Një kampione si Kroacia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 20:38

Një kampione si Kroacia

YLLI AGA

ylli aga

Një vend shumë i afërt me Shqipërinë dhe shqiptarët si Kroacia është shumë pranë një arritjeje historike, fitimit të titullit Kampion i Botës. Dhe nëse nuk e realizohet “mrekullia e 8 e botës”, pak më shumë se 4 milionë kroatët do të duhet të ndihen maksimalisht krenarë dhe përjetësisht mirënjohës për përfaqësuesit e tyre dinjitoz në një kompeticon, që historinë e kanë bërë gjigantët e globit, në një edicion kur radha e pretendentëve ishte tejet e gjatë dhe vetëm më të guximshmit i kishin llogaritur edhe ata aty. Kroacia është shembulli i radhës se e pamundura nuk ekziston, se puna, sakrificat, mentaliteti dhe edukimi sportiv një ditë shpërblehen.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si para tyre janë rrëzuar skuadra dhe futbollistë yje, që mendoheshin superiorë, por që fusha tregoi krejt të kundërtën. Të gjithë këto tani janë fakte dhe mbi to mund të ndërtohet “reality show”, filma dhe legjenda që mund të mbeten të fiksuara në përjetësi. Por, në gjithë këtë histori, më tepër se për të renditur fakte apo për t’u rreshtuar në grupin e tifozëve për këtë kombëtare, pyetja e madhe që duhet të bëjmë të gjithë vjen në mënyrën më të natyrshme: “Si është e mundur që një vend shumë i ngjashëm me ne ka aftësinë të arrijë të tilla rezultate?!”

kroaciaa

Përgjigjet për këtë duhet të jenë të shumta dhe nga më të ndryshmet, por si kolona të rëndësishme duhet të numërojmë rolin që zë sporti në shoqërinë kroate, infrastruktura për ta aplikuar atë dhe edukimi sportiv. Për ta bërë më të prekshme për të gjithë, kujtojmë që Kroacia nuk është e njohur në botë vetëm për futbollin, por ka arritur të lërë gjurmë edhe në shumë sporte të tjera, ku veçohen hendbolli, basketbolli, uaterpool, volejbolli dhe tenisi. A mund të jenë të gjithë këto të rastësishme? Kurrsesi, jo! Kroatët janë nga vendet që kanë një nga përqindjet më të larta të njerëzve të të gjitha grupmoshave, por veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë që ushtrojnë sporte të ndryshme.

Dhe për ta bërë këtë, kanë në dispozicion fusha, palestra, pishina në çdo qytet, qytezë dhe fshatra të Kroacisë. Ndonëse është një vend, ku gjurmët e luftës për fitimin e pavarësisë çerekshekulli më parë nuk janë fshirë ende, terrenet sportive konsiderohen të shenjta dhe vetëm shtohen apo rikonstruktohen. Pra, krejt e kundërta me atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë pas vitit ’90, ku në qytetet kryesore pothuajse të gjitha terrenet sportive u zëvendësuan me ndërtime, ku të gjitha palestrat dhe pishinat u lanë në mëshirë të fatit dhe impiantet e reja numërohen me gishtat e njërës dorë dhe shpesh nuk plotësojnë kushtet më minimale për të ushtruar sporte të ndryshme.

Në Kroaci ka një kuadër ligjor shumë të përshtatshëm për ata që investojnë apo e mbështesin financiarisht sportin, krejt e kundërta me ata që e ushtrojnë, financojnë apo e mbështesin sportin në vendin tonë, pasi taksat për të janë më të larta, identike me ato të kompanive më fitimprurëse dhe nuk ka asnjë lehtësi për ata që duan të sponsorizojnë. Një tregues real i gjendjes së sportit tonë, krahasuar më atë çfarë ka qenë dekada më parë apo me vende si Kroacia e sotme, ishin Lojërat Mesdhetare ku arritja më e madhe ishte: “e rëndësishme është të marrësh pjesë”.

Në këtë moment, të gjithë ata që e kanë drejtuar këtë vend gjatë të gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht ata që janë aktualisht në drejtim duhet të ndihen të turpëruar që jo thjesht e kanë lënë sportin të degradojë në të tilla nivele, por mbi të gjitha nuk po arrijnë të ndërtojnë një strategji sesi duhet zhvilluar në të ardhmen. Sepse sporti nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht aktivitet i një grupi “spartanësh” (sepse të tillë duhet të konsiderohen pjesa më e madhe e atyre që merren me sport në vendin tonë), por një nga mënyrat më të mira për të edukuar fëmijët dhe të rinjtë e një vendi.

Kroacia e afërt dhe e ngjashme me Shqipërinë për sa u takon përmasave dhe numrit të popullsisë, në futboll, jo thjesht nisur nga rezultatet në Kupën e Botës, por në të gjitha sportet ngjan kaq e largët dhe e pakonkurrueshme. Dhe për fat të keq, për mënyrën si e kemi trajtuar sportin vitet e fundit, me kroatët nuk kemi humbur duelin në të tashmen, por nëse nuk ka një reagim të fortë, radikal dhe të shpejtë, kemi vrarë edhe shpresën për të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"