Andorra, rekordi i humbur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 23:11

Andorra, rekordi i humbur

YLLI AGA 

ylli aga

Barazimi me Andorrën nuk ishte një mundësi e humbur e zakonshme. Një nga ato që kuqezinjtë tanë i kanë përsëritur në pothuajse në të gjithë rrugëtimin e tyre në kualifikueset europiane apo botërore.

Por, në një edicion ku i “dogjëm” të gjitha mundësitë tona për t’u përfshirë në çështjen e kualifikimit, mbi të gjitha për gabimet tona, por në një masë të konsiderueshme edhe për meritë të rivalëve në grup. Në këtë pikë mund të mjaftohemi të përmendim Francën me statusin e kampiones se botës, por në mënyrë të veçantë Turqinë, që u rikthye të luante në nivelin e më të mirave të kontinentit, duke merituar biletën e dytë kualifikuese, por, pse jo, edhe Islandën, e cila vijon të mbetet e fortë.

Përballë tyre, kuqezinjtë tanë e patën të pamundur të përsërisnin historinë e katër viteve më parë, ndonëse mënyra se si humbëm në Turqi do të mbetet një peng i madh në memorien e të gjithëve. Por duke qenë se ekipi ynë kombëtar nuk ka krijuar ende një raport të drejtë me fitoret, sfida e fundit me Andorrën do të duhej të ishte e vlerësuar maksimalisht dhe do të duhej sakrifikuar për të marrë tri pikët e kësaj ndeshjeje, të cilat do t’u jepnin shijen e duhur këtyre kualifikueseve. Në pamundësi për të tentuar kualifikimin, sigurimi i pikëve që do të fiksonin një rekord të ri në të gjitha eliminatoret që Kombëtarja jonë ka konkurruar, do të duhej të ishte një motiv i mjaftueshëm për ta realizuar atë.

kombetarja shqiperia

Dhe e gjitha kjo përballë një kundërshtari, që në gjithë historinë e tij numëronte vetëm 7 fitore dhe vinte përballë kuqezinjve tanë pas 9 ndeshjesh pa shënuar në ndeshjet e luajtura jashtë. Keqardhja bëhet edhe më e madhe kur kujton se ndeshja nisi pothuajse me gol për tanët, gjë që do të duhej të largonte presionin për gjetjen e golit dhe do të injektonte më shumë besim për administrimin e lojës. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kuqezinjtë tanë nuk u treguan agresivë mjaftueshëm për të thyer aksionet që sollën golat e kundërshtarëve dhe kjo mund të jetë një shpjegim pse në më shumë se 90 minuta shkaktuam vetëm… 6 faulle.

Një tjetër keqardhje për mundësitë e djegura në këtë edicion kualifikues është edhe golavarazhi. 16 gola të shënuar në 9 ndeshje janë një rekord i ri për ekipin tonë kombëtar, por lehtësia më të cilën kemi pësuar 12 gola në ndeshje dhe momente kyçe e ka bërë të pavlefshëm një element mjaft të rëndësishëm për futbollin e sotëm dhe objektivat madhorë për secilën skuadër. Kujtojmë që në 2016, kur siguruam kualifikimin për në Europian, ishte pikërisht mënyra mbrojtëse elementi më i spikatur për ekipin tonë, që në 8 ndeshje pësoi vetëm 5 gola. Ky detaj mund të jetë gjithashtu një shpjegim pse Turqia është e kualifikuara tjetër në grupin tonë, pasi në 9 ndeshje ka pësuar vetëm 3 gola.

Mbetet edhe një mundësi e fundit, ajo kundër Francës kampione e botës dhe ende me objektiv për të mbrojtur vendin e parë. Lista e arsyeve për të qenë inferiorë në këtë ndeshje mund të jetë e pa fund. Por asgjë nuk na ndal t’i luajmë mundësitë tona të pakta, për të provuar t’u japim lamtumirën e duhur këtyre eliminatoreve, për të provuar se barazimi me Andorrën ishte një aksident fatkeq, për të dëshmuar se gjithçka kemi arritur deri më sot nuk është aspak e rastësishme, se cilësitë e lojtarëve tanë janë të mjaftueshme për t’u përballur edhe me rivalët francezë dhe se eksperienca e trajnerit Reja është një vlerë e shtuar.

Në ditën e inaugurimit të stadiumit dhe me shumë mundësi të fillimit të një kapitulli të ri për skuadrën tonë kombëtare, të besuarit e trajnerit Edi Reja kanë një shans për ta bërë këtë 90- minutësh dhe të gjithë mbrëmjen e 17 nëntorit të paharrueshme për futbollin tonë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"