Elbasani ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2019 | 20:13

Elbasani ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet?!

 VLADIMIR MEMA

Vladimir Mema

Elbasani prej një shekulli është ndër ekipet elitare të futbollit shqiptar, nëse përllogarisim atë që ka dhënë gjatë kësaj periudhe jo të vogël kohe. Në rrugëtimin e tyre gati 100-vjeçar, verdheblutë kanë ndërruar shpesh emër, duke veçuar Labinoti në diktaturë dhe Elbasani në demokraci, dy emrat me të cilët njihen edhe dy titujt kampionë.

Por, ajo që ka më shumë rëndësi ka të bëjë me faktin se nuk e kanë ndryshuar asnjëherë identitetin. Përfaqësonte më së miri zonën e Elbasanit, duke u shpallur njëkohësisht dy herë edhe fitues i Kupës së Shqipërisë. Prej shumë sezonesh ka rivalizuar denjësisht ekipet e kryeqytetit, që në periudhën e pasluftës dukshëm kanë qenë më të privilegjuarit.

elbasanii

Atë se çfarë ka qenë dhe çfarë përfaqësonte është diçka e njohur dhe nuk e zhbën dot asgjë, pasi ky klub e ka gdhendur emrin e vet në historinë e futbollit shqiptar. Po sot çfarë është? Thjesht një klub që ekziston vetëm në letër dhe e mban gjallë vetëm e kaluara. Elbasani është kthyer në një klub pa identitet, diçka që e ka karakterizuar më parë, edhe kur ka kaluar situata të vështira. Tani Elbasani e ka humbur edhe atë. Sot ky klub nuk bën më dallim në krahasim me një tjetër që nuk e ka traditën, sharmin apo titujt e elbasanasve.

elbasani kampion

Duket sikur gjithçka e ka mbuluar kaosi dhe duket po kaq e vështirë të gjendet një zgjidhje, qoftë edhe provizore. Në kohët e sotme, në tentativën e parë që klubi do të bëhej “i huaj”, teksa aksionet i morën anglezët dhe nuk e konkretizuan deri në fund këtë synim, Elbasani mbeti rrugëve. Ashtu vazhdon të jetë ende, më shumë në “ajër” se në tokë. Por, ç’do të bëhet?

Elbasani

Këtu vjen më e vështira, sepse është një pyetje që nuk i jep dot kush një përgjigje të saktë dhe të prerë. Shpresat për të rikthyer lavdinë e dikurshme sa vijnë e veniten pak e nga pak dhe duket se situata aktuale do të vijojë edhe për ca kohë.

Nëse ekipet e tjera janë në kulmin e përgatitjeve për edicionin e ri futbollistik, Elbasani nuk ka ende një datë zyrtare për nisjen e tyre, nuk ka trajner, nuk ka lojtarë, nuk ka drejtues. Por, përpos një sezoni që po nis me një Elbasan të vonuar, nuk dihet se ç’do të bëhet përtej këtij viti. Një e kaluar e ndritshme, e tashme e errët dhe një e ardhme enigmë. Mirë apo keq, ky është Elbasani!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"