Klubet betejë për licencim, jo për kategori qyl

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 20:21

Klubet betejë për licencim, jo për kategori qyl

YLLI AGA

ylli aga

Diskutimeve, propozimeve dhe zgjidhjeve me të mira për strukturën e kampionateve tona, “Panorama Sport” zgjodhi t’u japë zë nëpërmjet prononcimeve të vetë protagonistëve të kësaj loje. Në fakt, e mira do të ishte që të gjithë ata që u shprehën për gazetën, do të duhej të bënin një gjë të tillë në një nga asambletë e organizuara nga FSHF, sepse aty nuk është vetëm vendi për të folur, por edhe për të adresuar propozimet e tyre. Gjithsesi, e rëndësishme është se po krijohet një traditë për të debatuar për çështje të rëndësishme të funksionimit dhe rritjes së cilësisë të futbollit tonë. Kundërshtitë e sondazhit Duke ndjekur deri në detaje prononcimet e përfaqësuesve të klubeve, që kërkonin shtimin e ekipeve në Superiore, konstatohet lehtësisht se nuk ka një rrjedhë logjike propozimi i tyre.

partizani skenderbeu

Dhe më konkretisht, ata të cilët kritikojnë më shumti cilësinë e garës në elitën e futbollit tonë, kërkojnë në mënyrë paradoksale shtimin e ekipeve me 4 apo me 6 skuadra më shumë. Në një vend ku kushtet për të aplikuar një futboll profesionist janë minimale, si mund të pretendosh rritje të cilësisë duke pasur në elitë më tepër konkurrentë në garë?! Një tjetër handikap është se shumica e atyre që kanë propozuar shtimin e skuadrave në Superiore, janë përfaqësues të klubeve, të cilat janë në pronësi të bashkive. Do të ishte e udhës që këta përfaqësues të mendonin, propozonin dhe ushtronin të gjitha fuqitë e tyre për të ndryshuar realitetin e tyre lokal nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, afrimin e sa më shumë të rinjve për t’u marrë me këtë sport, organizimin e kampionateve të shkollave apo njësive të tyre administrative, motivimin e bizneseve për të financuar këto aktivitete apo për t’i bërë aksionarë të klubit. Vetëm duke ndërtuar një model të tillë, duke edukuar rininë dhe duke i dhënë të gjithë komunitetit një identitet të qartë sportiv, mund të fitohet konkurrenca me klubet e tjera dhe të meritohet një vend në elitën e futbollit tonë.

Dhe nëse një e gjë e tillë nuk arrihet, të paktën secila bashki do të identifikohet me një panoramë futbollistike shumë më të zgjeruar dhe rrjedhimisht më premtuese. Për të kundërshtuar fiksimin e secilit klub që kërkon të luajë në elitë është rasti të kujtojmë se sot në kontinent një në 10 persona luan futboll dhe numërohen më shumë se 10 000 klube, por për shumicën ngjitja në elitë vjen pas një rrugëtimi të stërmundshëm dhe shpenzimi marramendës financiar. Të ishte thjesht dhe vetëm për dëshirë, të gjithë do të donin të luanin çdo fundjavë kundër Realit të Ronaldos, Barcelonës së Mesit, Mançesterëve, Bajernit apo gjigantëve të Serisë A…

KAMPIONATI SI VLERË FINANCIARE

Kampionati ynë i futbollit ka sot një vlerë financiare, e cila vjen si rrjedhojë e shpërblimeve nga FSHF, përfitimet nga kompeticionet europiane, nga e drejta TV, nga portofoli i reklamave, shitjes së biletave apo transferimeve të futbollistëve. Shuma e përgjithshme e saj pjesëtohet aktualisht në bazë të rezultateve nga 10 klube. Pyetja që shtrohet në këto momente, a do të lejonin këto klube që të shtoheshin anëtarët e kësaj praktikisht shoqërie aksionare?! A do të lejonin këto të ulnin standardin e cilë- sisë dhe rrjedhimisht edhe përfitimeve financiare?! E sigurt që jo. Shumica e klubeve që luajnë në Superiore janë të bindur tanimë se është shumë herë më mirë katër ndeshje në një sezon mes tyre, që rrisin në maksimum interesin e opinionit sportiv dhe përfitimeve financiare, sesa të përballeshin me klube që janë shumë larg nivelit të tyre.

