Derbi, më shumë se një ngjarje sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 20:45

Derbi, më shumë se një ngjarje sportive

YLLI AGA

ylli aga

Pritshmëritë për të mbeten gjithmonë të larta. Për më tepër, që dueli i radhës do të zhvendosej në stadiumin e ri. Sigurisht, edhe dyshimet nuk mungonin, për shkak të një ecurie jolineare të të dyja ekipeve dhe veçanërisht humbjeve në ndeshjet e fundit. Një test gjithashtu edhe për kapacitetin e impiantit, që me 19.032 biletat e shitura i dha një notë pozitive studimit të fizibilitetit për të.

FITORJA E TIRANËS

Kjo nuk ishte nga ato fitore që shkojnë në sinkron me lojën e zhvilluar në fushën e lojës. Marrë në konsideratë lojën në tërësi, episodet e saj, rastet për shënim, gjuajtjet në kuadrat, më i drejtë do të ishte barazimi. Por, futbolli është i bukur edhe për këtë. Ashtu si Tirana nuk ka merituar të humbasë në një shumicë ndeshjesh derbi, ka tani të drejtën legjitime për t’iu gëzuar suksesit të fundit.

Tirana goli ne derbi

Për t’u veçuar kujdesi dhe vetëpërmbajtja e bardhebluve, veçanërisht në fraksionin e dytë të lojës, duke i falur terren kundërshtarit dhe duke provuar t’i godasin në kundërsulm, në një nga të cilët erdhi edhe goli i fitores. Suksesi i dha fund një makthi që zgjaste prej gati 6 vitesh dhe ka vlerat e tij në funksion të rivalitetit, një ristarti për konkurrimin në kampionat dhe një pozicionimi më të favorshëm në tabelën e renditjes. Ndërkohë që plus i madh shkon për disa nga emrat e spikatur në fushë, si Doka, Çelhaka dhe Muçi, që janë prodhim “Made in Tirana” dhe që mund të konsiderohen pasuri e hipotekuar për klubin.

 HUMBJA E PARTIZANIT 

Në futboll është e pamundur të ruash një rekord pathyeshmërie. Ajo çfarë ka bërë Partizani në afro 6 vite në duelet derbi është diçka që do të mbetet gjatë në memorien e të gjithëve, por humbja në çdo rast mes dy ekipeve pothuajse në vlera të barabarta është e pamundur të zgjasë pafundësisht. Me shumë mundësi mund të evitohej parmbrëmë, nëse do të evitonin kurthin e kundërshtarëve, të cilët i goditën në kundërsulm.

Partizani goli ne derbi

Ashtu siç Partizani ka bërë në jo pak raste. Humbja gjithashtu nuk mund të ketë efekte të pakthyeshme në funksion të objektivave, duke qenë në një pozicion që kanë gjithçka në këmbët e tyre. Por, dështimi në derbi me siguri ka shtruar për zgjidhje disa problematika që e kanë shoqëruar rrugëtimin e të kuqve në këtë kampionat, sa i takon modulit të lojës, statusit të disa titullarëve dhe harmonisë që duhet të mbizotërojë aty. Rasti “Asani” është treguesi më i mirë i brishtësisë së marrëdhënieve në atë ambient.

DERBI, KARTOLINA MË E BUKUR E KRYEQYTETIT 

Ishin të shumta detajet e mbrëmjes së derbit, që meritojnë vlerësimin më të lartë. Duke filluar me rekordin e shikueshmërisë, kushtëzuar kjo me zhvillimin në ditë dhe orar ku konkurrenca e eventeve ndërkombëtare është maksimale, me rekordin e arkëtimeve për një ndeshje të kampionatit tonë, që i afrohet shifrës së 200 mln lekëve, “Fair Play” që ishte bashkëshoqërues i pothuajse të gjithë mbrëmjes, festës që mbizotëronte në tribuna, prania e shumë fëmijëve dhe femrave dhe mbi të gjitha respektit të dëshmuar në raport me tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti.

fshf derbi

Duartrokitjet e zgjatura për të gjitha forcat e përfshira në operacionet e vështira të atyre ditëve, parullat dedikuar nga ana e të dyja tifozërive ishin mesazhet më të bukura të shfaqura ndonjëherë në stadiumet tona. Ndërkohë që qershia mbi tortë mund të konsiderohet festa në mbyllje të sfidës.

Nëse ajo e bardhebluve ishte gjëja më natyrale, duartrokitjet e tifozërisë së kuqe për lojtarët e tyre ishte shembulli më i mirë i marrëdhënieve që duhet të ekzistojnë mes skuadrës dhe lojtarit të 12-të. Parë nga të dyja kampet, derbi kishte fitues dhe të humbur, por për të gjithë ata që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt, mbrëmja e së premtes ishte një ngjarje shumë më tepër se sportive dhe në mënyrë absolute kartolina më e bukur që ka prodhuar futbolli ynë i viteve të tranzicionit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"