Shteti ka dështuar me bastet, duhen buxhete reale për sportin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2022 | 15:12

Shteti ka dështuar me bastet, duhen buxhete reale për sportin

Z.Braçe, ndoqa postimin tuaj në media ku kritikonit deklaratën e z.Armando Duka për hapjen e basteve sportive në vendin tonë. Deri këtu asgjë e keqe, pasi gjithsecili ka mendimin e tij në këtë çështje dhe mund t’ju mbështes deri diku. Ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte deklarata juaj që e dinit që bastet në Shqipëri ekzistonin në të zezë. Kjo është çmenduria e radhës që ndodh në Shqipërinë tonë të vogël, pasi një deputet, një ishzv.kryeministër, flet si pa të keq, pa as më të voglën drojë, se e di që paska baste në të zezë. Dhe, për më tepër, thotë se kjo gjë qenka normale. E fill pas këtij postimi më kujtuat edhe deklaratën e kryeministrit tonë z.Rama që ai e dinte që në sport (futboll) ka evazion fiskal dhe ashtu si ju, e thoshte këtë gjë si në rolin e një qytetari të thjeshtë e jo në atë të kryeministrit që luftën ndaj evazionit fiskal duhet ta ketë prioritet të qeverisë.

viron bezhani

Unë mendoj se ky mosfunksionim i shtetit, në këtë rast për bastet sportive, por edhe në çdo fushë tjetër të shtetit, është arsyeja që për 5 vjet janë larguar nga Shqipëria 221.000 njerëz në emigracion. Një kryeministër dhe një ish-zv.kryeministër deklarojnë pa të keq që e dinë që shteti vidhet!!! Po pse nuk veproni dhe çfarë ju pengon z.Braçe? Vallë mos prisni që këta abuzues t’i kapin vetë abuzuesit? Gjithsesi, ju nuk jeni të vetmit që keni dijeni për bastet në të zezë, pasi këtë gjë e ka thënë hapur disa herë edhe një deputet juaji, Fidel Ylli, që kërkon hapjen e basteve.

Pra, duket se ju të gjithë keni dijeni, i lini ato baste të lulëzojnë në të zezë dhe nuk jeni në gjendje t’i kontrolloni ato. Ju thoni se ka mungesë vëmendje të agjencive ligjzbatuese për këtë çështje. Përse ndodh kjo gjë, përse institucione shtetërore nuk veprojnë dhe zbatojnë ligjin, apo sepse kështu ju leverdis më shumë? Nëse ju lini të lulëzojnë në të zezë bastet sportive, atëherë kështu ju intereson.

Nëse është kështu, atëherë kthejini si dikur ose çojeni deri në fund këtë që keni nisur, duke mbyllur çdo vrimë të basteve në të zezë. Për sa i përket pjesës tjetër të deklaratës, nëse duhet të hapen apo jo bastet sportive në vendin tonë, po jap mendimin tim duke bërë edhe një analizë si ish-drejtues te Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Nuk e mohoj se bixhozi është në fakt një rrezik i madh për individin, familjet, shoqërinë, etj.

Bixhozi është ves që e shoqëron njeriun dhe nuk e lejon atë të bëjë një jetë normale. Po jap disa të dhëna për bixhozin në botë, rreth 290,000 australianë kanë probleme me bixhozin dhe humbasin 4 miliardë dollarë (australianë) në vit. Në Amerikë, luajnë në lojërat e fatit rreth 7.5 milionë amerikanë të rritur, por problemi më i madh është se luajnë 7.9 milionë adoleshentë. 50% e bashkëshortëve dhe 10% e fëmijëve që luajnë bixhoz keqtrajtohen fizikisht.

Fëmijët e bixhozxhinjve janë të prirur për vese të këqija. Fëmijët që luajnë bixhoz bëhen bixhozxhinj manjakë. 50% e fëmijëve që luajnë bixhoz vjedhin familjet e tyre e shumë e shumë probleme të tjera që krijohen nga varësia nga bixhozi. Por këto shifra janë minimale, pasi në këto shtete e në gjithë botën bastet kontrollohen me ligj dhe rregull dhe nuk abuzohet me to, siç ndodh në Shqipëri. Ju nuk ishit në gjendje t’i kontrollonit ato kur ishin legale, madje as tani që janë në të zezë. Atëherë le t’i rikthejmë, por duke i kontrolluar dhe duke i adresuar të ardhurat aty ku duhet.

Shteti mund të mbushë arkën me këto të ardhura dhe t’i adresojë ato te sporti, duke mos dhënë më lëmosha, por buxhete reale për të bërë sport. T’i adresojë ato parà te sporti cilësor, te sporti për të gjithë, të investojë në rritjen profesionale të trajnerëve e mësuesve të edukimit fizik, të ndërtojë palestra, terrene të reja sportive dhe jo pallate.

Nëse i kontrollojmë këto baste dhe paratë që vjelim prej tyre i përdorim për të bërë sport, nxitur e promovuar atë, atëherë kemi fituar këtë betejë me informalitetin dhe i kemi adresuar të rinjtë te palestra dhe edukimi fizik i shëndetshëm. Mos harroni, çdo gjë e ndaluar bëhet më e kërkuar dhe e dëshiruar. Lojërat e fatit nuk i mbylli dot as Enveri, ku shumë shqiptarë luanin në të zezë ndonëse me ligj bastet ishin të ndaluara.

Vetëm tatimet që mblidhte NJMLF shkonin rreth 55 miliardë lekë të vjetër, pa llogaritur sigurimet shoqërore, qiratë e lokaleve, pagat dhe shpenzimet e tjera. Pa llogaritur ata që punonin në të zezë. Për t’i hapur përsëri bastet sportive dhe shteti të tërheqë gjithë këto parà në arkat e tij duhet patjetër të funksionojë ligji, pasi vetëm me një mbikëqyrje të fortë, bastet sportive mbahen nën kontroll dhe evitohet edhe evazioni fiskal edhe puna në të zezë. Kur shteti do, është e thjeshtë që të kontrollohen nga struktura kompetente si AMLF, organet tatimore, forcat e policisë, organet doganore etj., të cilat në bashkëpunim me njëratjetrën mund ta monitorojnë.

Mendoj dhe besoj se ju z.Braçe e dini shumë mirë që s’mund ta bëni dot këtë gjë, pasi të gjitha këto hallka nuk ju funksionojnë. Ju vetë së bashku me kryeministrin e dini se sot ka baste sportive në të zezë dhe nuk jeni në gjendje t’i ndaloni e kontrolloni dot ato, edhe pse i keni njerëzit e mekanizmat e duhur. Atëherë lind pyetja, kush do ta bëjë këtë monitorim, prisni t’ua bëjnë të huajt?

*Ish-presidenti i KOKSH-it

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"