Të fitosh një Europian a Botëror me 11-metërsha?!..

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 19:05

Të fitosh një Europian a Botëror me 11-metërsha?!..

Nga SKIFTER KËLLIÇI Boston, SHBA

skifter kellici

Është e habitshme, por e vërtetë… Kështu fitoi Brazili në finalen e Botërorit të vitit 1994 kundër Italisë, pasi loja e rregullt, me gjithë shtesën, përfundoi 0-0. Po kështu fitoi edhe Italia në Botërorin 2006 kundër Francës. E njëjta gjë u përsërit edhe të dielën e kaluar, por në finalen e “Euro 2020”, ku Italia mundi Anglinë. Pra, pas serisë së 11-metërshave, kur kishin zhvilluar 120 minuta lojë… por arriti të paktën një fitore pas një gjuajtjeje më këmbë dhe jo si më 1968-ën në gjysmëfinalen Itali-Bashkimi Sovjetik, kur “Axurrët” fituam me short, kokë a pilë… dhe kaluan në finale, u ndeshën me Jugosllavinë dhe barazuan 1-1, me gjithë shtesën e lojës.

Por atëherë UEFA respektoi traditën, vendosi që dy ditë më pas të zhvillohej një tjetër finale, ku italianët me 8 futbollistë të freskët fituan 2- 0 ndaj jugosllavëve të sfilitur dhe u bënë për herë të parë kampionë të Europës. Dhe ja, pas 53 vjetësh janë përsëri kampionë të tillë, por pas “ruletës” së 11- metërshave. Sidoqoftë, e përsëris, shumë më mirë se me short. Megjithatë, siç do të shpjegoj më poshtë, edhe seria e 11-metërshave nuk përcakton gjithnjë skuadrën më të mirë, më të fortë, kampionen e denjë. Nëse Morata do të kishte shënuar 11-metrshin e tij në takimin gjysmëfinal me Italinë dhe nëse Spanja do të kishte fituar në këtë mënyrë takimin, të tërë do të thoshin se skuadra iberike e meritonte të dilte në finale, sepse në atë ndeshje luajti më mirë se Italia, pa mohuar kurrsesi edhe meritat e kësaj të fundit, të dëshmuara edhe në ndeshjet e mëparshme.

Sidomos kundër Turqisë, Zvicrës e Belgjikës, ku luajti gjithashtu shumë mirë. E njëjta dukuri u përsërit në finale, ku edhe sikur të kishte humbur me 11-metrësh ndaj anglezëve, të tërë do të thoshim se Italia ishte kampione e vërtetë e këtij europiani dhe se “shpikësit e futbollit” fituan falë lotarisë së 11-metërshave. Pra, a është zgjidhje e drejtë që përcaktuesja e një ndeshjeje për një titullin kampion në futboll të zgjidhet pas “ruletës” së 11-metrshave? U quajt zgjidhja më e mirë, kur më 1970-ën ish-gjyqtari gjerman Karl Uald i propozoi Bundesligës që pas shtesës së një ndeshjeje, e cila mbyllet në barazim, fituesja të përcaktohet në këtë mënyrë. Dhe drejtuesit e saj e miratuan pa ngurrim këtë propozim.

Më pas ky rregull u mirëprit nga federatat e tjera europiane, UEFA dhe pastaj nga FIFA. Këtu në Amerikë kam parë që në raste të tilla gjyqtari ka akorduar një tjetër mënyrë për të përcaktuar fituesin: Futbollisti nisej nga një largësi prej 40-metrash drejt portës dhe vihej përballë portierit, që bënte ato veprime të cilat atij i dukeshin të arsyeshme: rrinte në portë ose i dilte kundërshtarit përpara, për t’i ngushtuar rrezen e veprimit. Nga ana tjetër, i pari përdorte arsenalin e tij teknik për t’iu mënjanuar “gardianit” dhe shënuar. Kur e pashë për herë të parë zbatimin e këtij rregulli në një stadium të Bostonit, m’u duk interesant, sepse lojtari nuk bënte një veprim të thjeshtë, pra nuk gjuante topin drejt e në portë, por për dorte dhe lëvizje mashtruese për të mposhtur portierin. Por me sa duket, FIFA, në rast se është bërë një propozim i tillë, nuk e ka parë të arsyeshme të vërë në zbatim një rregull si ky.

