Kur i del “boja” KOKSH-it, Ylli lyen fasadën për t’i mbuluar vjedhjet Bellos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2021 | 13:46

Kur i del “boja” KOKSH-it, Ylli lyen fasadën për t’i mbuluar vjedhjet Bellos

Nga VIRON BEZHANI

viron bezhani

Për të disatën herë, e dëgjova sërish Fidel Yllin në emisionin “Skaner” të Gerti Çarçanit, ku u përpoq të na e nxirrte të kulluar e të pastër situatën. Nuk më habiti fare njëanshmëria dhe subjektiviteti i Fidelit, pasi unë e njoh prej kohësh, ia di dhe mungesën e karakterit dhe të moralit. Por mendova që meqë e mori atë post (në mënyrë të paligjshme dhe me njerëz me precedentë penalë, si dhe me udhëheqjen e partisë), mendova se të paktën do të heshtte dhe s’do të dilte në mbrojtje të korrupsionit të mikut të tij Stavro… Po ja që qenkam gabuar, duke pasur parasysh që kishe heshtur 8 vjet në Parlament për fondet e sportit, të cilat ai i di se si kanë qenë dhe si janë sot, si në komision ashtu dhe në parlament! Ky gënjeshtar në një anë zbulon vetveten, se as nuk i njeh burimet financiare të KOKSH-it! Të mos flas për mënyrën qesharake se si i përshkroi burimet e financimit të KOKSH-it dhe projektet.

Nga ana tjetër thotë se s’kanë ndodhur abuzime financiare në KOKSH. Guxon të bëjë arbitrin në një situatë ku është në konflikt të pastër interesi sepse është president dhe po përpiqet t’i kthejë ndonjë “borxh” Stavrit, duke tentuar t’ia rehabilitojë reputacionin që Stavri vetë e ka gatuar aq të shëmtuar e me fakte. Fideli thotë që nuk do të vërë kapak, por po njofton që audituesja i ka bërë një letër që e informon se nuk ka shkelje dhe që Fideli do e bindë bordin të marrë vendim që po kjo audituese të vazhdojë pjesën tjetër të auditimit.

Kështu ka zbuluar veten, pasi vendimi që ajo do të marrë do të jetë një vendim i njëanshëm dhe i paraporositur. Dua t’i kujtoj auditueses, se ajo besoj që e njeh fare mirë procedurën se si humbet licenca! Ajo mund t’i ketë lënë një letër me datë e me numër protokolli Fidelit që është president, por duhet t’i thotë atij edhe që deklaratat bankare janë prej kohësh të arkivuara si fakte! Jam i sigurt që ky njeri që po vepron si President i KOKSH-it nuk ka parë asnjë dokument, sepse ai nuk di akoma se sa vite janë për t’u audituar dhe SPAK korrupsionin e ka ende në shqyrtim! Drejtësia do të vendosë në të gjitha hallkat për sekretarin Bello.

Gjithashtu, edhe Ministri i Drejtësisë, Manja, do të marrë së shpejti relacionin që adreson kërkesën për të ndëshkuar shpërdorimin e detyrës dhe fondeve në KOKSH nga sekretari Bello! Fideli u tregua amator dhe më vjen keq pasi e nxori veten zbuluar, duke na treguar se qëllimi i tij nuk është për t’i shërbyer sportit, por për të mbrojtur abuzimet! Foli i bindur në pafajësinë e Stavrit, saktë siç e shikoja unë vitet e para si president në KOKSH! Por e di që Fideli e ka me merak t’i thotë kryeministrit që Stavri s’ka faj dhe situata në KOKSH është e shkëlqyer dhe se sherrxhiu është Vironi.

Ah, sikur të ishte kështu e vërteta! Por sporti po vuan këtë fasadë tuajën dhe këtë lojë shahu mafioze, që po e çon përpara edhe ti Fidel, sepse ta do egoja por jo përgjegjshmëria. Por të rekomandoj të mos vazhdosh të bësh më gafa, se kështu turpëron ëndrrat e sportistëve dhe të trajnerëve që kanë menduar se do t’i mirëqeverisësh. Sporti dhe sportistët nuk janë baste si “Bet 07”! Dole, gënjeve me paturpësi për sponsorizimin e “Raiffeisen Bank”. Sa turp, tregove karakterin tënd, pasi dihet që nuk ishin probleme ndërrimi vitesh, por abuzimi konkret. E para, nuk kishte dijeni kryesia e KOKSH-it fare, e dyta, dhe më e turpshmja ishte se zërat që kishte vënë sekretari i asaj kohe, miku juaj, Z.Stavro, ishin 12 mijë euro për bluza për ditë olimpike dhe dreka 6 mijë dollarëshe për KOKSH-in.

