Kur dështon në menaxhimin e krizave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2018 | 22:39

Kur dështon në menaxhimin e krizave

YLLI AGA

ylli aga

Ishte e qartë, qysh në startin e këtij kampionati, që barazia e vlerave ishte tipari më dallues i tij. Skënderbeu dominues i një viti më parë mungonte në apel për shkak të disa largimeve të rëndësishme dhe një merkatoje jo në stilin, me të cilin ishim mësuar të gjithë. Zbritjen nga ky standard nuk mundën ta shfrytëzonin rivalët e tij, të cilët u limituan në lëvizjet e tyre kryesisht në emra të rinj ose jo imponues për futbollin.

gega trashi

Në këtë realitet, për të gjithë protagonistët, emëruesi i përbashkët i çdo deklarate ishte, që në këtë kampionat mund të fitosh në çdo ndeshje, ashtu sikundër edhe mund të humbasësh. Statistikat e 10 javëve të para janë një tregues i këtyre pritshmërive dhe mbi të gjitha fitoret me rezultatet minimale apo ndeshjet e vendosura në pjesën më të madhe nga episodet.

Në këtë duel nervash, disa klube nuk kanë mundur t’i administrojnë në mënyrën më të mirë minikrizat e tyre, konfirmuar me pezullimet e disa prej futbollistëve. Por, jo rastësisht janë pikërisht këto klube, të cilat po paguajnë me kostot e rezultateve dhe pozicionet në tabelën e renditjes. Tirana mosmarrëveshjet me Ngoo i mbylli me një pezullim, Kamza shënjestroi pesë futbollistë si shkak për humbjet, duke i pezulluar dhe më pas rehabilituar.

Thuajse e njëjta problematikë edhe te Kastrioti, që pozicionin në vendin e fundit në renditje kërkon t’ia faturojë jo inferioritetit sportiv krahasuar me rivalët, por disa emrave të përveçëm. Për të kulmuar me çështjen Trashi te Partizani. Në fund, në mënyrë të logjikshme, faturën për rezultatet negative e paguajnë klubet, duke vënë në rrezik objektivat sezonalë.

Duke mos dashur të mbajmë anën e secilit futbollist, ndoshta në këtë moment kërkohet një reflektim nga ana e drejtuesve të klubeve, duke i detajuar marrëdhëniet me lojtarët nëpërmjet një kontrate dhe një rregulloreje ku të jenë të përcaktuara të drejtat dhe detyrimet e palëve. Një element i rëndësishëm në këtë marrëdhënie do të duhet të jetë specifikimi që gabimet e futbollistëve shlyen me gjoba të majme financiare dhe duke mbetur në dispozicion të klubit.

Në këtë mënyrë futbollistët e kanë të qartë se rrezikojnë të ndëshkohen rreptë në elementin më të rëndësishëm për ta, por edhe klubi vijon të bëjë llogaritë me të gjithë grupin e lojtarëve që ka në dispozicion nga fillimi i sezonit. Sepse në një kampionat si i këtij viti rrezikon të dështosh në përmbushjen e objektivave edhe nëse i bën të gjitha gjërat mirë dhe me të gjithë futbollistët në dispozicion, jo më kur shfaqen të tilla probleme me lojtarë kapriçozë apo vlerësim jo të drejtë të situatave. Mund të jetë pak, por e sigurt, administrimi i krizave në këtë kampionat shumë të rivalizuar mund të bëjë diferencën në verdiktet finale të tij.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"