Duke pritur Flamurtarin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2019 | 17:34

Duke pritur Flamurtarin e madh

YLLI AGA

ylli aga

Në krahasim me Flamurtarin e ditëve më të mira, skuadra e shfaqur në fillimin e këtij kampionati ngjan me një karikaturë. Por për këtë fajtorët nuk duhet t’i kërkojmë as te emrat që ishin në fushë, as tek ata në stol.

Ndryshe me të njëjtin Flamurtar që bënte histori edhe në arenën ndërkombëtare, vlonjatët janë shfaqur edhe më të shëmtuar, teksa në një moment të caktuar prekën deri Kategorinë e Tretë të futbollit tonë, por për arsye shumë të forta, që kulmojnë me braktisjen totale dhe mungesën e financimit. Ndërkohë që për aktualin, për të gjetur shkaqet e kësaj gjendjeje, arsyet mund të jenë më shumë se 100, por me siguri përgjegjësit janë dy: Bashkia, si pronare e klubit dhe administratori Sinan Idrizi.

skenderbeu flamurtari

Dështimi administrativ

Në fillimin e sezonit 2014-’15, kur Flamurtari i Ernest Gjokës provoi edhe kryesimin e kampionatit, administratori Idrizi befasonte opinionin me deklaratën e tij: “Objektivi kryesor është të ndërtoj një klub profesionist”. Pas gati 5 vitesh premtimi i tij ka mbetur në ajër, pavarësisht dëshirës, vullnetit dhe milionave të paguara prej tij.

Për traditë meriton falënderime për çdo euro të paguar për klubin, por nisur nga rregullat e kësaj loje, rrezikon të mbahet mend më së shumti për një pjesë faturash të lëna pa paguar. Flamurtari mund të jetë një rast për t’u studiuar për dështimin administrativ të gjithë kësaj periudhe, pavarësisht se për të mund të jenë paguar nga 7-10 milionë euro. Me riskun që të përballet edhe me institucione të pastrimit të parave apo financime të paligjshme, vetëm sepse statusi ligjor i Flamurtarit lë shteg për shumë keqinterpretime.

flam

E sigurt se me kaq shumë para, për shumicën e gjërave që funksionojnë në vendin tonë, do të mund të zgjidhte çdo lloj problematike për bizneset e tij, por ka preferuar të financojë Flamurtarin në pritje që të gjendet një zgjedhje optimale për një projekt të suksesshëm. Gjatë gjithë kësaj periudhe, dëmi më i madh është bërë se është punuar me një “buxhet të bardhë”, pa limite, duke nënshkruar kontrata pa fund dhe rrjedhimisht duke krijuar borxhe vit pas viti.

Ndërkohë, nisur nga mundësitë financiare që kanë qenë në dispozicion, mund të krijohej realisht një model me paga, qira, trajtim ushqimor e shëndetësor, të kryera në kohën e duhur, si dhe duke përmirësuar kushtet për stërvitje. Njëjtë siç ka ndodhur me ambientet e stadiumit. Në ndonjë element duke u hequr edhe “më katolik se Papa” për deklarimet në organet tatimore të kontratave të futbollistëve.

Sinan-Idrizi

Dhe kjo në një vend kur me “dy kontrata” punojnë edhe deputetët që “deklarojnë” rrogën vetëm për pjesëmarrje në parlament, ndërkohë që mbledhjet e komisioneve, dietat, qiratë janë të përfshira në aneks-kontrata. Duke ditur se nuk ka një profesion të dytë në krahasim me futbollistët, ku aneks-kontrata është e njohur botërisht bazuar në aktivizime, gola, asiste apo trofe të fituar. Në këtë kaos, dështimi administrativ ishte i paevitueshëm dhe fakti që klubi nuk është licencuar dy sezonet e fundit për Kupat e Europës, është treguesi më kokëfortë.

Dështimi sportiv

Pesë sezone, asnjë trofe i fituar, asnjë pjesëmarrje në Kupat e Europës, janë të tjera fakte kokëfortë të dështimit sportiv. Nëse do të ishte vetëm për këto, justifikimet do të gjendeshin pa fund, por pamundësia për të krijuar një profil të qartë loje apo emrash me të e bëjnë bilancin edhe më të rëndë. Duhet të jenë shumë të paktë emrat e ndjekësve të Flamurtarit ndër vite, por edhe ato të skuadrave të tjera, të cilët nuk mund të të thonë përmendësh emrat e formacionit vlonjat të viteve ’80.

ca

Kjo, sepse yjet e asaj periudhe në harkun e disa viteve luajtën së bashku, automatizuan veprimet e tyre, krijuan një lloj kimie me njëri-tjetrin, ndonëse në kohë të vështira për të qenë konkurrues jo vetëm në futbollin tonë, por edhe në atë ndërkombëtar. Krahasojeni tani atë model me gjithçka ka ndodhur në këtë periudhë, nëpërmjet tabelës me të gjithë emrat e federuar. 146 futbollistë janë absolutisht një shifër rekord.

Një shumicë prej tyre nga më të mirët e kampionatit tonë, por akoma më shumë nga ata, krahasuar me futbollistët me statusin tanimë të një monumenti, u ngjajnë emrave të shkruar në rërën e plazhit, që shuhen menjëherë pas dallgës së parë. I njëjti diskutim edhe për trajnerët, disa prej të cilëve janë më të mirët e kampionatit tonë. Edhe në këtë rast është shpenzuar pa fund, për kontrata, akomodime, procedura, por sërish pa asnjë projekt të qartë, duke sjellë në mënyrë të paevitueshme dështimin sportiv.

Dështimi i bashkisë

Me statusin e pronares së klubit dhe një prej aseteve më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të qytetit, është e pafalshme që bashkia e qytetit në asnjë rast nuk është ndalur dhe nuk është marrë seriozisht. Ky institucion nuk ka bashkëpunuar për të gjetur zgjedhjet më të mira për Flamurtarin.

Edhe po të ishte një objekt i rëndomtë dhe i parëndësishëm, kryetari i bashkisë i pari dhe Këshilli Bashkiak do të duhej të ndaleshin për të kuptuar se çfarë po ndodh me një pronë të tyren. Jo më kur emri është “Flamurtari”. Në gjithë këto vite financimi për klubin ka qenë 0, pagesa të domosdoshme administrative gjithashtu 0, një problematikë me borxhet e mbartura që nuk ditën t’i japin zgjidhje. Edhe në infrastrukturë gjithashtu financimi ishte 0.

Me këtë bilanc ishte shumë fyes takimi i kryetarit Leli me legjendat e futbollit vlonjat gjatë ditëve të fushatës, që për të gjitha problematikat e Flamurtarit, pasi premtimi i vetëm ishte: “do ta zgjidhim”. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Ndërkohë që klubi, pronë 100% e bashkisë, ka nevoja imediate për të kaluar momentin e vështirë ku ndodhet dhe për të evituar tanimë, jo thjesht dështimin sportiv të radhës, por edhe kërcënimin e shumë borxheve që mbajnë të lidhur jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e tij. Qyteti i lidhur pazgjidhshmërisht me detin dhe flamurin, me kontributin edhe të bashkisë, mund të përmirësojë shumëçka në përditshmërinë e tij, por entuziazmin, krenarinë dhe imazhin si Flamurtari i ditëve më të mira, nuk mund t’ia japë asgjë tjetër.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"