Kampionati i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2017 | 21:53

Kampionati i Skënderbeut

Nga YLLI AGA

ylli-aga

Ecuria fantastike e Skënderbeut në shtatë javët e para të kampionatit është një tjetër konfirmim i vlerave reale të kësaj skuadre të dëshmuara më së miri në këtë edicion të Europa League, i uniformitetit të shumicës së futbollistëve të federuar dhe i respektimit të objektivit prioritar për t’u rikthyer te titulli kampion. 19 pikë në shtatë javë është ecuria më e mirë në historinë e kampionateve të Skënderbeut.

Duke bërë edhe më mirë se skuadra e dy viteve më parë, me të cilën kanë të përbashkëtën e luajtjes në fazën e grupeve të Europa League, por ndoshta kushtëzuar edhe nga një dozë nostalgjie, skuadra e pjesës së parë të sezonit 2015-’16 ngjan më cilësore. Dhe për këtë mjafton të kujtojmë disa emra, që i shtohen pjesës më të madhe të grupit aktual, si Arapi në prapavijë, Shkëmbi në mesfushë dhe veçanërisht reparti i avancuar me Latifi, Progni, Berisha, Olainka dhe Salihi, të cilët u imponoheshin jo vetëm kundërshtarëve, por edhe opinionit sportiv.

skenderbeu

Merita e madhe e këtij Skënderbeu është se ka bërë edhe më mirë se kjo skuadër, nëse mund të konsiderohet e tillë një element si golavarazhi. Në këtë pikë, korçarët i kanë shkuar shumë pranë rekordit të kampionateve të pas viteve ’90 për pikët e grumbulluara në shtatë javët e para, duke qenë se mbetën vetëm dy pikë larg Tiranës së drejtuar nga Sulejman Starova në sezonin 2004-’05, e cila i fitonte të gjitha ndeshjet e para.

Java 1 Tirana-Shkumbini 1-0

Java 2 Egnatia-Tirana 0-2

Java 3 Tirana-Laçi 1-0

Java 4 Vllaznia-Tirana 1-2

Java 5 Tirana -Lushnja 3-0

Java 6 Partizani-Tirana 2-5

Java 7 Tirana- Teuta 2-0

Por edhe ky rekord i bardhebluve mund të thyhet këtë fundjavë dhe korçarët këtë mund ta kenë një motiv më shumë për të fituar në shtëpi ndaj Luftëtarit, duke qenë se Tirana e atij viti humbiste pikërisht në javën e tetë 3-1 ndaj Elbasanit të Artan Bushatit. Por, përtej statistikave, ajo që duhet të bëjë optimist drejtuesit dhe tifozërinë korçare është autoriteti me të cilën luan kjo skuadër.

E aftë për t’iu imponuar çdo kundërshtari dhe, verbërisht, e bindur se mënyra e saj e lojës do të shpërblehet pavarësisht situatave që mund të krijohen në harkun e një ndeshjeje. Patën qetësinë, cilësinë dhe cinizmin e duhur për të fituar një ndeshje të vështirë me Laçin në shtëpi, si dhe dëshmuan burrëri dhe karakter të fortë sportiv në ndeshjet me Kukësin dhe Teutën. Pikërisht loja e tyre është ajo që ka bindur shumëkënd se janë po ata skuadra pretendente nr. 1 për fitimin e titullit kampion.

Nëse dikush ka ndonjë dyshim, mjafton të kujtojë sezonin e kaluar, ku, pavarësisht se skuadra e drejtuar nga Andrea Agostinelli i fitonte të gjashtë ndeshjet e para, mënyra e lojës i mbante të frenuar të gjithë në parashikime. Sigurisht, nga ai moment ka një reflektim nga të gjithë faktorët në kampin korçar, duke filluar nga vlerësimi për çdo kundërshtar, kujdesi për përzgjedhjen e futbollistëve, ku rasti Soue është për t’u veçuar, plotësimi i pothuajse të gjitha kushteve për stërvitje, akomodim dhe trajtim ushqimor, si dhe roli i trajnerit Ilir Daja.

Përshtatja e tij me një grup kampionësh, mënyrat e reja të stërvitjes dhe, veçanërisht analizat e detajuara teorike, janë shpërblyer me lojërat e zhvilluara dhe mbi të gjitha rezultatet. Skënderbeu i këtij sezoni ka luajtur 20 ndeshje zyrtare (11 nga të cilat në Europa League) dhe ka një bilanc mjaft të mirë me 11 fitore, 6 barazime dhe vetëm dy humbje. Dështimet e vetme janë 2-1 në Ceki me Mlada Boleslav dhe 3-1 në Kiev me Dinamon. Gjithashtu në këto 20 ndeshje, vetëm në dy prej tyre skuadra nuk ka arritur të shënojë, në takimin e kthimit në “Elbasan Arena” me Dinamo Zagreb, si dhe në të njëjtin stadium me Partizan Beograd.

Këto statistika plotësojnë në mënyrën më të mirë profilin e Skënderbeut të këtij sezoni dhe ambicieve të tij maksimale. Ashtu sikundër plotësojnë profilin profesional të trajnerit Ilir Daja. Nëse një ditë besimi për ta drejtuar vetëm trajnerë të huaj Kombëtaren tonë të futbollit, trajnerit aktual të Skënderbeut mund t’i besohet me symbyllur. Natyrisht, e gjitha kjo është vetëm një fotografi e momentit, pasi ecuria e mëtejshme në të gjitha kompeticionet, për shkak të gabimeve të Skënderbeut apo meritës së rivalëve të saj, mund ta përmbysë krejtë- sisht këtë realitet.

Për momentin, për gjithçka ka treguar Skënderbeu i këtij fillimsezoni, kampionati i ngjan gomarit në fabulën e famshme që i dorëzuar nga çatallat e ujkut, shpëtimin e kërkoi te mendimi “ishalla jam në ëndërr”. Për të mirën e garës, për më shumë rivalitet dhe emocione, do të dëshironim një sforco nga të gjitha rivalët e skuadrës korçare, që verdikti final i garës të shtyhej sa më larg të jetë e mundur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"