Kampionati i 81-të si shpresë për fundin e tranzicionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2019 | 17:33

Kampionati i 81-të si shpresë për fundin e tranzicionit

YLLI AGA

ylli aga

Pa asnjë skuadër që të kalojë një tur në Kupat e Europës, pa asnjë shitje të bujshme dhe me disa konkurrente problematike janë arsye të forta për të qenë dyshues për cilësinë e garës më të rëndësishme sportive në vend.

Kishte nga vera e vitit 2000 që klubet përfaqësuese të Kategorisë Superiore nuk provonin shijen e hidhur të dështimit në garat kontinentale, që në vetvete, përveçse dështim sportiv, nënkupton edhe një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Për ta kompensuar kanë munguar gjithashtu shitjet e bujshme, siç ka ndodhur radhazi në të gjitha sesionet e merkatos së viteve të fundit.

kategoria-superiore

Dhe, si të mos mjaftonin të gjitha këto që meritojnë një analizë të detajuar, problematikat janë ulur këmbëkryq te disa prej klubeve pjesëmarrëse, që kanë ndikuar në fillimin e përgatitjeve për kampionatin e ri me shumë vonesë si te Skënderbeu, Luftëtari, Vllaznia dhe veçanërisht Flamurtari. E vështirë të gjesh një sezon tjetër që në start të jetë ballafaquar me të tilla probleme, por kampionati është pasqyrë e një realiteti shumë më të gjerë se ai sportiv dhe rrjedhimisht të shumta janë edhe justifikimet për secilën problematikë në veçanti.

Gjithsesi, sforcot e jashtëzakonshme të një pjese prej presidentëve kanë krijuar një profil të kënaqshëm për shumicën e klubeve dhe bashkë me të kanë rritur pritshmëritë për një tjetër garë me rivalitet maksimal. Partizani, Kukësi dhe Tirana janë garant për diçka të tillë. Bashkëngjitur vazhdimësisë së Laçit, shpresave të Teutës, Skënderbeut që nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe ambicieve të Bylisit, gjithkush është i paralajmëruar për t’u ballafaquar me surpriza pa fund.

Enigmat për momentin janë Vllaznia, Luftëtari dhe Flamurtari, të cilat ndoshta deri në momentin e fundit të merkatos mund ta përmirësojnë ndjeshëm profilin në sytë e tifozëve të tyre dhe të gjithë opinionit. Thënë këtë, gara është garantuar që do të jetë me rivalitet maksimal, që me siguri do të jetë e ndikuar edhe nga risia e formulës së këtij sezoni, sipas së cilës edhe vendi i 8-të do të jetë i detyruar të luajë një finale “play-off” për të siguruar qëndrimin mes më të mirave të futbollit tonë. Dhe, në një garë me vetëm 10 ekipe, ku luhet për 7 objektiva të ndryshëm, konkurrenca është e garantuar nga java e parë dhe me shumë mundësi deri në sinjalizimin final.

tirana partizani1

Me shpresën se “Fair Play” do të jetë dominues dhe klubet konkurruese do t’i zgjidhin të gjitha problematikat me të cilat përballen aktualisht. Kampionati i ri nuk vjen vetëm me pritshmëritë e zakonshme sportive, por mbi të gjitha i joshur nga premtimet se shumë nga problematikat që rrethojnë klubet tona do të mund të marrin përgjigje dhe zgjidhje ligjore.

Në kushtet e shtrëngimeve të forta financiare, të pamundësisë për të thithur financime të reja, mbylljes së shumë “rubineteve” që sillnin në jo pak raste “oksigjen” për shumë klube, ballafaqimit me një barrë taksash të papërballueshme, bashkëngjitur në shumicën e rasteve një administrimi skandaloz që është bërë në shumicën e klubeve tona, një paketë e re ligjore vjen si një “varkë shpëtimi” dhe mbi të gjitha në momentin më kritik.

Kukesi Skenderbeu

E gjitha kjo, me besimin se miratimi i kësaj pakete ligjore do të krijojë më në fund hapësira për financime të reja, hyrje të shumë aktorëve të rinj dhe me potencial, që do t’i vendosë klubet tona në korsinë e duhur për të ndërtuar projekte të mirëfillta sportive dhe me premtimin se potenciali i shfaqur në sezone të caktuara do të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Ndryshimet ligjore pritet të injektojnë shpresën se gjithçka përjetuam këtë verë ishte një ëndërr e keqe dhe bashkë me kampionatin e ri, garën dhe emocionet e tij do të mbyllet edhe tranzicioni i stërzgjatur në futbollin tonë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"