Superkupa e Shqipërisë të luhet në Itali ose Greqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Janar 10, 2020 | 22:55


Superkupa e Shqipërisë të luhet në Itali ose Greqi

UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Kam kohë që e kam këtë ide. Ngacmimin e fundit e mora duke parë Supërkupën e Italisë, Juventus-Lacio, zhvilluar pak ditë më parë në Saud University Stadium në Rihad të Arabisë Saudite. Një mjedis i jashtëzakonshëm festiv, atmosferë spektakolare, burra, gra, fëmijë, gjithçka në sintoni, shumë emocionuese edhe pse larg, shumë larg.

Nuk është hera e parë, por ka vite që Superkupa nuk luhet në Itali, por prej disa sezonesh, gjithmonë në fund të vitit organizohet në një shtet tjetër. Nga Kina, në Japoni, Amerikë, kjo e fundit në një tjetër kontinent. Një formë moderne, eksperiencë pozitive, që transmeton e shkëmben vlera, jo vetëm sportive.

Një mënyrë që lidh shtete, rrit dhe forcon fqinjësitë, krijon të tjera raporte, një tërësi me argumente që garantojnë argëtim, me interesa të ndërsjella nga vetë klubet, me të ardhura nga e drejta televizive, biletat e shitura, me sponsor të fuqishëm që mund të kontribuojnë, me interesim total nga media, ajo televizive, opinionistë, gazetarë, skuadra, futbollistë, arbitra. Dhe mbi të gjitha, numrin e madh të spektatorëve të pranishëm në stadium.

Po një finale e Superkupës së Shqipërisë a mund të zhvillohet në një shtet tjetër? Aktualisht nuk mund të pretendojmë në Amerikë, as në Angli e Francë, apo Zvicër e Spanjë, por në Itali ose në Greqi do të ishte një mundësi reale. Së pari për të transmetuar e përcjellë vlerat e futbollit kombëtar në një vend tjetër potent si Italia, me pasionin e saj të njohur për këtë sport. Së dyti, në Italinë e afërt, ku kanë shkëlqyer nga Boriçi, Lushta e Kryeziu, pastaj Tare, Bogdani deri te Strakosha, Berisha, Kumbulla etj.

Ose edhe në Greqi, ku kanë lënë gjurmë F.Strakosha, Bushi, Murati, Kushta, Haxhi, Lila, Kaçe etj… Të gjithë protagonistë të futbollit elitar në ato vende. Dhe së treti, për një motiv shumë të rëndësishëm, sa human, aq edhe sportiv: një finale e Superkupës shqiptare zhvilluar në një qytet, apo krahinë, në një prej vendeve ku jetojnë e punojnë kaq shumë shqiptarë, çfarë mundësie, sa kënaqësi do t’i ofronte e jepte atyre një përballje e tillë?!

partizani-superkupa

Do të ishte një eveniment i rrallë, kur në një mesditë apo mbrëmje, familje, fëmijë, vëllezër, motra, të afërm, do të ishin të gjithë bashkë në një stadium, e mjedis të madh festiv kuqezi, apo me flamurë, veshje, simbole të skuadrave finaliste. Me tifozëri të organizuara, që do udhëtonin nga Shqipëria, në çdo kënd të Italisë ose Greqisë, për të asistuar e qenë të pranishëm në një sfidë që do të mbartte vlera shumë më tepër se një ndeshje futbolli, se një 90-të minutësh tradicional. Çfarë emocionesh do të përcillte.

Pastaj me mundësinë, premisat, duke hapur rrugën e marrëdhënieve, shkëmbimeve që një finale analoge e një shteti tjetër të zhvillohet në Tiranë, me kushtet që të ofron sot stadiumi modern kryeqytetas “Air Albania”. Atëherë, pse të mos mendojmë për ta organizuar e zhvilluar një finale të Superkupës sonë në Itali, ose Greqi, duke i dhënë me këtë rast kënaqësi shqiptarëve aty ku banojnë, punojnë e jetojnë prej vitesh?

Mundësitë dhe dëshira, them se ekzistojnë, tjetër arsye për ta penguar një aktivitet të tillë, nuk gjej. Si turneu shumëdimensional, Shqipëri-Turqi-Itali-Greqi, një unifikim pa limit zemrash, kombëtare, lojtarë, dashamirës, të gjithë bashkë në një mbrëmje, me një qëllim madhor: për të kontribuuar në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. Mjafton vullneti dhe një iniciativë më shumë, për të realizuar gjithçka. Dhe sportit tonë nuk i ka munguar e nuk do t’i mungojë ky potencial. Për këtë jam i sigurt!

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com