Luftëtari, një mrekulli shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2018 | 22:22

Luftëtari, një mrekulli shqiptare

YLLI AGA

ylli aga

Një vit më parë Luftëtari u konfirmua forca e katërt e kampionatit dhe një biletë europiane iu dogj vetëm pasi Tirana fitoi në finalen e Kupës së Shqipërisë. Për një skuadër që nuk ishte në radhën e parë të ekipeve më të mira, pas më shumë se tre dekadash, humbja e mundësisë për të luajtur në Europa Ligë dhe “djegia” e një buxheti gati 300 milionë lekësh do të shkaktonte pashmangshmërisht një traumë. Jo rastësisht vera e 2017-ës do të ishte me shumë peripeci. Trajneri Milinkoviç do të largohej nga drejtimi i skuadrës me shumë polemika, lëvizjet në merkato ngjanin shumë të sforcuara, ndërsa stafi i ri teknik ishte realisht një bast i rrezikshëm.

Prezantimi në javët e para krijuan opinionin se ajo çfarë ndodhi në kampionatin e kaluar i ngjante një “flake kashte” dhe se objektivi kryesor në këtë sezon do të ishte qëndrimi mes ekipeve më të mira. Por mes këtyre pasigurive erdhi ndërhyrja decizive e presidentit, që vendosi t’i jepte fund eksperimenteve me trajnerin dhe zv/trajnerin uruguaian dhe duke vendosur në komandë një ekspert si Hasan Lika. Nëse dikush e ka harruar, Luftë- tari pas javës së 6-të renditej në vendin e 9-të dhe në javët pasardhëse përballë Kukësit dhe Skënderbeut do të vinin edhe dy humbje të tjera, që do t’i jepnin ngjyra kritike të ardhmes së kësaj skuadre.

luftetari

Por pikërisht në këtë moment do të marrë jetë një nga historitë më të bukura të kampionateve tona, me gjirokastritët që do të “shtrëngojnë radhët”, duke u bërë më të përgjegjshëm në aspektin mbrojtës dhe do të shpalosin një profil impresionues në fazën sulmuese. Në katedër do të ngjiten tre muskëtierët Abazaj, Roca dhe Bregu që do të kthehen në makthin më të madhe të çdo kundërshtari. Në kampin e Partizanit do të dinë diçka më shumë për forcën e tyre, teksa të dielën e 17 dhjetorit do të regjistrohet një nga ngjarjet më të bujshme në historinë e kampionateve tona, e fiksuar nëpërmjet fitores 5-0 dhe mbi të gjitha golit të pashoq të Kristal Abazajt.

Atë ditë gjithkush duhet të jetë bindur se ai stadium është shumë i vogël dhe i shëmtuar për të mbajtur një bukuri të tillë, ndërsa inkursioni dehës i talentit Abazaj do të merrte krahë për të mbyllur fluturimin te gjigantët e Anderlehtit. Ajo ditë, ai sukses, do ta kthente Luftëtarin në një makinë sipas modelit “Formula 1”, që do të vijonte me parakalime të pabesueshme që nga e renditur e 9-ta do ta katapultonin në vendin e 3-të dhe nëse nuk vjen “fundi i botës”, me siguri gjirokastritët do t’i gëzohen këtij suksesi të merituar dhe për herë të parë në histori një vendi në Europa Ligë.

Atë që nuk e arritën vite më parë emrat më sugjestionues të futbollit të këtij qyteti, do ta bëjnë realitet këta djem që, pavarësisht se shumica prej tyre nuk e kanë të shënuar në pasaportë vendlindja Gjirokastër, me siguri tanimë meritojnë nga bashkia medaljen e qytetarit të nderit. Suksesi sportiv do ta bëjë këtë klub dhe stadiumin e tij një tjetër adresë të rëndësishme për t’u vizituar në qytetin e gurtë të njohur dhe të vlerësuar për shumëçka tjetër. Por, përtej suksesit që do të mbetet një nga shenjat më dalluese të historisë së kësaj skuadre, ka edhe një tjetër element për të cilin do të duhet të vlerësohen gjirokastritët, profili shumë familjar që është i qartë në sytë e të gjithëve.

Nëse kërkoni një element identifikues besoj janë të mjaftueshme lotët e Dejvi Bregut në momentin e zëvendësimit dhe më pas fjalët e zemrës në fundin e ndeshjes së fundit të fituar me Skënderbeun, që me siguri qytetin, klubin dhe ambientin e bëjnë të preferuar për shumë futbollistë të tjerë në të ardhmen. Por, më e rëndësishmja te kjo skuadër është fryma përbashkuese, shpirti i sakrificës te të gjithë futbollistët, që e kanë bërë Luftëtarin një nga skuadrat më të pëlqyera të futbollit tonë. Luftëtari, forcë e tretë e futbollit tonë, ishte një nga surprizat më të bukura të këtij kampionati dhe pas asaj që ndodhi sezonin e kaluar ky pozicion nuk mund të jetë vetëm një hap përpara, por edhe një stacion për të nisur diçka shumë më të rëndësishme.

Sigurisht që një gjë e tillë në një vend ku rivaliteti është maksimal nuk do të jetë aspak e lehtë, por drejtuesit e Luftëtarit do të duhet të nxjerrin nga sirtarët planet më ambicioze për të, që do duhet të fillojnë me konfirmimin e pjesës më të madhe të skuadrës aktuale, besimin për trajnerin Lika, përforcime cilësore dhe për të vijuar më në fund me projektin e rikonstruksionit të stadiumit të ri dhe një punë më profesionale me ekipet e moshave. Vetëm në këtë mënyrë konkurrimi në Europë nuk do të jetë thjesht “ëndërr e një nate vere”, por fillimi i një epoke të re dhe krijimin e një “poli” të ri futbollistik në vendin tonë.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"