Dhuna kërkon një përgjigje shtetërore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 22:38

Dhuna kërkon një përgjigje shtetërore

YLLI AGA

Dhuna në ndeshjen e parë të kampionatit mes Skënderbeut dhe Partizanit vijon të mbetet tema kryesore e diskutimeve në opinionin tonë sportiv. Për fat të mirë, sepse logjikisht e gjitha kjo do të ketë një konkluzion, ku përfituesi i parë është vetë futbolli. Gjithashtu, një tjetër lajm pozitiv është përfshirja në këtë debat e shumë përfaqësuesve të ligjit dhe të atyre të sigurisë, prej të cilëve do të duhet të vijë edhe zgjidhja më e mirë e mundshme, që mund të jetë me kosto për secilën nga palët e përfshira në këtë proces, por më e rëndësishmja mbetet rifitimi i besimit nga ana e tifozëve dhe mbrojtja e tyre.

dhuna-ne-stadium

DHUNA, BASHKËSHOQËRUESE E FUTBOLLIT TONË

Dhunë në futbollin tonë ka pasur edhe në një kohë kur hija e rëndë e diktaturës mbërrinte deri në skutat më të fshehta të ndërgjegjes së çdonjërit prej nesh. Dhe në të gjitha mënyrat, rastet sporadike të dhunës kanë mbërritur në kohët e sotme si dëshmi apo legjenda. Tifozë, të cilët për shumë pak gjë përfundonin nëpër komisariate, apo në skajet më të largëta të kryeqytetit si dënim për t’u kthyer andej me këmbë.

Për të kulmuar me ngjarje si ajo e Kuçovës apo e Kavajës në vitet e fundit të komunizmit. Dhe nëse ana emocionale e shumë tifozëve ishte e vështirë për t’u kontrolluar në atë periudhë, përfytyroni vitet e tranzicionit, gjatë të cilave dhuna na është shfaqur në të gjitha format e saj. Sherre mes protagonistëve të fushës, stafeve teknikë, dhuna e orkestruar dhe organizuar nga drejtuesit e klubeve, deri kryetarë bashkish që ndiqnin arbitrat me makinë nëpër fushë, përleshje në tribunat VIP, apo në të gjitha tribunat e tjera.

Dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes brenda fushës, në dhomat e zhveshjes, zarfe me plumba, ndjekje nëpër rrugë apo presione nëpër shtëpitë e tyre. Ndaj, të gjitha rasteve masat e marra kanë qenë gjysmake, në të shumtën e rasteve nuk janë bërë publike dhe rezultati, dhuna vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për futbollin tonë.

dhuna

DËSHTIMI I FORCAVE TË RENDIT

Duke qëndruar në të njëjtën logjikë, nëse policia e diktaturës e kishte të pamundur për ta eliminuar si fenomen, shumë më pak shanse ka pasur në gati tri dekadat e fundit. Por, gjykuar nga gjithçka ndodhi në Korçë, është e rëndësishme të nënvizohet se dhuna në ndeshjen e parë të kampionatit, më tepër se dështim i një eksperimenti, mund të konsiderohet ulje e nivelit të sigurisë nëpër stadiume.

Sepse para kësaj ngjarjeje nuk ishte se gjithçka shkonte në perfeksion, por edhe me forcat e policisë ka pasur ngjarje shumë më të rënda. Ndër to do të veçoja vetëm dy prej tyre. Me statusin edhe të dëshmitarit në të gjitha këto raste, ajo çfarë ndodhi së fundmi në Korçë ishte e frikshme, por asgjë krahasuar me situatën në Vllaznia-Tirana katër vite më parë. Dhe atë ditë në “Loro Boriçi” ishin prezente forcat e rendit, madje me qindra, por dështuan me turp në parandalimin e asaj katrahure, që për fat nuk pati viktima dhe aq më pak për të ndërhyrë me efikasitet dhe profesionalizëm në kulmin e trazirave për të minimizuar dëmet.

