Futbollit nuk i nevojiten “dëshmorë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2018 | 22:37

Futbollit nuk i nevojiten “dëshmorë”

YLLI AGA

Në fillimin e viteve ’90 një stu dent i historisë guxoi të pyeste pedagogun e tij: – Profesor! Sa dëshmorë ka pasur vendi ynë gjatë Luftës së Dytë Botërore? – Si mund ta bëjë një pyetje të tillë, dikush që studion për histori, përgjigjen e së cilës e mësojnë qysh në klasën e parë?! – ia ktheu pedagogu. – Guxova sepse nuk ka asnjë mundësi që të kemi pasur 28 000,- insistoi studenti. – Pse? – pyeti profesori, më shumë për të marrë kohë për të kuptuar ku donte të dilte. – Sepse lufta jonë filloi e organizuar me çeta, për të vijuar me batalione dhe në fund me brigada. – Po, edhe? – e shtyu më tej pedagogu. – Kam lexuar që ne arritëm të krijojmë 28 brigada me partizanë. Brigada me numrin më të madh të partizanëve ka qenë brigada e parë me afro 900 partizanë. Gjithë të tjerat vërtiten nga 600-700. Por edhe sikur nga 1000 partizanë të kishin të gjitha brigadat bëjnë 28 000! Nuk mund të kenë rënë të gjithë dëshmorë?!

ylli aga

Heshtja që pasoi pas këtij dialogu vijoi me një reflektim të pedagogut dhe hedhjen në zjarr të të gjithë librave të historisë së shkruar nga Partia. Nga ajo kohë ka pasur një reflektim për ta rishkruar historinë e luftës. Prej tyre tanimë është mësuar se numri i të rënëve në Luftën e Dytë Botërore ishte për fat të mirë afro 4300. Sikur edhe 100 herë më pak të ishin, do të meritonin mirënjohjen e të gjithëve, përgjithmonë!

Tanimë është e qartë cili ishte qëllimi për glorifikimin e asaj lufte dhe fitimtarët për të justifikuar gjithçka bënin në qeverisjen e tyre, nuk nguruan ta thoshin me zë koke deri në grahmat e tyre të fundit. “Pushtetin e kemi fituar me gjak dhe vetëm me gjak do ta lëshojmë”. Në fakt, nga ata nuk ndryshojnë shumë as pasardhësit e tyre në pushtet. Edhe këta çdo vit risjellin në vëmendjen e të gjithëve dëshmorët e tyre. Një palë ata të 2 prillit, një palë të 21 janarit. Mënjanë politika. Gjithçka e shkruar më sipër është për të treguar se në këtë vend nuk sensibilizon asgjë nëse nuk ka viktima.

Debatet e ditëve të fundit për sigurinë në stadiume po komentohen sikur të ishin parashikime ndeshjesh, duke mos e menduar për asnjë moment se ajo që nuk ka ndodhur në gati tri dekada në futbollin tonë mund të ndodhë në çdo fund javë, në çdo qytet të këtij vendi dhe në çdo ndeshje të çdo niveli qoftë, nëse institucioni i ngarkuar me ligj me sigurinë publike, Policia e Shtetit, nuk kthehet në krye të detyrës.

dhuna

Kjo, pasi nuk ka asnjë mundësi që një përgjegjësi të tillë ta marrin klubet me polici private. Kush ka dyshimin më të vogël, le të lexojë më vëmendje prononcimin e pak ditëve më parë të presidentit të Kukësit, Safet Gjici. Një nga ata që ndër të tjera ka në administrim një nga kompanitë më të mëdha të sigurisë në vend dhe e di deri në detaje se cilat janë detyrat që mund të përmbushin ato. Nëse dikush beson se një detyrë e tillë mund të bëhet me “security”, dëgjoni presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj, se për çfarë kostosh shtesë bëhet fjalë.

Kërcënimi i tyre për bojkot është një mesazh i drejtpërdrejtë për të mos marrë kosto dhe përgjegjësi që nuk iu takojnë. Ndërkohë që kundërshtimin e administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, më pëlqen ta shoh si një betejë për të arritur sa më parë një standard të mirënjohur në elitën e futbollit europian. Dhe nëse këtë realitet e kundërshtojnë klubet tona më të mira, imagjinoni çfarë mund të ndodhë më të tjerat, apo me ato që janë në kategori më të ulëta. Klube, të cilave nëse u ngarkohet edhe fatura financiare për policinë private, me siguri që do të tronditen, pasi e kanë të pamundur për ta përballuar. Kjo do të jetë fundjava e fundit, në të cilën do të luhet futboll vetëm në Kategorinë Superiore.

dhuna-ne-stadium

Në dy prej tyre stadiumet do të jenë të mbyllura, një ndeshje do të luhet në fushë asnjanëse dhe dy të tjerat do të luhen në Durrës dhe Gjirokastër, që për traditën e krijuar vështirë të krijojnë probleme. Gjithçka do të bëhet e paparashikueshme kur në fushë të zbresin Kategoria e Parë, e Dytë, apo të rinjtë. Cila do të jetë ajo forcë madhore që do të garantojë sigurinë e tyre për të luajtur futboll normal, sepse mund të ketë edhe zgjedhje radikale për t’i luajtur ndeshjet pa tifozëri mike, apo me stadiume të mbyllura.

Cila do të jetë ajo kompani private, që do të menaxhojë derbin e kryeqytetit, sepse të gjithë e dinë që ajo nuk jetë vetëm ndeshje mes ekipeve, por edhe një duel mes tifozëve. Madje, special pas një viti mungesë. Nëse dikush ka ende dyshime, shikoni një video sesi vetëm një grup i vogël tifozësh e thyen rrethimin dhe portat e hyrjes në “S. Stërmasi” gjatë ndeshjes Tirana-Kamza. Sesi duhet të menaxhohet një ndeshje futbolli, është e qartë për të gjithë, një fotografi e parë nga çdonjëri fundjavave në ndeshjet europiane. Por të gjithë ata që fshihen pas interpretimeve të një ligji duhet të reflektojnë për të bërë të gjitha betejat që nuk i kanë bërë deri më tani, apo i kanë bërë shkel e shko.

tifozet skenderbey

Të ndikojnë që stadiumet të jenë vende të sigurta, të monitoruara me kamera sigurie, të ketë një database për tifozët problematikë, identifikim dhe dënime individuale për ta, siguri dhe kujdes të veçantë për zyrtarët e ndeshjeve. Nëse ia dalin me sukses këtyre betejave, atëherë po, edhe ndeshjet tona mund të kenë organizohen njëjtë si ato të Premier League! Por, pa eksperimentuar siç ka nisur ky sezon dhe pa shënuar dëshmorë edhe për ndeshje futbolli.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"