Sportit shqiptar i mungon vaksina për ta shpëtuar nga kolapsi 30-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2021 | 20:10

Sportit shqiptar i mungon vaksina për ta shpëtuar nga kolapsi 30-vjeçar

Nga VIRON BEZHANI

viron

Edhe kjo dekadë e katërt e sportit “postkomunist” në Shqipëri nuk po nis ashtu si duhet. Pak për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë COVID-19 dhe më së shumti për shkak të politikave antisport që shpesh janë aplikuar në këto 30 vite demokraci.

pjimage (3)

Nëse për këtë flamë të quajtur Koronavirus po gjendet kura me vaksinën që po aplikohet, për të shëruar sportin shqiptar ende nuk është gjetur një zgjidhje. Një vaksinë që ta nxjerrë sportin tonë nga përgjumja që e ka prekur prej dekadash. Një vaksinë, që në fakt duhet aplikuar jo te sportistët e trajnerët që çdo ditë derdhin djersë në pistë, fushat e blerta dhe palestra, por te politikanët e dështuar shqiptarë, te drejtuesit e qeverisë që harrojnë të kujdesen për sportin, duke e lënë atë në harresë të plotë e në mjerim.

Dhe kjo është një çudi, kur kryeministri i vendit është një ish-sportist, që e di shumë mirë se çfarë është sporti, cilat janë vlerat e tij në shoqëri, impakti që ka te rinia etj. Ndoshta vetë “i pari i qeverisë” dhe mjaft të tjerë që janë pas tij në Ministrinë e Sportit, ku vetëm politika për sportin nuk hartohen, duhet ta marrin të parët këtë vaksinë, e cila do të shpëtonte sportin shqiptar.

Vaksinë që do t’i “shëronte” këta politikanë nga inati që kanë për sportin dhe do t’i bënte ata të ndryshonin mendim për ta parë sportin me një sy tjetër, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje e liri. Sporti shqiptar vijon të mbijetojë në gjithë këto vite falë pasionit të atyre që çdo ditë zbresin në terren dhe punojnë në bazë. Ndërsa ata që janë në zyra, që duhet të bëjnë politikat e sportit, harrojnë se çdo të thotë sport, por mendojnë se si të politizojnë gjithçka. Madje edhe vetë sportin, duke ndërhyrë kudo.

viron bezhani

Politikanë, sporti nuk bëhet me premtime të momentit, me një premtim që ju bëni në prag të zgjedhjeve dhe më pas fshiheni kur uleni në karrigen e ministrit apo parlamentarit. Mijëra njerëz presin nga ky shtet që t’i përkrahë, jo vetëm financiarisht, por edhe me ligjet e duhura që ndihmojnë zhvillimin e sportit, afrimin e biznesit. Por, kjo qeveri dhe Ministri e Sportit ka kohë që fle gjumë dhe nuk mendon për sportin edhe pse këtë e ka për detyrë.

Ndaj, për këta njerëz është e nevojshme një vaksinë që të zgjohen e ta shpëtojnë sportin, që të punojnë dhe hartojnë një projekt për të zhvilluar sportin.

Dera e sportit është mbyllur prej kohësh dhe bashkë me të edhe mundësia që ky shtet pati për ta zhvilluar atë, duke e lënë në një gjendje të mjerueshme. Në kushtet e sotme, sporti ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje, për një vaksinë të fortë, që të shkundë njëherë e mirë ata që janë ulur në karrige dhe të hedhin sytë nga sporti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"