Dua t’ju kujtoj edhe një herë se abuzimet në KOKSH të bëra nga Z.Bello në bashkëpunim me administratën prekin të gjitha fondet, disa prej të cilave po jua jap konkretisht:

1. Fonde nga Solidariteti Olimpik për administrimin e KOKSH-it përfshirë paga janë 45,000 $, ndërsa në fakt janë harxhuar 100,000 $ për vite me radhë vetëm për paga pa përfshirë shpenzime të tjera administrative. A mund të na thuash sot z.Ylli, meqë abuzime s’ka, ku u gjetën këto fonde dhe nga cili zë i fondeve që i jepen KOKSH-it nga ndërkombëtarët janë marrë? Po jua them unë z.Ylli, janë marrë nga programi Kontinetal, nga fondet që duheshin harxhuar për federatat dhe sportistët, por rëndom këto fonde u përdorën për paga dhe shpërblime për administratën e KOKSH-it, me në krye Bellon që qëndronte jashtë shtetit deri në 150 ditë kalendarike në vit.

2. Raporti i auditit i vitit 2018 nxori një sërë problemesh të rëndësishme në KOKSH, ndër të tjera, ekzekutime transfertash pa firmën e presidentit dhe nuk dihej nga kush ishin plotësuar. Këtë e thotë auditi dhe jo Vironi.

3. U kërkua informacion i detajuar për aktivitetet ndërkombëtare ku kishte marrë pjesë KOKSH-i, si për shembull: Lojërat “Tarragona 2018” dhe nuk doli asnjëherë asnjë informacion i saktë sa ishte numri pjesëmarrësve në delegacionin shqiptar dhe burimet e financimit për secilin pjesëmarrës, i shoqëruar ky me dokumentacion justifikues, por vetëm tabela të hartuara nga administrata pa asnjë dokument dhe në vlera të ndryshme.

4. Gjatë viteve 2019 dhe 2020 parregullsitë e z.Bello së bashku me administratën e KOKSH-it u shtuan edhe më shumë, duke e përdorur Komitetin Olimpik si pronë personale, duke copëzuar pagesat për të mënjanuar presidentin, në shkelje të plotë të Statutit dhe Rregullores, prandaj dhe nuk u bë në kohën e duhur auditi për vitet 2019 dhe 2020 nga audituesi legjitim që duhej ta kishte bërë në kohë. Por gjatë gjithë kohës u pengua nga kjo administratë e “pastër”, por sipas jush na qenka bërë pis nga unë.

Po del më i paditur se kështu të intereson apo nuk di?! Apo e ke në stil të korruptosh edhe me poste zëvendësministrore për “të blerë” heshtjen e zyrtarëve?! Si përfundim, z.Ylli, si ish ligjvënës i Shtetit Shqiptar, do të ishte në nderin tuaj të përkrahnit organet ligjzbatuese, t’i respektoni ato e jo të dilni e të mbroni paligjshmërinë, abuzimet dhe më keq akoma, t’i promovoni ato. Ajo çfarë më tha një vajzë e mençur mbrëmë, m’u kujtua që ma kish thënë drejtpërdrejt edhe në një debat në studio televizive 5 vite më parë, kur e mbroja me zjarr punën e administratës së KOKSH-it:

“Z.Bezhani po shpreheni gabim dhe duket që keni këshilltarët e gabuar!” E me fjalë të tjera po ta them dhe ty sot: Fidel, ki kujdes nga kush këshillohesh, sepse gënjeshtrës edhe më të mençurës, këmbët i mbeten të shkurtra edhe kur vjen nga basketbollistë.

Viron Bezhani, ish-president i Komitetit Olimpik, ish-president i FSH Mundjes, ish-sekretar i Përgjithshëm i FSH Mundjes, Shef Misioni në Lojërat Olimpike, 13 herë kampion kombëtar në mundje, mikpritës i dy Europianeve dhe dy Botërorëve të Mundjes, trajner e pedagog në një nga institucionet akademike më të nderuara.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"