Kualifikueset e “Katar 2022”, një trampolinë për finalet e “Euro 2024”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2021 | 21:58

Kualifikueset e “Katar 2022”, një trampolinë për finalet e “Euro 2024”

Kombëtarja e Shqipërisë ka luajtur edicionin e dytë më të mirë në historinë e eliminatoreve europiane dhe botërore. Kjo, pasi është e sigurt që pjesëmarrja, rezultatet dhe kualifikimi për në “Euro 2016”, do të mbeten të pakonkurrueshëm, me urimin edhe për pak kohë.

Gjithkush, me siguri, ka krijuar pritshmëri maksimale në momentin e hedhjes se shortit, se ky mund të ishte edicioni i duhur për të tentuar një rekord pikësh, duke marrë në konsideratë përballjet me modestët e Andorrës dhe më të dobëtit e kontinentit San Marinon.

ylli aga

Por, me të njëjtën siguri, dilemat mund të jenë shtuar në ditët e “Euro 2020”, kur u bëmë dëshmitarë se Anglia është një kundërshtar i një niveli tjetër, Polonia është e vështirë për ta konkurruar, ndërsa surpriza më e madhe ishin ndeshjet e Hungarisë kundër Francës, Gjermanisë dhe Portugalisë. Me këto profile, rreziku që ta mbyllnim këtë edicion vetëm me pikët e dy kundërshtarëve më të dobët ishte një kërcënim i prekshëm.

Këto dyshime, të vendosura në peshore me verdiktet e fushës janë konfirmimi më i mirë i një punë të madhe të të gjithë grupit të futbollistëve dhe stafit teknik për të arritur një rezultat, që është shumë pranë kufirit më ideal. Për shumëkënd, gabimi i vetëm në këto eliminatore mbetet humbja në shtëpi me Poloninë. Pa hamendësuar se çdo mund të ndodhte në ndeshjet e fundit Poloni-Hungari, një barazim në atë mbrëmje në “Air Albania” kundër Levandovski & CO, do ta bënte këtë fushatë eleminatore ideale.

Një keqardhje shkon gjithashtu edhe për lehtësinë me të cilën i pësuam golat në humbjen 4- 1 në Poloni. Ndërsa humbja poshtëruese 5-0 në “Uembli”, përtej të gjitha episodeve të ndeshjes në disfavor, mund të jetë edhe një akuzë për trajnerin, që minimalisht nuk zgjodhi ta rreshtonte skuadrën me skemën 5-4- 1, siç bëri edhe në ndeshjen në Tiranë, në të cilën u mundëm 0-2.

Për sa i takon kryerjes së “detyrave të shtëpisë” me 4 fitoret ndaj të vegjëlve të grupit, gjithkush ka dëshiruar të shohë të njëjtën lojë dhe të njëjtin rezultat, si pjesën e dytë me San Marinon në “Elbasan Arena”. Ndërkohë, një vlerësim pozitiv për këtë edicion kualifikues meriton të shkojë edhe për punën e madhe të bërë për riseleksionimin e grupit të futbollistëve. Siç konfirmohet edhe në tabelën e plotë për të gjithë futbollistët e aktivizuar apo që kanë pasur qoftë edhe me statusin e një grumbullimi të vetëm.

Mes mundësisë së dhënë për secilin, nga 38 futbollistët e thirrur për 10 ndeshjet zyrtare, dyshime mund të ketë vetëm për Florian Kamberin, të cilit nuk iu dha mundësia për të debutuar me ngjyrat kuqezi. E sigurt është se tanimë kemi nisur një cikël të ri. Larg profilit dhe skuadrës me të cilën bëmë histori në “Euro 2016”.

Nga ajo skuadër, tanimë janë vetëm 10 futbollistë, Berisha, Hysaj, Lenjani, Veseli, Ajeti, Roshi, Memushaj, Abrashi, Cikalleshi dhe Balaj, që morën një ftesë për të qenë sërish pjesë e kuqezinjve, një numër që me shumë mundësi do të minimizohet akoma më shumë në sprovat e reja që i presin kuqezinjtë, duke filluar nga pranvera e ardhshme. Tanimë në sytë e të gjithëve kemi në dispozicion futbollistë me potencial dhe me pritshmëri të larta për të na udhëhequr në suksese të reja, ku në mënyrë të padiskutueshme veçohen Broja dhe Kumbulla, me shpresën që t’i bashkohen edhe shumë të tjerë.

Prova e radhës do të jenë kualifikueset në “Nations League” dhe ato për “Euro 2024”, të dyja me të njëjtin objektiv për të qenë pjesëmarrës në Europianin që do të luhet në Gjermani.

Shpresat janë shumë më të mëdha, duke pasur si bazë pikërisht rezultatet dhe moshën mesatare të futbollistëve tanë më të mirë, si edhe mundësitë më të mëdha, pasi biletat në dispozicion për t’u kualifikuar do të jenë 23 dhe jo 13 si në kualifikueset e Kupës së botës që lamë pas.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"