Kampionati i verdikteve të merituara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 14, 2020 | 18:49


Kampionati i verdikteve të merituara

YLLI AGA

ylli aga

Nuk ka pasur një kampionat të dytë në historinë e pas viteve ’90, ku në përfundim të një gare, pothuajse shumica e skuadrave pjesëmarrëse të kenë marrë pikërisht atë që kanë merituar. Treguesi më i qartë është tabela që na dëshmon trajektoren e ekipeve në renditjen e kampionatit.

Më sinjifikativët janë rivalët më të mëdhenj për titullin: Tirana dhe Kukësi. Bardheblutë merituan të shpalleshin kampionë se u renditën të parët në 18 nga 36 javët e kampionatit, ndërkohë që kuksianët e panë veten në krye në 9 nga 36 javët e luajtura. Në javët e mbetura, gara u kryesua nga Partizani në 6 javë, Bylis në 2 javë dhe Teuta që kryesoi vetëm në përfundim të javës së 8-të. E njëjta logjikë edhe për vendin e dytë, në të cilin Kukësi duket se ka pronësuar një abone.

Në 8 sezone që verilindorët konkurrojnë në elitën e futbollit tonë, kjo ishte hera e 6- të që vendi i dytë është i zënë nga ata. Edhe në këtë edicion të fundit, në mënyrë të merituar, sepse kanë qëndruar në atë pozicion në 18 nga 36 javët e kampionatit, shumë më shumë se çdo skuadër tjetër. Kjo sa i takon një këndvështrimi të vetëm, pasi nëse marrim në analizë verdiktet kryesore të këtij edicioni, mund të rendisim arsye të pafundme.

tIRANA

Ku ndër më kryesoret me shumë mundësi qëndron planifikimi dhe ndërtimi i një projekti të mirë sportiv nga bardheblutë, ngritur mbi kolona të rëndësishme si ruajtja e grupit më të mirë të futbollistëve të sezoneve të fundit, blerja e futbollistëve nga më cilësorët e kampionatit, si dhe dhënia e besimit dhe hapësira për disa nga prurjet më të mira nga ekipet e moshave. Ndërkohë që mbetet për t’u vlerësuar ringritja e shpejtë pas secilit prej rrëzimeve në ecurinë e kampionatit.

Ndërsa rivalët e tyre nuk u treguan të përmbajtur dhe efektivë pas secilës prej problematikave të krijuara në momentet më delikate të sezonit. Kukësi, pavarësisht krijimit të një grupi shumë cilësor, vuajti sërish mungesën e luajtjes në shtëpi, si dhe u penalizua si pakkush nga episode në disa ndeshje radhazi duke pësuar gola në minutat e fundit. Gjithashtu, edhe Partizani nuk i respektoi pritshmëritë, ndonëse luajti me statusin e kampiones në fuqi, shpenzoi pa fund në periudhën e merkatos, por pa arritur të krijojë kompaktësinë e një skuadre për të synuar sërish trofeun më të lakmuar.

Ndërsa humbjet në derbi patën një efekt shumë më të fortë sesa lënia e vetëm 6 pikëve. Për t’u vlerësuar janë konfirmimet e Laçit dhe Teutës, të cilat ndonëse patën luhatje të forta gjatë ecurisë së kampionatit, ditën të administronin potencialin e tyre dhe të meritonin biletat për pjesëmarrjen në Europa Ligë. Një vlerësim shkon gjithashtu për Skënderbeun, që ndonëse përballë një “mali”, siç mund të konsiderohet penalizimi nga UEFA, ditën të krijojmë një profil lehtësisht të dallueshëm dhe imponues për çdo kundërshtar.

Te Bylisi mund të kenë keqardhje të mëdha, për mënyrën se si shkuan gjërat në pjesën e dytë të sezonit, por për gjithçka bënë deri në gjysmën e kampionatit meritojnë komplimente, shoqëruar edhe me shpresën se ai model duhet ndjekur në vazhdimësi. Ndërkohë që për Vllazninë, ruajtja e kategorisë pas finales “play off”, gjithkush dëshiron që të ketë qenë mesazhi i fundit për mënyrën se si nuk duhet të jetë i organizuar klubi më i hershëm i futbollit tonë. Dhe lëvizjet e fundit të mbushin me shpresë se më në fund Vllaznia do të lërë pas periudhën e errët të shfaqur në disa sezone dhe të rikthehet në vendin që i takon, në elitën e futbollit tonë.

Ndërkohë që referuar së njëjtës tabelë, mund të jetë një rast unikal që dy vendet e fundit të tabelës së renditjes të kenë qenë të rezervuara për vetëm dy skuadra si Flamurtari dhe Luftëtari, të cilat merituan 100% rënien nga kategoria. Vlonjatët e pjesës më të mirë të historisë së futbollit tonë, në sezonin e fundit për shkak të problemeve administrative dhe financiare, nuk arritën të ndërtojnë një skuadër konkurruese dhe në 36 javë u pozicionuan në secilën prej tyre në zonën e ftohtë.

Dhe sërish referuar së njëjtës tabelë, Flamurtari u pozicionua në 9 javë në vendin e 9-të, ndërsa në 27 të tjera në vendin e fundit të renditjes. E njëjta tablo edhe me Luftëtarin, që i pagoi shtrenjtë gabimet në administrimin e klubit, borxhet e shumta dhe largimin e pothuajse të gjithë grupit të futbollistëve, të cilët iu imponuan opinionit tonë sportiv me cilësi dhe rezultate, duke kulmuar me pjesëmarrjen në Europa League.

trajektorja

Shumë larg këtij profili, gjirokastritët e panë veten gjatë këtij kampionati në vendin e parafundit në 27 javë dhe të fundit në 9 javët e tjera. Rënie më të merituara nga kategoria vështirë të gjejmë në historinë e kampionateve tona. Por, referuar historisë dhe potencialit të të dyja qyteteve, rikthimi i tyre është një domosdoshmëri dhe më se i mirëpritur nga të gjithë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com