Iku Vllaznia, një kala u rrëzua!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2018 | 19:34

Iku Vllaznia, një kala u rrëzua!

SENAD NIKSHIQI

Një mit bie. Një legjende bie. Rrëzohet një ëndërr, shu het një emblemë. Bie një simbol. Bie shumëçka. Goditet në zemër historia e futbollit shqiptar. Si do t’i dalim para Ramazan Rragamit, Sabah Bizit, Çapalikut të madh, Paulin Ndojës, Hysen Zmijanit, ujkut Ferid Rragami, po Selami Danit?!

senad nikshiqi

Çfarë mendon lart në qiell Loro Boriçi, Xhevdet Shaqiri, Ardian Arra, Reshit Rusi, Qazim Dervishi, Muhamet Dibra, Esat Rakiqi, Medin Zhega? Si do të flasim me Astrit Hafizin, Bardh Jerën, Alban Nogën, Astrit Premçin, Vior Sinanin, Edi Martinin, Bekim Balën, Armando Cungun, Elvin Beqirin, Safet Osjen, Admir Telin, Uliks Kotrrin e shumë e shumë emra të tjerë?

Si do t’i afrohemi stadiumit të Shkodrës, aty nga ku rrodhën emocione pa fund, aty ku u mbushën miliona zemra me çaste gëzimi, aty ku Vllaznia fluturonte me yjet e saj duke u bërë drita e syve për dhjetëra e dhjetëra breza që nga 1919-ta, për të vijuar për një shekull me radhë?

Si do t’i përballojmë dridhjet e zemrave të tifozëve të pafundëm që Vllazninë në Shkodër e kanë një fe? Po të prekësh Vllazninë, ke prekur gjithçka, ke goditur shpirtin e shkodranit dhe jo vetëm. Po si do t’ia themi këtë histori të trishtë mijëra tifozëve, breza të hershëm për të ardhur deri tek ata në ditët e sotme, të cilët lënë bukën e gojës për një biletë stadiumi se Vllaznia është dashuria e tyre, Vllaznia është familja, Vllaznia është heroina e pavdekshme.

Vllaznia

Po kush do e mbajë në kurriz këtë turp, a do ketë dikush forcë t’ua thotë fëmijëve. Po çfarë do t’i themi se ra kalaja e futbollit shqiptar, se u godit simboli, emblema, se u godit shpirti i tyre. A e meriton vallë Shkodra këtë shkërmoqje të futbollit, a është Vllaznia ekipi për t’i thënë lamtumirë elitës në momentin më të lumtur të saj, atëherë kur vitin e ardhshëm do festojë 100-vjetorin?! A do jetë një festë prej vërteti apo një festë e hidhur?

A do ketë vlera jubileu i Vllaznisë apo do të kalojë me kokën ulur të Shkodrës përballë këtij turpi të pamerituar. Kush ua kishte borxh të gjithëve ne që për 100 vite me radhë u rritëm e ushqyem me ndjenjat më të forta dhe krijuam fortesën më të madhe të futbollit shqiptar.

Vllaznia

A e dinë këta se po të nisë të shkruhet historia e lojës me top e këmbë, fillimisht duhet ndalur në Shkodër, aty ku u krijuan ekipet e para për të ardhur deri te Vllaznia e madhe e 1919-ës, që do t’i jepte jetë këtij sporti në mbarë Shqipërinë. Si mund të gjunjëzohet në 100-vjetorin e saj kalorësja e futbollit shqiptar?! Nuk do di çfarë t’i them të nesërmen vajzës time, djemve e vajzave të Shkodrës, të cilët do ndihen të zbrazët në mëngjesin e parë të kësaj katastrofe. Shkodra nuk do flejë as nuk do zgjohet sepse Vllaznia, kryefjala e çdo qelize ka ‘vdekur’.

vLLAZNIA

Asnjëherë nuk deshëm ta besonim se ky ishte një fund i hidhur që nisi të gatuhej 6-7 vite më parë në Bashkinë Shkodër. Klubi më i madh i futbollit që u kap në dorë nga politika, për vite me radhë u keqtrajtua, drejtues e ish-drejtues që abuzuan, kryebashkiakë e ish-kryebashkiakë që e keqmenaxhuan. Një ekip që u kthye në mëshirën e futbollit shqiptar, një fanellë e rëndë, që për llogari të politikës së ditës, për ca vota më shumë, u kthye nga një aset me vlera në një aset politik. Faji një ditë të ndëshkon. Shkodra do të jetë e mangët pa Vllazninë. Një KALA u rrëzua!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"