Leksion nga Kosova për derbin dhe një zgjidhje për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 22:11

Leksion nga Kosova për derbin dhe një zgjidhje për tifozët

VASIL RUCI

Ruci Vasil

Nuk jam në gjend je të numëroj se sa ndeshje derbi mund të ketë në territorin e banuar nga shqiptarët, por nuk mendoj se ka ndonjë më të mbuluar mediatikisht se ai midis skuadrave të Tiranës, në të cilat fatkeqësisht prej vitesh mungon njëra prej shkollave më të mira të futbollit shqiptar, Dinamo.

Sot nuk kam ndër mend të shkruaj për futbollin brenda fushës së blertë, por për atë jashtë fushës. Derbi i fundit i Tiranës më përforcoi bindjen se përgatitja e ndeshjeve, jo në aspektin tekniko-taktik, por në aspektin e kulturës dhe mesazhit që duhet të përcjellë sporti, lë shumë për të dëshiruar.

skifterat gjilani

Në radhë të parë ky është një defekt i vetorganizimit të klubeve shqiptare në përgjithësi. Pothuajse në të gjitha klubet mungon ndërlidhësi i klubit me tifozin. Gjithçka i lihet spontanitetit dhe komandimit nga jashtë strukturave. Duke mos e institucionalizuar tifozin si pjesë të strukturave mbështetëse të klubit, duke mos i dhënë aspak hapësirën e duhur që ai ta ndiejë veten si pjesë të rëndësishme të sportit, e vendosim atë në pozita përjashtuese dhe gjithçka e lëmë në dorë të spontanitetit dhe krejt jashtë kontrollit.

Në këtë mënyrë jo pak herë klubet gjenden para përgjegjësive edhe ligjore për atë pjesë të organizimit, të cilën në shumicën e rasteve nuk e konsiderojnë pothuajse fare si pjesë të tyren. Dhe të mendosh se po lëmë jashtë vëmendjes pjesën kryesore të këtij mozaiku në përgatitjen e një takimi sportiv: pikërisht tifozin.

banderola e skandalit

Kjo mënyrë të punuari është dhe një nga arsyet që në shumicën e rasteve na ka çuar deri në braktisje gjithnjë e më tepër të stadiumeve tona. Ditën e derbit të qytetit të Tiranës zgjodha të isha prezent në një tjetër derbi, po ashtu shqiptar, por kësaj here në Kosovë. Pikërisht ai midis Dritës dhe Gjilanit. Jashtë fushës atmosfera krejt festive nga të dyja palët, nëse e krahason me atë të Tiranës dhe tepër mbështetëse për ekipet e tyre brenda stadiumit. Një histori klubesh e cila kishte nisur bashkë dhe më pas kishte përfunduar në ndarje. Fillimisht edhe me momente problematike, por tashmë të tejkaluara dhe të kthyera në festa sportive për qytetin.

Mbështetja e fuqishme për klubin, antagonizmi më se normal në tribuna, kore që nuk pushonin asnjë moment së përkrahuri ekipin përkatës dhe pothuaj aspak fyerje. A pati gjeste antisportive? Tepër të vogla nëse krahasohet me tonat. Nëse futbollistët në fushë u dendën me kartonë dhe futbolli në fushën e lojës mund të mos jetë ngjitur në nivelin e kërkuar, në tribuna për mbështetjen ndaj ekipit, për mënyrën e përjetimit të sfidës e mbi të gjitha për kulturën e treguar jashtë fushës, tifozët meritonin notën 10.

Sherri6

Jam i bindur se me atë që pashë në Kosovë, strukturat që lidhin klubin me tifozin funksionojnë shumë më mirë. E gjitha ishte fryt i një tjetër këndvështrimi për tifozin, pikërisht duke e trajtuar atë si pjesë aktive të klubit. Natyrisht, çdo përplasje sportive ka një humbës dhe një fitues. Fituesit festojnë dhe humbësit përjetojnë dëshpërim me shpresën se te takimi i radhës do t’i bëjnë gjërat ndryshe.

Por, as entuziazmi i fitores dhe as dëshpërimi i humbjes nuk mund të errësojë arsyen dhe të mbytin dashurinë për sportin dhe vlerat e tij. Dashuria për sportin është dashuri për jetën. Mendoj se këtë hallkë kaq të rëndësishme në klubet e Shqipërisë nuk e kemi aspak funksionale. Ose nuk marrim mundimin ta vlerësojnë këtë si çështje shumë serioze, ndoshta dhe për shkak të dhjetëra problemeve të tjera me të cilat përballen klubet sot. Kjo nuk është një çështje imazhi.

Është çështje koncepti dhe ai klub që do të ngrejë sa më parë struktura të tilla të konsoliduara, të cilat t’i përkushtohen ngritjes së cilësisë jo vetëm brenda fushës, por dhe në shkallët e stadiumit dhe jashtë tij, të cilat të kenë marrëdhënie të hapura e të sinqerta me tifozët e vet, pikërisht ato klube do të ngjiten në majat e cilësisë së futbollit. Jo vetëm te loja në fushë, por mbi të gjitha te spektakli që duhet të ofrojë ky sport në të gjithë aspektin e tij.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"