Apo që askush të mos krijojë iluzionin se forcat e rendit janë “engjëj” dhe zbatues në frymë dhe në çdo germë të ligjit, risillni në vëmendje pamjet shokuese, kur në ndeshjen PartizaniSkënderbeu dy vite më parë në “Elbasan Arena”, policë me uniformë hynë dhe ushtruan dhunë në tribunën ku ishin të pozicionuar tifozët e skuadrës së kuqe, duke goditur, lënduar dhe rrezikuar jetën e shumë prej tyre.

Dhe të mendosh që në atë stadium gjithçka është e monitoruar me kamera sigurie, prej të cilave mund të vëzhgohej me qetësi, nëse ndonjë prej tifozëve kishte shkaktuar problematika në kundërshtim e ligjin, policët u sollën si huliganë duke fiksuar një nga njollat më të turpshme në historinë e tyre. Në të njëjtën linjë gjithkush mund të sjellë në kujtesë edhe shumë ngjarje të tjera, që konfirmojnë se policia ka dështuar në detyrën e saj për të mbrojtur rendin dhe përcjellë siguri.

tifozet skenderbey

LARGIMI I POLICISË, BARAS ME ULJE TË NIVELIT TË SIGURISË

Për të gjitha rastet e përmendura më sipër, minimalisht pa praninë e forcave të policisë, në kushtet aktuale kemi ulje të nivelit të sigurisë të ndeshjeve të të gjitha niveleve tona. Dhe në këtë pikë një gjë mbetet enigmë në gjithë këtë histori. Mbi bazën e cilit studim, të çfarë elementesh apo mbi cilët garanci, u arrit në përfundimin që një aktivitet kaq masiv dhe me ndjeshmëri kaq të lartë, mund të administrohet vetëm me “stjuartë”.

Në rastin më të mirë, gjithçka e shkruar në Ligjin për Sportin është në rastin më të mirë mosnjohje e realitetit dhe në rastit më të keq dezertim i forcave të rendit nga përgjegjësitë që u ngarkon ligji. E sigurt është që për të mbërritur në standardin e sanksionuar në Ligjin për Sportin do të duhet një punë e madhe parapërgatitore dhe mbi të gjitha një bashkërendim i punëve me të gjitha institucionet e tjera. Kjo, pasi pothuajse pjesa më e madhe e impianteve ku luhet futbolli ynë sot është në pronësi të institucioneve shtetërore, kryesisht bashkive, të cilave iu del për detyrë të bëjnë investime të rëndësishme për të merituar një certifikatë sigurie, ndërkohë që policia duhet të adresojë luftën e saj nga ndaj të gjithëve tifozëve te çdo tifoz individualisht, në mënyrë që të evitohet njëherë e përgjithmonë ndëshkimi kolektiv.

policat

Ashtu siç nga vetë klubet kërkohet një punë shumë më e madhe për t’i bërë tifozët aleatët më të rëndësishëm dhe realisht me statusin e lojtarit të 12-të. Vetëm nëse realizohet ky proces nga “A te Zh”, mund të kalojmë në mënyrën e administrimit të stadiumeve me policinë që qëndron jashtë impianteve sportive. Por, më tepër se këtë temë mjaft të nxehtë ta kthejmë në një “pingpong” opinionesh, duhet që të gjithë faktorët e përfshirë të mblidhen (ideale do të ishte nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe konkretisht nga Komisioni kundër Dhunës) për të bashkërenduar të gjitha veprimet dhe për të arritur në zgjidhjen më optimale.

Fundja, të gjithë e dinë se edhe në vendet më të zhvilluara, fenomeni i dhunës është përballur dhe ka marrë përgjigjen më të fortë nga ana e shtetit. Futbolli ynë është në një moment shumë delikat të zhvillimit të tij. Por, para se të flasim për rezultatet, besueshmërinë e tij, cilësinë e lojës, infrastrukturën, rritjen dhe promovimin e talenteve, në radhë është siguria. E atyre që luajnë dhe atyre që mbeten besnik të tij. Dhuna në stadiumin e Korçës, me shumë mundësi, ishte paralajmërimi i fundit për të mos regjistruar ngjarje edhe më të rënda dhe me pasoja fatale për ndokënd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"