Kualifikimet e 4 klubeve, kartolina më e bukur e 2020-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2020 | 19:45

Kualifikimet e 4 klubeve, kartolina më e bukur e 2020-ës

YLLI AGA 

ylli aga

Konkurrimi i klubeve tona në garat europiane nuk ka qenë një element me të cilin mund të krenoheshim. Historia e pjesëmarrjeve na tregon se ato janë të pakta, sporadike dhe konfirmimi se diferencat me pjesën tjetër të kontinentit kanë qenë të parikuperueshme. Me përjashtim të Skënderbeut 2015 dhe 2017, si dhe Kukësit në disa edicione, pjesa tjetër nuk arriti të imponohej me vlerat dhe potencialin e tyre.

Në këtë këndvështrim, kalimi i turit të parë nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse është jo vetëm sukses, por pika më kulmore që ka fiksuar futbolli ynë në Kupat e Europës. Nisur gjithashtu nga lojërat dinjitoze të zhvilluara, ka një besim të shtuar se këto rezultate mund të jenë një bazë e rëndësishme për të ndërtuar projekte sportive afatgjata dhe të mirëmenduara, në mënyrë që gjithçka ndodhi të mos rezultojë thjesht ëndërr e një nate vere.

HISTORIA E KLUBEVE TONA NË EUROPË
Në gati 6 dekada konkurrim në garat europiane, futbolli ynë është përfaqësuar nga 16 klube të ndryshme. 10 prej tyre kanë arritur të lënë gjurmë me disa kualifikime, ku veçojmë Flamurtarin, Kukësin dhe Skënderbeun, të cilat kanë kaluar ture radhazi edhe në të njëjtin sezon, ku sigurisht arritja e korçarëve në dy edicione në fazën e grupeve përbën arritjen më të madhe sportive për një klub shqiptar. Ndërkohë, sa u takon kualifikimeve më të shumta, siç mund t’i konfirmoni edhe nëpërmjet tabelave përkatëse, vendi i parë është për Tiranën me 12, i ndjekur nga Kukësi 8, Skënderbeu dhe Vllaznia me nga 7, Partizani dhe Flamurtari me nga 4, Dinamo, Besa, Teuta dhe Laçi nga 3. Ndërsa 6 klube të tjera: Elbasani, Albpetroli, Apolonia, Bylisi, Tomori dhe Luftëtari nuk kanë mundur të kalojnë asnjë tur.

kronologjia

kronologjia 2

kronologjia 3

SUKSESI SPORTIV, I PASUAR NGA AI FINANCIAR

Kualifikimi i të 4 klubeve në turin e parë të Kupave të Europës do të pasohet edhe me një përfitim të konsiderueshëm financiar. 2.7 mln euro është shuma që UEFA do të derdhë në arkat e klubeve tona dhe më konkretisht 1.2 mln euro për kampionët e Tiranës dhe respektivisht nga 500 mijë euro për Kukësin, Teutën dhe Laçin. Më dëshirën që suksesi i klubeve tona të vijojë edhe në turin tjetër, nënvizojmë se këto të ardhura janë një zë i rëndësishëm në bilancin financiar të secilës prej tyre në prag të sezonit të ri dhe një nxitje për të tentuar të tjera rezultate pozitive.

Në kushtet ku mbështetja shtetërore për klubet mbetet minimale, ku ngarkesat fiskale janë tepër të larta dhe kuadri ligjor penalizues për këtë aktivitet, suksesi sportiv mbetet burimi kryesor për përballimin e shpenzimeve të domosdoshme, që futbolli ynë të jetë konkurrues në arenë ndërkombëtare. Këto paraqitje dhe përfitimet prej tyre, me shumë mundësi, do të jenë një nxitje më e madhe për të tentuar gjithashtu të ardhura nga shitja e pronësisë së futbollistëve dhe në kushte normale rritjeje nga të ardhura të tjera si sponsorizimet, e drejta televizive, nga shitja e biletave dhe abonimeve dhe të drejtave të imazhit.
superiore

IMAZHI I KAMPIONATIT, NË PIKËN MË TË LARTË

Prej vitesh gara e kampionatit tonë është rrethuar me dyshime. Në jo pak raste me të drejtë, por në shumicë absolute “balta” ka qenë krejtësisht e pamerituar. Kjo, sepse për këtë kompeticion shpenzohen shumë para në raport me mundësitë që të ofron ky vend, bëhet një punë e mirë profesionale në shumicë nga trajnerët e shkollës shqiptare, (Egbo, Gega, Cungu dhe Martini së fundmi), tregohet një kujdes gjithnjë e më i madh për të promovuar futbollistë, që jo vetëm t’i ndihmojnë sportivisht, por edhe të përfitojnë financiarisht nga transferimet e tyre.

E sigurt që me një politikë më të mirë, me ligje më favorizuese për këtë aktivitet, shumëçka mund të përmirësohet dhe investimet do të zhvendosen në të gjitha elementet përbërëse të një klubi dhe si rrjedhojë kalimi i turit të parë nuk do të përjetohet si diçka historike, por thjesht si një detyrë shtëpie. Në pritje të këtij ndryshimi, ajo që vlen të veçohet është besimi i shtuar për klubet tona dhe imazhi i tyre që prek pikën më të lartë, konfirmuar me “Fair Play” në distancë mes tyre dhe përgëzimet e shumta të ardhura nga të gjitha drejtimet, si një ogur i mirë në vigjilje të sezonit të ri futbollistik, pritshmëritë për të cilin tanimë janë më të larta se asnjëherë më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"