A kanë dijeni në FSHF për ligjin kundër dhunës?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2019 | 20:43

A kanë dijeni në FSHF për ligjin kundër dhunës?

YLLI AGA 

ylli aga

Me pamjet, pothuajse të ngjashme si ato të fundndeshjes në Kamëz në sfidën Kamza-Laçi, përjashtimi për Shkumbinin për shkak të dhunës ndaj arbitrit në përfundim të takimit Shkumbini-Dinamo ishte një vendim i pritur dhe i arsyeshëm.

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

Por ndryshimi i madh dhe i pareflektuar është se në kohën mes të dyja ngjarjeve ka ndodhur një operacion i gjerë dhe gjithëpërfshirës, me protagoniste absolute pikërisht Federatën Shqiptare të Futbollit, që inicioi, asistoi dhe duartrokiti ligjin antidhunë, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më shumë se dy muaj më parë.

Në frymën dhe çdo germë të këtij ligji, gjithkush edhe me kulturë minimale juridike, bazuar në prova, dëshmi, raporte të zyrtarëve të ndeshjes dhe pamje filmike, e ka kuptuar se tanimë është mbyllur përfundimisht kapitulli i dënimeve kolektive. Në këtë këndvështrim ishte dhe duhet të jetë një befasi për gjithkënd përjashtimi i klubit Shkumbini, pikërisht në momentin që në sytë e të gjithëve ka një tablo të qartë për personat e përfshirë në akte të palejueshme dhune mund dhe duhej që vendimmarrja të ishte pikërisht në kahun për të evituar një tjetër dënim kolektiv.

dalin-pamjet-ja-si-u-dhunua-arbitri-ne-ndeshjen-shkumbini-dinamo-ne-peqin_5df53d57ba32f

Do të duhej të merreshin vendime për klubin për mospërmbushje të detyrimeve për organizimin e ndeshjes, të pezulloheshin përjetësisht lojtarë apo drejtues të përfshirë në akte dhune, t’i mohohej e drejta e hyrjes në ambientet sportive çdo personi tjetër dhe t’u lihej dorë e lirë organeve të drejtësisë për të vepruar mbi çdokënd, që ka shkelur ligjin e sapomiratuar nga Kuvendi.

E gjitha kjo, sepse Klubi i Futbollit “Shkumbini”, në rastin e fundit përfaqëson shumë më tepër se çdo dhunues, çdo njeri që vepron në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e garës, apo çdokush tjetër që nuk ka respekt për ngjyrat, historinë dhe krenarinë e një qyteti apo komuniteti të caktuar.

Vetëm duke gjykuar në një mënyrë të tillë, anëtarët e Komisionit të Disiplinës, që në dritën e zhvillimeve të fundit ngjajnë me “alienë”, krejtësisht të painformuar me terrenin e ri ligjor ku zhvillohen aktivitetet tona sportive dhe gjithashtu pa asnjë ndjeshmëri njerëzore dhe sportive për një nga anëtarët e Federatës. Mbi të gjitha, kur vetë institucioni i futbollit është në dijeni të problematikave që e bashkëshoqërojnë, si për sa u takon problemeve financiare të pothuajse çdo klubi, ashtu edhe për sa i takon sigurisë me braktisjen që forcat e rendit i kanë bërë organizimit të aktiviteteve sportive.

Shkumbini dhuna

Dhuna mbetet ende një nga problemet e futbollit tonë, veçanërisht në kategoritë e ulëta. Pikërisht për këtë merr vlerë iniciativa e FSHF-së për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale, por kur fryma e këtyre ndryshimeve nuk ka ajrosur ende zyrat e këtij institucioni, sigurisht që duhet të bëjë çdokënd që të ndihet keq. Dhe do të ishte autogoli më i madh nëse nuk do të ketë një reflektim nga Komisioni i Apelit.

Një vendimmarrje që gjykon dhe dënon maksimalisht çdo person të përfshirë në akte dhune do të ishte mesazhi më i qartë dhe i pastër i qëllimeve që ka FSHF-ja për zhvillimin e këtij sporti. Nëpërmjet të cilit i kërkohet çdo klubi, bashkie me statusin e pronares apo komuniteti të caktuar për modelin e organizimit të shoqatës sportive dhe profilit të njerëzve që kërkohen për këto punë, duke mbajtur larg dhunuesit dhe personat pa asnjë vizion.

Për të ilustruar modelin se si luftohet dhuna, ndoshta është rasti të kujtojmë edhe një herë skenën në takimin Birmingham-Aston Villa, ku u dhunua në fushën e lojës kapiteni i skuadrës, Mike Grealish. Dhunuesi u përball me ligjin, ndërkohë që organizatorët morën vetëm penalizime sportive. Njëjtë duhet të ndodhë edhe te ne. T’u jepet fund dënimeve kolektive dhe në fokus duhet të jetë dënimi i çdo personi që guxon të bëjë dhunën, derisa çdokush të kuptojë se me veprimet e tij penalizon vetëm veten e tij dhe jo klubin apo një qytet të tërë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"