PROBLEMI ËSHTË KATEGORIA E PARË

Një tjetër detaj në sondazhin e “Panorama Sport” ishte se në një përqindje maksimale, rritjen e numrit të ekipeve në Kategorinë Superiore e kërkojnë përfaqësuesit e klubeve të kategorisë inferiore. Propozimet e tyre nënkuptojnë ta kërkosh suksesin pa asnjë meritë, sepse ndarja e ekipeve në kategori të ndryshme është në vetvete gara më e rëndësishme që zhvillohet sot në çdo vend të globit dhe në çdo sektor të jetës. Dhe në këtë betejë, gjithkush dhe kudo, i nënshtrohet një garë sfilitëse për t’u ngjitur në elitë. Në këtë kuptim, beteja e çdo klubi është dhe duhet të jetë puna dhe krijimi i një “brand”- i për përfaqësues për çdo komunitet respektiv në sinkron me standardet më të mira.

Në këtë moment, betejë e drejtuesve të këtyre klubeve është sjellja në normalitet e formulës skandaloze në Kategorinë e Parë. Nëse edhe aty do të kemi një garë me vetëm 10 ekipe me katër faza, apo maksimalisht me 12 me tre faza, ku e para ngjitet në Superiore dhe ekipet nga vendi i 2-të deri tek i 5- ti bëjnë “play-off” si në kategorinë Championship në Angli, atëherë do të kishim të garantuar cilësinë e futbollit tonë. Dhe këtë betejë duhet ta bëjnë klubet më të mira, të traditës dhe që janë shumë pranë procesit të licencimit. Ndërsa të gjitha klubet e tjera mund të vendosen në garë nëpërmjet Kategorive Rajonale.

PRIORITET VIJON TË MBETET LICENCIMI

Në një pjesë të madhe të kampionateve në elitë, lëvizjet nga një kategori në tjetrën bëhen jo gjithmonë në bazë të meritës sportive, por të licencës që ka secili klub. Një proces i tillë në vendin tonë ka filluar në vitin 2002 dhe mbetet dështimi më i madh i FSHF-së, pasi ende aktualisht sigurimi i një licence për secilin klub mbetet një vullnet i munguar. Prioriteti i çdo klubi duhet të jetë plotë- simi i të gjitha kritereve të këtij procesi, pikë së pari për investitorët dhe titullarët e tyre, përmirë- simi i infrastrukturës, dhënia e mundësisë për të formuar sa më shumë futbollistë, afrimi i stafeve profesioniste dhe garantimi i financave. Nëse dikush e ka harruar, çdo klub i yni, para se të konkurrojë në Kupat e Europës, duhet të sigurojë licencën e nevojshme.

Do të ishte e udhës që e njëjta licencë të bëhej kusht edhe për pjesëmarrjen në Kategorinë Superiore. Klube që aktualisht janë totalisht në ajër as që duhet të mendojnë për t’u ngjitur në kategori “qyl”, por duhet të punojnë fort për t’u licencuar, që nënkupton barazinë me klubet e tjera. Sa më shumë klube të licencuara, garantojnë standard, cilësi dhe më shumë përfitime financiare. Dhe eksperienca e viteve të fundit ka vërtetuar katërçipërisht se një garë me 10 ekipe në Superiore është më e mira për vendin tonë. Çdo ndryshim i diktuar nga një frymë populizmi apo nostalgjie do të ishte një goditje e rëndë për të tashmen dhe të ardhmen e futbollit tonë.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"