Bursat e turpit, KOKSH paguan vendet e fundit më shumë se medalistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2022 | 13:18

Bursat e turpit, KOKSH paguan vendet e fundit më shumë se medalistët

Nga VIRON BEZHANI

Paraqitja e problematikës shumë të mprehtë të KOKSH-it si sherr personal mes meje dhe ish-sekretarit është keqdashje e qëllimshme. Kur unë konstatova dhe faktova se ish-sekretari kishte abuzuar me fondet e sportistëve për përfitime personale, e denoncova atë në KE dhe kur Komiteti Ekzekutiv nuk reagoi bëra edhe kallëzim në Prokurori, bazuar edhe në fakte të qarta e të vërtetuara edhe nga auditi.

bezhani (1)

Mjafton të përmend vetëm një fakt që është ai i tërheqjes së fondeve të KOKSH-it nga ana e ish-sekretarit në 35 raste, kur në vend që të dërgonte në bankë kërkesën me dy firma, pasi firma ime është e domosdoshme, i ka çuar vetëm me firmën e tij, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Ka edhe plot raste të tjera skandaloze të abuzimit të ishsekretarit me detyrën dhe insistimi im që të vihej para përgjegjësisë nuk është sherr personal.

Por Fidel Ylli kërkon qëllimisht që ta quajë sherr, pasi në këtë mënyrë do që të minimizojë shkeljet e evidentuara dhe të vazhdojë edhe ai në të njëjtën rrugë. Kësaj i shërben edhe shkarkimi i thesaristit Genc Boga, i cili ka kundërshtuar veprimet financiare të presidentit pa miratimin e Komitetit Ekzekutiv. Këto fakte tregojnë se Fideli ka ardhur në KOKSH për interesat e veta dhe jo ato të sportit shqiptar.

SKANDALI ME BURSAT – Në lidhje me procedurat e bursave olimpike, situata ka ardhur në përkeqësim dhe kemi një mungesë të theksuar transparence që tashmë po nxjerr në pah një tjetër skandal të madh. Vetëm të mendosh që jemi në 3-mujorëshin e tretë të lëvrimit të bursave nga solidariteti olimpik, ndërsa vetëm dy ditë më parë është shpallur lista zyrtare. Lind pyetja çfarë ka ndodhur? Pse kjo listë del vetëm tani?!

A ka një procedurë transparente të përzgjedhjes së këtyre sportistëve. A është ndjekur i plotë procesi, i cili fillon me propozimin e federatave dhe më pas diskutimin e tyre në komisionin teknik dhe më tej me vendimin e komitetit ekzekutiv. E kam të dokumentuar se mbledhje në komitet nuk ka pasur fare, por njëkohësisht edhe letrën që ka ardhur në IOC për sa i përket vonesës së bursave. Në fillim lidheshin kontratat me sportistët dhe në dijeninë time deri më sot asnjë prej hallkave të këtij procesi nuk është transparent, kjo për vetë faktin se listat u shpallën 10 muaj me vonesë. Sot sportistët duhet të kishin marrë tetë muaj bursa, por si do të merren këto bursa, pasi sportistët në bazë të kontratave të nënshkruara, kanë detyrimet e tyre për të plotësuar, si nga ana sportive gjithashtu edhe nga dokumentacioni, të cilat janë të domosdoshme për lëvrimin e fondit nga solidariteti olimpik.

Pra, gjithçka do të firmosej dhe do të bëhej publike. Pra, ky proces ka vajtur si mos më keq, aq më tepër duke pasur parasysh që KOKSH-i ka një KE gjysmake. Mungon thesaristi, i cili ka shumë rëndësi në vendimmarrjen me karakter financiar. Pra, deri tani KOKSH-i ka vepruar pa thesaristin, gjë që është një shkelje e rëndë. Si konkluzion KOKSH-i është kthyer në një institucion bunker, ku asgjë nuk bëhet transparente e gjithçka e vendos Fidel Ylli dhe nuk është aspak në shërbim të sportistëve. Mjafton të shikojmë listën se si ndahen lekët.

Si ka mundësi që një medalist botëror si boksieri Alban Beqiri, të marrë më pak para se një qitëse që del në çdo eveniment ndërkombëtar në vend të fundit?! Çfarë kriteresh janë ndjekur për ndarjen e këtyre shumave?! Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, i cili është edhe anëtar në KE e KOKSH, a e ka mbrojtur këtë ndarje, ku një boksier i rangut botëror të vlerësohet më pak se të tjerët, duke pasur rezultate shumë herë më të larta se ata…?!

