Dy “kartolina” nga Kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 21:18

Dy “kartolina” nga Kombëtarja

YLLI AGA

ylli aga

Kualifikueset për Europianin 2020 nuk nisën në mënyrën e duhur për kuqezinjtë. Dhe kjo jo vetëm për shkak për humbjes në debutim me Turqinë në “Loro Boriçi”, por mbi të gjitha për atmosferën që e rrethonte ekipin tonë Kombëtar, që nuk po dinte të ndahej nga lavdia e “EURO 2016” dhe të ndërtonte një projekt për një cikël të ri.

Koret e tifozëve atë mbrëmje shuan çdo dyshim. Christian Panucci nuk mund të ishte më trajner i kuqezinjve. Paradoksalisht për një “restart” thirret një veteran si Edy Reja, që në pak muaj dhe vetëm disa ndeshje i mjaftojnë të vendosë gjithçka në paqe. Për të kulmuar me dy ndeshjet e fundit, që përtej rezultateve ka rikthyer besimin dhe entuziazmin brenda dhe përreth kampit kuqezi.

Cikalleshi gol kombetarja shqiperia

HUMBJA “E BUKUR” ME TURQINË

Për dekada na ka shoqëruar përcaktimi i një humbjeje dinjitoze. E sigurt që kundër Turqisë ishte shumë më tepër se kaq. Kundër kryesueseve të grupit tonë kualifikues, kuqezinjtë luajtën nga fillimi dhe deri në fund si të barabartë, krijuan më shumë se çdo herë tjetër, humbën raste të pabesueshme dhe u ndëshkuan nga një gabim i vetëm. Vetëm futbolli mund të prodhojë të tillë skenarë.

Megjithatë, përtej zhgënjimit të natyrshëm, mundësisë së shpërdoruar për t’i luajtur deri në fund shanset e kualifikimit, sërish, si në të paktat raste, të gjithë ishin të lumtur dhe krenarë për Kombëtaren tonë. Për të kulmuar me mesazhet solidarizuese për portierin Strakosha, justifikimet për rastet e Manajt dhe vlerësimin për pothuajse të gjithë lojtarët e aktivizuar atë mbrëmje. Veçmas fjalët dhe komentet për trajnerin, tek i cili gjithkush tani dallon shpresën e munguar dhe një udhërrëfyes të sigurt.

manaj cikalleshi

FITORJA REKORD ME MOLDAVINË

Ndaj Moldavisë, fitorja ishte opsioni i vetëm. Por për mënyrën se si u humb ndeshja vetëm tri ditë më parë, shuarja e çdo mundësie për të synuar Europianin, ringritja dukej një mision i vështirë. Megjithatë, loja e zhvilluar dhe rezultati historik dhanë një tjetër mesazh të fortë për cilësinë, mentalitetin dhe forcën e kësaj skuadre. Harrojini justifikimet për kundërshtarin, sepse janë të shumta rastet kur Kombëtarja jonë është ndalur pikërisht në të tilla duele.

Një ndeshje e luajtur vetëm me një sens nga fillimi dhe deri në fund, epërsi territoriale, zotërim dhe qarkullim topi, raste dhe gola të gjitha për rekord. 24 vite më parë, në Moldavi, Kombëtarja jonë merrte fitoren e parë jashtë fushës së saj. Ndërkohë, mbrëmjen e 14 tetorit në të njëjtin vend gjen fitoren më të thellë në historinë e ndeshjeve zyrtare, që pasohet me fjalimin special të trajnerit Edy Reja në dhomat e zhveshjes, përmes të cilit zbulojnë vlerat e vërteta të kësaj skuadre dhe mundësitë reale të saj. Me llogaritë e mbyllura të këtyre kualifikueseve, kuqezinjtë kanë mundësinë të gjejnë stimuj të rinj për dy ndeshjet e mbetura. Dhe përtej dëshirës për të fituar secilën prej tyre, një arsye e fortë për këtë grup është edhe vendosja e një rekordi të ri sa u takon pikëve të grumbulluara në një fazë kualifikuese.

Deri më tani kemi këtë renditje: “EURO 2016″(8 ndeshje-14 pikë) “WORLD CUP 2018″(10 ndeshje-13 pikë) “WORLD CUP 2006” (12 ndeshje-13 pikë) “EURO 2008″(12 ndeshje-11pikë) Rezultatet e mësipërme konfirmojnë se vetëm një fitore me Andorrën në fushën tonë, me shumë mundësi në stadiumin e ri “Arena Kombëtare”, do të fiksonte një rekord të ri për pikët e grumbulluara në një edicion të vetëm. Ndërsa, qoftë edhe një pikë e vetme e pasuar në ndeshjen me Francën do t’i bënte këto kualifikuese edhe më pozitive në renditje pikë/ ndeshje, krahasuar edhe me kualifikueset e “EURO 2016”.

Por, përtej statistikave që me ftohtësinë e tyre nënkuptojnë gjithçka, më i rëndësishëm mbetet “zjarri” i ndezur nga kuqezinjtë tanë në këto dy ndeshje, imponimi me anë të një moduli loje, statusi i ri për yjet e Europianit, promovimi i disa futbollistëve që kanë sjellë entuziazmin e munguar dhe mbi të gjitha një trajner, i cili duket se ka një “recetë” për çdo situatë. Mënjanë rezultatet, dy ndeshjet e fundit të kuqezinjve ishin realisht dy “kartolina” të shumëpritura nga i gjithë opinioni ynë sportiv dhe jo vetëm.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"