Këto ditë së bashkë me një gazetar amerikan po diskutonim rreth ndeshjes finale Itali-Angli që përfundoi me ngadhënjimin e italianëve, pas lotarisë së 11-metërshave. I shfaqa atij mendimet e mia rreth këtij problemi, të cilat i dëgjoi me shumë kureshtje dhe më dha të drejtë. Ato po i parashtroj për lexuesit: Për përcaktimin e skuadrës fituese në rastet e mësipërme, të merren parasysh jo gjuajtjet nga pika e 11-metërshit, por gjuajtjet gjatë ndeshjes së njërës ose tjetrës skuadër në hapësirën e portave, duke përfshirë edhe pritjet e portierëve, si dhe goditjet e topit në shtyllat përkatëse. Në rast se numri i tyre është i barabartë, të merret parasysh përqindja e zotërimit dhe qarkullimit të topit në gjysmëfushën kundërshtare, pastaj goditjet e këndit, si dhe numri i kartonëve e verdhë ose të kuq për secilën skuadër.

Këto janë elemente përbërëse të ndeshjes, kurse 11-metërshat pas 120 minutave lojë janë shtojcë artificiale e saj. Ato nuk tregojnë gjithmonë nivelin teknik të lojtarit, sado i mirë qoftë ai, ndonëse para ndeshjeve të tilla trajnerët i stërvitin lojtarët të gjuajnë nga pika e 11-metërshit. Fakti që lojtarë të tillë si Pele, Maradona… për të ardhur te Ronaldo dhe Mesi kanë humbur goditje të tilla, dëshmon se vendimtare në të tilla rast nuk është përgatitja e lartë teknike që ata kanë, por gjendja shpirtërore. Është e çuditshme se si këta futbollistë dhe të tjerë, në galerinë e futbollistëve më të mirë në historinë e futbollit botëror, të shënojnë me goditje “kirurgjikale” dënimi mbi murin e mbrojtjes dhe të mos shënojnë nga pika e 11-metërshit. Morata arriti të gjuante dhe të shënonte një gol të rrallë në portën e Donarumës pas një aksioni të përkryer dhe u drodh po para këtij portieri dhe gjuajti keq 11-metërshin e fundit që fundosi Spanjën aq premtuese në “Euro 2020”.

Shkruhet se portierët janë hipnotizues dhe parandiejnë se nga ç’anë do ta gjuajë kundërshtari 11-metërshin. Nuk më duket se është kështu. Sa e sa herë kemi parë portierë të hidhen nga një anë dhe topi përfundon në rrjetë ose edhe jashtë, në anën tjetër të portës. Kjo tregon se portieri hamendëson se kundërshtari do të gjuajë në një anë, ndaj ai hidhet andej, “të dalë ku të dalë”, dhe jo rrallë e pret ose e largon topin. Si përfundim, nëse FIFA një ditë do të vendoste që fitorja në raste të tilla do t’i jepej skuadrës që ka ato tregues që përmenda më sipër, pra më të mirë se skuadra kundërshtare, e përsëris, se ka zhvilluar një volum më të madh të lojës në gjysmëfushën e skuadrës kundërshtare, ka gjuajtur më shumë në portë, ka gjuajtur gjithashtu më shumë goditje këndi, ka bërë më pak faulle, ka pasur më pak pozicione jashtë loje e ka pasur më pak kartonë të verdhë, a të kuq, – të dhëna që i shohin shikuesit në stadium dhe teleshikuesit në ekran në fund të pjesës së parë dhe të tërë ndeshjes, – ajo ka dëshmuar kështu se është më e mirë se skuadra kundërshtare dhe meriton të jetë fituesja e saj.

Nga ana po tjetër, po të zbatohej ky rregull, skuadra mbi të gjitha do të përpiqeshin të gjuanin sa më shumë që të shënonin, duke e ditur që këto gjuajtje do të vlenin në rast barazimi edhe në shtesën e ndeshjes. Dhe kjo sepse ka ndodhur që një skuadër e dobët që ka arritur ta mbyllë kohën e rregullt në barazim me një skuadër tjetër më të mirë se ajo, të presë të ruajë rezultatin e barabartë dhe të fitojë me 11-metrësha. Po kujtoj vetëm një ndeshje në çerekfinalet e Botërorit “Meksikë 1986” midis Spanjës dhe Belgjikës, ku në shtesën e lojës spanjollët kishin epërsi dërmuese, por belgët u mbrojtën “heroikisht”, arritën te 11-metërshat dhe fituan.

Madje, arritën të zinin vendin e katërt pas Francës dhe Gjermanisë, që u mund në finale nga Argjentina e Maradonës, kampione botërore (2-1). Do të bëjë dikush pyetjen: po në të tilla raste nuk shohim gol? Ashtu vërtet, por shohim një skuadër që nuk fiton me një 11-metërsh të rastit, por me elemente rrënjësore të lojës së futbollit. Ja përse edhe gazetari amerikan, njohës i mirë i futbollit, i mirëpriti këto mendime, të cilat unë po ua paraqes lexuesve.

PANORAMASPORT.AL

Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"