MESDHETARET MË TË DOBËTA – Fidel Ylli mburret se ka ndryshuar funksionimin e KOKSH-it. Nëse e ka bërë këtë gjë, atëherë e ka ndryshuar për keq. Në Lojërat Mesdhetare ne kishim pjesëmarrjen më të dobët, si në numra ashtu edhe në organizim. Delegacioni ynë prej 29 sportistesh është më i vogli që kemi pasur ndonjëherë. Ndërkohë që janë edhe 19 zyrtarë që kanë shkuar për turizëm në Oran. Madje, ekipi i qitjes shkon pa trajner.

Skandali vazhdon që ekipi olimpik ka pritur 6 orë në aeroport në Oran sepse nuk kishte prenotuar transportin për në hotel. Gjithashtu, noti shqiptar nuk kishte prenotuar korsitë e stërvitjes dhe ka bërë stërvitje në korsitë e notarëve të Kosovës. Kosova, në Mesdhetare kishte 63 sportistë, më shumë se dyfishin tonë. Notarët tanë kishin vetëm një kapuç me shkrimin “ALB”, kapuç të cilin e kalonin të tre dorë në dorë sepse KOKSH-i nuk kishte mundësi të porosiste tre kapuça noti…!

SHKELJE DHE GËNJESHTRA – Ylli mburret me krijimin e ekipeve sportive, por ky “projekt” është një abuzim financiar dhe shkelje e qartë e ligjit. KOKSH-i nuk ka asnjë punë me sportin në shkollë dhe aq më pak të organizojë dhe drejtojë projekte të tilla. Sporti në shkollë është atribut i Federatës së Sportit Shkollor, basketbolli dhe volejbolli janë të Federatave respektive dhe KOKSH-i është jashtë loje në këtë punë. Deklaron se ish-presidenti po mbante peng KOKSH-in, si po e mbaja peng, duke kërkuar që ta fusja institucionin në shina të ligjshmërisë?!

Si deputet nuk u largua pas tri mandatesh, por e hoqën, ndërsa në komisionin që ka qenë, asnjëherë nuk e ka ngritur problemin e fondit që merrte sporti, por gjithmonë e ka miratuar siç i ka ardhur. Ai ka qenë fondi më i vogël në historinë e sportit dhe Ylli kurrë nuk e ka kundërshtuar. Është e turpshme të dëgjosh prej tij kur deklaron se politika duhet të bëjë politikën, por jo të fusë hundët.

Deklaron se shumë terrene sportive u bënë pallate, por asnjëherë nuk e ka ngritur zërin kundër kësaj gjëje kur ka qenë në parlament. Thotë se Buxhetin e Federatave e ndamë në dy faza dhe se është më i madhi në historinë e sportit. Kuptohet qartë që ai nuk e njeh aspak historinë e sportit, sepse para 13 vitesh, sporti ka pasur një buxhet shumë më të madh. Fondet për sportin në vitet 2002 deri në 2004 kanë qenë 3.38 miliardë lekë.

Cili është qëllimi i ndarjes së buxhetit në dy faza apo pasja në dorë e Federatave se “kush nuk sillet mirë”, pra të bëjnë si do Fideli, sepse në fazën e dytë mbetet pa gjë. Për Lojërat Mesdhetare thotë se Federatat duhet të paguajnë rrugën vetë, kurse ne kemi akomodimin.

Gënjeshtra e radhës, pasi rruga është detyrim i KOKSH-it, ndërsa akomodimin e ka pala pritëse. Besoj se më e rëndësishme ka qenë pjesëmarrja në Lojëra sesa të harxhosh 64 mijë $ për zyrat. Janë bërë palestra të reja në shkolla, por ka një vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 319 datë 12.4.2017, për miratimin e standardeve jo sipas standardeve që i deklarojnë këta: 20 me 40 minimumi jo 800 m2 , por 1144 m2 .

Thotë se edhe Kosova, me ligjin e sponsorizimit nuk është se ka marrë shumë lekë, 700/800 mijë $… Turp, pasi Kosova këto lekë i merr nga shteti, kurse vetëm në vitin e COVID-19 ka marrë 500 mijë euro, ndërsa federatat mbështeten nga MKRS në bazë të ligjit dhe ndarjes si edhe sponsorizimet që po merr. Mjafton të dëgjosh deklaratën e Driton Kukës se sa lekë merr tani sporti i Kosovës…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"