Arbitrat, një skuadër e mesit në tabelën e renditjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2020 | 23:11

Arbitrat, një skuadër e mesit në tabelën e renditjes

YLLI AGA

ylli aga

Akuzat ndaj tyre kanë qenë konstante. Si një refren i mësuar përmendësh, javë pas jave, protagonistë të ndryshëm kanë recituar kundër “bluzave të zeza”, por një sy i kujdesshëm mund të ketë dalluar se nuk ka pasur të njëjtin pathos si në vitet e kaluara. Kjo ndoshta justifikuar me faktin se në shumicën e ndeshjeve, gabimet e arbitrave kanë qenë episode të shkëputura dhe me shumë mundësi të vështira për t’u zgjidhur edhe nga VAR.

Ashtu sikundër është e vështirë të kujtojmë një ndeshje, në të cilën arbitri të jetë shfaqur në formën e kamikazit (jo i rrallë në të kaluarën e afërt) për të vendosur fatet e ndeshjes. Natyrshëm një analizë më të detajuar do të duhet dhe me siguri do të bëjë sektori përkatës, por në një retrospektivë të shpejtë, skuadra e arbitrave ka pasur një edicion pozitiv.

SEZONI ME SIMBOLIN E PENALLTIVE

Nuk kujtoj një rast tjetër, që në kampionatin tonë të jenë akorduar një numër kaq i lartë i penalltive. Plot 80 (në mungesë të statistikave për sezonet e kaluara, kjo e dhënë vlen të paktën për periudhën që të gjitha ndeshjet transmetohen “live”). Për të kuptuar se sa shumë penallti janë dhënë në këtë kampionat, kujtoj që një vit më parë u akorduan vetëm 51, ndërkohë që krahasuar me një kampionat prestigjioz siç është Premier League, është gati dy herë më shumë.

Gjyqtaret shqiptare

Më saktësisht në Kategorinë Superiore janë dhënë 80 penallti në 180 ndeshje të luajtura, ndërsa në Premier League 89 penallti në 380 ndeshje. E sigurt që një numër vendimesh ekstreme, siç janë penalltitë, kanë qenë të ekzagjeruara, ose nga situatat e lojës mungojnë edhe shumë të tjera. 80 penalltitë e këtij kampionati janë shpërndarë sipas tabelës së mëposhtme, në të cilat bie në sy Bylis si skuadra që ka më shumë penallti në favor, ndërkohë që duhet të jetë rekord europian numri i penalltive të marra kundër për Luftëtarin.

11-M NË FAVOR DHE KUNDRA

SKUADRAT PENALLTI

1 Tirana +11/-3

2Kukësi +10/-5

3 Laçi +11/-5

4 Skënderbeu +5/-9

5 Teuta +10/-9

6 Partizani +5/-6

7 Bylis +13/-7

8 Vllaznia +5/-3

9 Flamurtari +5/-14

10 Luftëtari +5/-19

KAMPIONATI I DOMINUAR NGA FRYMA E “FAIR PLAY”

Nëse ka pasur një fenomen që e ka shoqëruar futbollin tonë të pas viteve ’90, me siguri ka qenë dhuna. E shfaqur në të gjitha format, por veçanërisht e spikatur për presionin e ushtruar mbi kundërshtarët dhe zyrtarët e ndeshjes për të ndikuar në rezultatin final.

Sigurisht ka pasur situata të vështira, kujtoni skenat e pragndeshjes së parë derbi, por faktet, dëshmitë apo denoncimet e raportuara për dhunën në kuptimin e saj të parë, kanë munguar ose kanë prekur pikën e tyre më të ulët. Në këtë element përmirësimet do të duhet të jenë të vazhdueshme, që krahas përmirësimeve ligjore, të ketë ndërhyrje efektive në të gjitha impiantet tona sportive, ku një prej tyre mund të jetë pajisje me sisteme profesionale kamerash për të monitoruar në detaje gjithçka ndodh para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjeve, në fushë, në ambientet e brendshme dhe në tribuna.

Një tjetër tregues i përmirësimit të frymës “fair play” janë edhe ndëshkimet e skuadrave me kartonë, të cilat në një përqindje absolute kanë qenë për luftë të fortë sportive. Një element që bie në sy në tabelën e mëposhtme është konstatimi që Laçi është klubi që ka marrë më pak kartonë, krahasuar me imazhin që e ka rrethuar këtë klub prej dekadash, ndërsa në krahun e kundërt pakkush mund të besojë që Teuta numëron më shumë kartonë.

Skuadrat KV/KK

1 Tirana 89kv/7kk

2 Kukësi 76kv/3kk

3 Laçi 74kv/3kk

4 Skënderbeu 78kv/1kk

5 Teuta 92kv/8kk

6 Partizani 65kv/8kk

7 Bylis 99kv/7kk

8 Vllaznia 87kv/3kk

9 Flamurtari 93kv/3kk

10 Luftëtari 80kv/3kk

RISELEKSIONIMI I SKUADRËS SË ARBITRAVE

Një detaj lehtësisht i dallueshëm, në tabelat që tregojnë aktivizimin dhe numrin e ndeshjeve të arbitrave, konstaton aktivizimin nga ana e “trajnerit” Sokol Jareci të të gjithë arbitrave të klasës Superiore. Një pjesë prej tyre kanë mbajtur peshën kryesore të aktivitetit, duke qenë më pak të kontestuar.

Nisur nga numri i ndeshjeve, por edhe rëndësia e tyre, nuk mund të mos evidentosh Eldorian Hamitin si më të mirin e këtij sezoni, Kridens Metën që çdo herë që është thirrur në apel ka zgjidhur gjithçka me eksperiencën e tij, Enea Jorgjin dhe Juxhin Xhajën për personalitetin e tyre, si dhe Kreshnik Barjamajn për sigurinë dhe qetësinë e shfaqur. Por, në këtë grup dallohet gjithashtu një numër arbitrash, që ndonëse me një eksperiencë disavjeçare, nuk e kanë fituar respektin dhe besimin e protagonistëve të fushës dhe opinionit sportiv.

Arbitrat

Për gjithçka kanë dhënë edhe në këtë kampionat, ndoshta drejtuesit e sektorit të arbitrimit, do të duhet të ndalen dhe marrin masa për t’i mënjanuar, qoftë për të ulur numrin e lartë që ka aktualisht Kategoria Superiore, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për të pasur më shumë ndeshje të gjykuara nga më të mirët apo zëvendësimi i tyre me arbitra të rinj.

NDESHJET NË SUPERIORE

1-E.HAMITI 19 NDESHJE

2-K.META 17 NDESHJE

3-E.JORGJI 16 NDESHJE

4-J.XHAJA 14 NDESHJE

5-K.BARJAMAJ 13 NDESHJE

6-A.KOCI 11 NDESHJE

7-K.KOLA, A.BEQIRI, B.ZIRI 10 NDESHJE

8-K.CJAPI,O.FERATAJ,L.ALLA 9 NDESHJE

9-K.SHAHINI 8 NDESHJE

10-O.KUKA 7 NDESHJE

11-E.SINO, R.MUSKA 5 NDESHJE

12-E.BASTARI 4 NDESHJE

13-H.LLAPRA 3 NDESHJE

14-P.FARRUGHIA (Maltë) 1 NDESHJE

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"