe të ballafaqohen denjësisht me idhujt e tyre.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"