Kombëtarja e Edi Rejës, në tranzicion pozitiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2020 | 14:29

Kombëtarja e Edi Rejës, në tranzicion pozitiv

Nga YLLI AGA

ylli aga

Ngritja e stekës në nivelin e një final isti të një eventi madhor si Kampionati Europian do ta bënte të vështirë karrierën e çdonjërit që do të pasonte De Biazin në stolin kuqezi. Kjo pasi faktorët përbashkues që bënë të mundur atë sukses historik do të jenë mjaft të vështirë për t’u përsëritur, duke filluar nga më kryesorja krijimi i përfaqësueses së Kosovës dhe rrjedhimisht limitimin e zgjedhjeve cilësore për ekipin Kombëtar. Deklarata e fundit e kapitenit Etrit Berisha se një kombëtare e përbashkët Shqipëri-Kosovë nuk do të kishte frikë asnjë kundërshtar në kontinent, përtej patriotizmit dhe sinqeritetit, ka dhe baza të forta sportive. Me shpresën se koha dhe realitetet e reja politike do të mund t’i japin zgjidhje këtij realiteti paradoksal, rrugëtimi i kuqezinjve krejt natyrshëm ishte i pritshëm që të përballej me vështirësi dhe pengesa të shumta. Ndër to edhe aksidentale, siç ishte periudha nën drejtimin e Panuçit, që më shumë se për rezultatet zhgënjyese do të mbahet mend për arrogancën dhe kaosin sportiv që krijoi. Në atë situatë, mbërritja e një eksperti si Reja injektonte besim dhe pritshmëri të larta. Tanimë, pas afro 19 muajsh në drejtim është koha ideale për të analizuar ecurinë e tij.

Edi Reja me statistikat në favor

Trajneri i kuqezinjve mund të ketë si aleatin më të fortë, fatin, që në 15 ndeshjet që ka drejtuar, 10 prej tyre janë luajtur përballë kundërshtarëve më të dobët në letër. Konfirmuar më së paku nga renditja e përditësuar çdo muaj nga FIFA. Dhe një fakt i tillë e bën shumë të favorizuar në raport me paraardhësit e tij, të cilët në kualifikueset europiane dhe botërore janë përballur me kundërshtarë më të fortë. Megjithatë, numrat mbeten numra. Dhe ato na tregojnë se 15 ndeshje në drejtim, kuqezinjtë me Rejën në stol numërojnë 7 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje. Madje në favor ka edhe golavarazhin 23-17. Me këtë numër ndeshjesh, me shumë mundësi edhe për arsyen e përmendur më lart, asnjë trajner tjetër i mëparshëm në drejtimin e kuqezinjve nuk ka patur një statistikë më të mirë. Tanimë, janë vetëm tre trajnerë të cilët kanë provuar shijen e më shumë fitoreve në drejtimin e ekipit tonë Kombëtar; Kuzhe 8 fitore në 24 ndeshje, Brigel 10 fitore në 31 ndeshje dhe rekordi me De Biazin 21 fitore në 54 ndeshje. Por më shumë se sa numrat, rezultatet shkojnë në favor të trajnerit aktual më së shumti me përmbushjen e një objektivi të parë, siç ishte kryesimi i grupit kualifikues në Nations League, duke i ngjitur kuqezinjtë një kategori më lartë. E sigurt që në Ligën B vështirësitë do të jenë shumë herë më të mëdha dhe mundësia për të siguruar një biletë për “EURO 2024”, më të pakta, por në planin sportiv, të imazhit dhe pritshmërive të opinionit sportiv konkurrimi në këtë kategori do të jetë sfidë e mirëpritur, intriguese dhe pse jo edhe shteruese për të kuptuar nivelin real të skuadrës sonë.

reja grupi

Eksperimente pa fund dhe fiksimi për skemën 3-5-2

Në një nga prononcimet e fundit, një nga trajnerët më të spikatur të botës së futbollit, Marselo Bielsa për të relativizuar diskutimet për skemën taktike të skuadrës shpjegonte me fjalë të thjeshta se:

“Në një ndeshje të vetme, mund të fotografohen deri në 100 vendosje të ndryshme taktike në varësi të situatave të ndryshme të lojës. Në këtë kuptim më shumë se skema e deklaruar merr rëndësi interpretimi i çdo situate nga lojtarët në të dyja fazat e lojës, asaj sulmuese dhe mbrojtëse”.

Gjykuar nga ky këndvështrim, trajneri i kuqezinjve mund të jetë i justifikuar në zgjedhjet dhe fiksimin e tij. Megjithatë, marrë në konsideratë të gjitha zgjedhjet e bëra prej tij, të treguara në detaje nga tabela bashkëngjitur nuk mundet të mos evidentojmë disa numra që krijojnë mospërputhje. E para që bie lehtësisht në sy është numri i lartë i futbollistëve të thirrur në apel për të kontribuar për ekipin tonë kombëtar. Plot 48, nga të cilët 41 prej tyre kanë marrë minuta për t’u aktivizuar, që mund të konsiderohet i fryrë për një vend të vogël si yni, krahasuar edhe me numrat e futbollistëve të aktivizuar apo provuar edhe nga gjigantët e futbollit europian. Gjithashtu, një numër kaq i lartë futbollistësh, mund të krijojë probleme për të krijuar një harmoni të grupit dhe kiminë e duhur mes lojtarëve. Por nëse kjo periudhë 19 mujore në drejtimin e Rejës, ka qenë eksperimentale në funksion të një objektivi më madhor, për t’u dhënë shansin sa më shumë futbollistëve, për të mbërritur te një listë më e shkurtuar në kualifikueset e radhës mund të jetë e justifikuar.

Ndërkohë që për sa i takon debateve dhe dyshimeve për skemën 3-5-2, emrat e futbollistëve që kemi në dispozicion dhe sërish numrat në tabelën shoqëruese na tregojnë se zgjedhje tjetër taktike mund të ishte më optimale, ku një pikë kompromisi mes fiksimit të trajnerit dhe analizave të shumë specialistëve mund të ishte 3-4-3. Nëse ka një shumicë që bien në emërues të përbashkët me mbrojtjen me tre, për shkak të shumë alternative cilësore për këtë zgjedhje, një propozim për të ndryshuar është në vijën e sulmit ku veçanërisht nga krahët alternativat janë cilësore. Për ta përforcuar këtë ide mjafton të marrim në konsideratë vlerat sportive dhe statistikat e të paktën dy futbollistëve Roshi dhe Uzuni, që mund të shërbenin perfekt në këtë skemë. Roshi në vetëm ‘357 minuta aktivizim është i përfshirë direkt në 7 gola të shënuar, një me firmën e tij dhe gjashtë asist. Ndërkohë në krahun tjetër, Uzuni në ‘352 minuta ka kontribut në 3 gola, një me firmën e tij dhe dy asiste. Në çdo rast do të jetë trajneri që do të vendosë. Mbi të gjitha, nëse ka edhe rezultatet në favor, por Kombëtarja që të gjithë njohim dhe duam, për pritshmëritë që e rrethojnë meriton marrjen e maksimumit të vlerave të futbollistëve të saj kandidatë. Me shpresën për të filluar nga ndeshja dhe kompeticioni i radhës.

TABELA

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"