Kampionati i nderit dhe i talenteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 20:59

Kampionati i nderit dhe i talenteve

YLLI AGA

ylli aga

Kjo javë solli lajme shumë të mira për futbollin tonë. Për herë të parë, një nga talentet tona më premtuese, siç prej kohësh është Kristal Abazaj, zyrtarizoi një transferim të bujshëm te gjigantët belg të Anderlehtit. Si dhe çifti finalist i Kupës së Shqipërisë erdhi rrjedhojë e meritave në fushën e lojës dhe jo e ndikuar nga elementët të jashtëm. Kjo e fundit nuk është diçka për të cilën duhet të ndihemi krenarë, pasi një gjë e tillë duhet të jetë e detyrueshme, por për shkak të precedentëve është një element që duhet nënvizuar.

Kujtojmë se në të gjitha sezonet futbollistike të luajtura në mijëvjeçarin e ri, nuk ka pasur asnjë, që një pjesë e ndeshjeve të luajtura në këtë periudhe kohore të mos jenë përbaltur nga akuzat për paracaktim të rezultateve. Dhe në shumicën e rasteve parashikimet janë respektuar si rrjedhojë e aleancave të ndryshme, e një kompensimi sportiv të tipit “më lër kupën, të të lë kampionatin”, apo pse jo edhe për të përfituar financiarisht. Aludimet nuk munguan edhe në këtë sezon.

Abazaj

Personalisht po ndiqja nëpërmjet TV ndeshjen Kukësi-Laçi dhe për kualifikimin e kurbinasve, disa nga miqtë e mi që më shoqëronin, ishin të bindur se ishte e paracaktuar. Pavarësisht se klubet prej vitesh nuk kanë marrëdhënie të mira, Kukësi me hipotekimin e vendit të dytë, Kupën e kishte në krye të listës së prioriteteve, dallimit të qartë për tensionin që shoqëronte ndeshjen dhe mbi të gjitha mungesës së argumenteve pse duhej bërë kjo marrëveshje, sërish ishte e pamundur t’i bindje për të larguar dyshimet. E njëjta gjë u konfirmua edhe në duelin tjetër me Skënderbeun që siguroi një biletë për në finale, duke e djegur sezonin sportiv të vlonjatëve dhe duke tentuar për herë të parë në histori fitimin edhe të kampionatit edhe të Kupës.

Dhe më e rëndësishmja, dy ndeshjet ½-finale të Kupës nuk ishin një realitet i shkëputur, por në sinkron të plotë me të gjithë sezonin futbollistik, të cilin mund ta akuzosh për shumëçka, për gjykimet dobëta, për mungesën e tifozëve apo edhe thjesht për cilësinë e tij, të paktën komentet për rezultate të paracaktuara duhen të evitohen. Nëse për këtë argument, askush nuk ka pse të ndihet i lumtur, krenar apo sfidues, për promovimin e shumë futbollistëve të rinj dhe të talentuar, me siguri që duhet të jenë.

Transferimi i bujshëm i Abazajt e bën futbollin që luhet në këtë “klasën” tonë imponues edhe për “klasat” superiore në kontinent. Situata bëhet edhe më optimiste për cilësinë e kampionatit tonë, kur dëgjon për rivalitetin ekstrem që shumë klube europiane po bëjnë për të pronësuar Gurin, apo që në radarët e shumë të tjerëve janë edhe portieri Selmani, mbrojtësit Aliti dhe Hakaj, mesfushorët Krymi, Sidibe apo Roca dhe sulmuesit Asani, Bregu, Gavazaj, të cilët të gjithë së bashku bëjnë gati një formacion, që çdo javë kanë dhënë shfaqje para opinionit të gjerë sportiv dhe ata që duhet vazhdimisht t’i promovonin, kanë bërë nihilistin, duke minimizuar apo mohuar vlerat reale të këtyre lojtarëve dhe rrjedhimisht edhe të futbollit tonë.

Ky sezon futbollistik është shumë pranë zbardhjes se të gjitha enigmave të tij, por më shumë se për secilën prej tyre, me shumë mundësi do të mbahet mend për nderin e tij (që sigurisht mbetet në provë deri në fund të tij) dhe veçanërisht për promovimin dhe me siguri eksportimin e një formacioni të rinjsh të talentuar në kampionate më cilësore dhe më të pasura financiarisht.

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"