Lëvizja olimpike u mor peng nga qeveria në galanë e ekipit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2021 | 13:53

Lëvizja olimpike u mor peng nga qeveria në galanë e ekipit shqiptar

Nga VIRON BEZHANI

viron bezhani

Fideli i kryeministrit dhe olimpistët e “Njerkës” që ushqehen me Lugë bosh. Ekipi ynë Olimpik është kryevlera e këtij momenti, por ata duken si të urdhëruar për të bërë adetet e qeverisë dhe Fidelit më shumë sesa kolosët ambasadorë të Shqipërisë që janë dhe duhet të mbeten! Kryeministri “mbret i vetëshpallur” bëri së fundmi në “TVSH” skeçin e radhës, ku kjo qeveri arriti “të pronësojë” edhe publikisht me deklaratat e bëra nga kryeministri, atë kënd autonomie që me kartë olimpike CIO ia jep lëvizjes olimpike nga politika. I nxitur nga deliri i të gjithëpushtetshmit, kryeministri Rama i dha të drejtë vetes të fliste siç ka qejf të mendoje se janë gjërat, jo se sa bazë kanë ato në të vërtetë. Ai thotë me eufori: “Është bërë një përgatitje ndjeshëm më e mirë sesa çdo herë tjetër. Kjo i dedikohet kryetarit të Komitetit Olimpik, i cili e jeton sportin me një pasion dhe ambicie që e ka karakterizuar në moshë të re, ku ishte kampion kombëtar për vite të tëra”.

Zoti kryeministër! Mendoj që ju kanë dezinformuar ose më saktë nuk keni kërkuar informacion të saktë, pasi përgatitja e sportistëve nuk është meritë e intervistave pa përmbajtje të Fidelit sa andej këndej, se ai akoma nuk ka pasur mundësi t’i njohë e ndjekë sportistët në terren, e jo më t’i përgatisë, dhe e dyta kampion disavjeçar mund të jetë si ‘bodyguard’ apo në politikë, por jo në sport. Pasi dihet që ka dalë vetëm në një aktivitet dhe ai e di mirë se si ka dalë. Por, e kam kuptuar që një element ku Rilindja e kjo qeverisje është kampione, është të përvetësojë si të sajat merita që as i ka arritur as i mishëron. Kampione e megalomanisë, propagandës, fasadës, mllefit, përjashtimit dhe inatit. E kuptoj që është lumturuar nga lajmi që me çdo kusht, me çdo mjet dhe çdo manovër të pandershme e në konflikt interesi, Fideli i Ramës, të bëhej më në fund president i KOKSH-it, e gjithsesi kjo çështje do të vlerësohet ende dhe do i dalin petët byrekut!

Pasi dihet qe kjo Çështje është në Lozanë. Deri atëherë, lëvizja olimpike shqiptare e marrë peng nga qeveria dhe e varur si çengel nga Fideli, le t’i shohë hajrin kryeministrit që thotë: “Dua të them se e kam pritur me shumë kënaqësi lajmin e zgjedhjes së Fidelit si kryetar i Komitetit Olimpik, pasi nuk kemi arritur dot për vite të tëra që ta motivojmë komitetin për të qenë në lartësinë e vet…”. Zoti kryeministër a e dini ju se si është “zgjedhur” president në mënyrë të paligjshme kanakari juaj, në kohën e pandemisë, duke shkelur të gjitha pikat e statutit dhe udhëzimet e Ministrisë se Shëndetësisë dhe MASR?!

A e dini ju z. kryeministër se kjo çështje është në gjykatë?! A e dini ju z. kryeministër se sekretari që ka sot Fideli është në prokurori për abuzime dhe shkelje ligjore?! Ju dëgjoj që flisni për korrupsionin, atëherë si mezi e keni pritur është koha të bëni vetingun e zyrtarëve të sportit që marrin paga edhe më të majme se e juaja edhe pa qenë në Shqipëri apo edhe kur shkojnë jashtë shtetit me shumë ditë sesa është në Shqipëri për të marrë nënshtetësinë… E kuptoj që jeni i frymëzuar aq sa të përjashtoni edhe nga galaja olimpike në protokolle kreun e shtetit dhe kjo mjafton si kusht që tregon se ju nuk e respektoni rëndësinë që secili që i takon të marrë pjesë, e për këtë ju lutem që gjithashtu të na sqaroni cila ka qenë arsyeja që më përpara ju nuk keni arritur dot të motivoni KOKSH-in?!

Sepse deri tani keni motivuar skilet të bëjnë akrobacira, por ju kujtoj që ligji, faktet, korrupsioni dhe drejtësia kanë një peshë më të madhe se dinakëria e çdo zyrtari skile dhe se e çdo kanakari që nuk ka karakter sa të përballë të vërtetat si burrë, por me dredhi e me shkelje ligji sepse është mburoja e “Mbretit”. “Do t’u japim sportistëve mbështetjen e merituar”,thotë “Mbreti”! Unë do të duhej t’ju falënderoj në qoftë se ju me të vërtetë do ta mbani fjalën e dhënë dje se do t’u jepni sportistëve mbështetjen e merituar, por nëse mbështetje quani të mbështesni Fidelin, atëherë, jeni duke mbështetur një mur pa baza dhe sportistët nuk kanë asnjë themel të vërtetë por fasadë! Suksese sportit tonë, i cili është kampion i sfidave të veta, pa për zyrtarë që kemi, le të themi, që “Zoti ju dhëntë fuqinë e shëndet!”, pa qeveria… ju jep intervista e deklarata nga televizioni pa karar!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"