Futbolli i verës dhe “shiu” i… shisheve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2019 | 18:55

Futbolli i verës dhe “shiu” i… shisheve

YLLI AGA

ylli aga

Të mësuar prej vitesh me një garë të shtrirë në periudhën shtator-maj, luajtja e tri javëve kalendarike në muajin gusht ishte një risi dhe me shumë mundësi një rekord. Ndonëse e kushtëzuar nga temperatura të larta dhe në një pjesë të stadiumeve pa ndriçim artificial, zhvillimi i ndeshjeve u kthye në një eksperiment të rrezikshëm, sërish pjesëmarrja e tifozëve ishte nga mesazhet më shpresëdhënëse.

Vetëm prania e shumë emigrantëve në këtë periudhë në qytetet respektive mund të jetë një shpjegim, ashtu sikundër edhe besimi dhe pritshmëritë e tifozëve mbeten për t’u përshëndetur.

kristi vangjeli tirana

NJË GARË PËRTEJ PARTIZANI-KUKËSI

Bazuar në statusin e sezonit të kaluar, konkurrimit në Europë, lëvizjeve në merkato, stabilitetit financiar, lojërave të zhvilluara në finalen e Superkupës, si dhe përplasjes që në javën e parë, shumëkush mund të ketë besuar se edhe këtë kampionat të ri, gara për titull do të shndërrohej në një “tango” mes Partizanit dhe Kukësit. Mundësitë për të ndodhur një gjë e tillë mbetet ende në një përqindje të lartë, por po aq e mundur është përfshirja në këto llogari edhe e forcave të tjera.

Tirana e para, që duket ka arkivuar eksperimentet e sezoneve të fundit dhe ngjan e aftë për të luajtur rolin që e njohin të gjithë. Festimet për 100-vjetorin e klubit duket e kanë elektrizuar të gjithë ambientin bardheblu. Por nuk janë vetëm ata. Te Teuta ka gjithashtu shume ambicie dhe pas vendit të tretë sezonin e kaluar, pretendimet janë shumë më të mëdha. Për të mos harruar, edhe ata do të festojnë 100- vjetorin e klubit. Ndonëse mund të kenë shfaqur një profil të brishtë, llogaritë do të bëhen shumë më të ngatërruara me përfshirjen në to të Skënderbeut, Vllaznisë, Laçit dhe Bylisit.

shishet loro borici vangjeli

REBELIMI NDAJ GJYQTARËVE

E filluan tifozët e Tiranës në ndeshjen ndaj Teutës për një karton të kuq të padhënë ndaj Vilës dhe ndoshta një goli të mohuar. E vijuan në përmasa të mëdha tifozët e Vllaznisë në duelin ndaj Tiranës me justifikimin e dy penalltive të padhëna.

Në një garë ku mungon përdorimi i VAR-it dhe ku historia na ka mësuar se arbitrat mund edhe të gabojnë gjithçka, ndodhia ishte tepër shqetësuese. Në statistikat e mbajtura gjatë komentit live rezultoi se arbitrat kanë marrë plot 97 vendime në duelin Vllaznia-Tirana (34 goditje dënimi, 6 goditje nga këndi, 4 pozicione jashtë loje, 11 rivënie fundore, 38 rivënie anësore dhe 4 kartonë të verdhë).

Nga të gjitha këto besohet se gabimi i vetëm është mosdhënia e një penalltie për vendësit, për të cilën reagimi ishte normal. Ndërkohë që në rastin e rrëzimit të Likës, vendimi ishte i drejtë, por reagimi i Likës, futbollistëve, trajnerit, stafit dhe një pjese të tifozëve ishte shumë i gabuar dhe “shiu” i shisheve mund të sjellë probleme të tjera për Vllazninë. Duke qenë ende në fillim të garës, nevojitet në mënyrë urgjente që klubet të marrin përgjegjësitë për statusin e organizatorit, të ndalimit të hyrjes së sendeve të rrezikshme dhe pse jo, edhe të tifozëve problematikë.

Arbitrat kanë gabuar dhe e sigurt që do të vijojnë të gabojnë, por kurrsesi vetëgjyqësia nuk duhet të jetë zgjidhja. Në një garë që po zhvillohet në një ambient shumë të ngarkuar politik dhe social-ekonomik, shiu i shisheve në stadiumet tona mund të jetë një shenjë ndërgjegjësimi për të reaguar ndaj çdo forme që shfaqet padrejtësia, por nga ana tjetër mund të jetë edhe një ndjenjë frike, se stadiumet do të jenë streha e vetme për të shfryrë çdokush streset e përditshmërisë sonë. Larg qoftë, sepse faturat e kaosit do t’i paguanin klubet e futbollit veçmas dhe kampionati në tërësi.

PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"