Loja me Vllazninë dhe flluska “Brdariç”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 15:15

Loja me Vllazninë dhe flluska “Brdariç”

ROLAND LUÇI

Luci-Roland

Nuk u ngopën dot me fiaskon Engin Firat, duhet që tallja të vazhdojë. Qofsha i gabuar, por në vend që Vllaznia të luajë, me Vllazninë po luhet. Në hallakatjet gati dhjetëvjeçare, Vllaznia e rrezikuar për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar, thirri në ndihmë dhe drejtim ish-lojtarin e saj më jetëgjatë shkodran, të mirënjohurin Hysen Dedja. Ishte një nga vendimet (e rralla) të duhura të viteve të fundit dhe rezultati në fund buzëqeshi. Sado që turpshëm, mund të pohohet se si kanë ardhur punët, duhet përshëndetur që Vllaznia nuk ra nga kategoria. Ndërkohë, edhe në trysninë e gjendjes së vështirë, diçka po luante në prapaskenën e klubit shkodran. Flitej për një lloj privatizimi, afrimin e një sponsori, një drejtim të ri e profesional.

Unë “kontaktin” e parë me sponsorin e vetofruar e pata nëpërmjet një ekrani televizioni, ku ai u shpreh pak a shume se: “Do ta marr Vllazninë dhe brenda dy-tre vjetësh dua të realizoj fitim, sepse jam biznesmen dhe ky është qëllimi i biznesit”. Më la përshtypje të athët. Klubi Vllaznia po trajtohej si një mall tregu, paçka se gjithkah shpërtheu entuziazmi se më në fund “presidenti” u gjet, Vllaznia do të ngrihet. Ndërkohë që Vllaznia mbijetoi, në publik nuk doli asnjë projekt sportiv, asnjë detaj kooperimi mes bashkisë dhe sponsorit të ri, asnjë ndarje detyrash administrative, kompetencash e padiskutim dhe përgjegjësish. Sponsorizuesi i ri më tepër më jep përshtypjen e menaxherit të fondeve bashkiake, se të një investitori serioz. Përsëri uroj të jem i gabuar në këtë konstatim.Dedja Vllaznia

Unë, e parë gjë që prisja, ishte zgjatja e kontratës me Serin (i referohet Hysen Dedjes), jo kalova lumin e kali është imi, apo si është ajo shprehja… Shpresoja për një bashkëpunim e projekt afatmesëm, një mundësi që do t’i jepej këtij zotnie, së bashku me një staf profesionistësh e patriotësh rreth tij, të realizonte një ëndërr shkodrane për ta parë Vllazninë lart, dhe jo konsiderimin e tij si një komardare disajavëshe. Por me sa lexoj në shtyp, më krijohet përshtypja se po luhet një teatër jo atje ku duhet, por në vendin e gabuar. U prezantua bujshëm një drejtor kroat, pikëmbështetje e planit të të cilit, me sa duket, është një kooperim me klubin kroat, Rijeka, gjë që vetëm duhet aprovuar.

Boshllëqet e drejtorit të ri në aspektet e tjera “shqiptare”, me sa duket, do t’i plotësojnë sekserët që gëlojnë me shumicë si deri tani. Qëndroj me shpresën që Vllaznia të mos komercializohet deri në atë pikë sa të mbushet me kroatë, malazezë, serbë a afrikanë, deri në atë shkallë sa të mos ketë më identitetin e saj shekullor, atë identitet të sanksionuar që në aktet themeluese të saj, dhe rolin, simbolin, kultin me të cilin shkodranët e njohin dhe e duan si krijesë të tyre, dhe jo një konglomerat shumëngjyrësh a shumëkombësh. Të vazhdojmë me trajnerin që u bë shkak dhe i këtij shkrimi: Me pompozitet flitet dhe pritet në Shkodër kroato-gjermani Thomas Brdariç.

GER Regionalliga Nordost FC Rot Weiss Erfurt vs ZFC Meuselwitz 21 08 2019 Erfurt Steigerwaldsta

Është sigurisht një emër i respektuar, ka luajtur me kombëtaren e Gjermanisë! E megjithëse një kërkim i thjeshtë në “Google” konfirmon njoftime shtypi në disa gjuhë se ai është trajneri i ri i Vllaznisë, pikërisht nga ky shkak më duket se diçka po luhet në prapaskenë. Dhe pikërisht se është një kroato-gjerman, më duket se edhe ky po përdoret e shpërdoret, dhe në fund do të rezultojë një blof. E kam fjalën blof i plotë. Paçka se flitet haptas që ky ka marrë drejtimin e ekipit, kam bindjen dhe parandjenjën se do të largohet pa filluar mirë punë. Ose pa filluar fare! E ndërkohë më vijnë ndërmend disa reminishenca nga vitet e shkuara, pritja me banderola e një firme italo-zvicerane (në mos gaboj) dhe gropat me probleme që la pas ikjes së pabujshme.

Miq, Vllaznia është e Shkodrës, e të gjithë shkodranëve, si një institucion kulturor me vlerë, një ambasadore e vlerave qytetare shekullore dhe jo pronë a mall i dikujt, kushdo qoftë ky dikush. Trajtojeni si të tillë, është një aset me vlerë, për të cilin duhet të kontribuojmë të gjithë. E, në këtë kuadër, përshëndes mbështetjen financiare të sponsorit aktual që s’duhet të mbetet i vetmi aset, të cilin sidomos organet e zgjedhura, bashkia dhe kryetarja e saj, e kanë detyrim ta ruajnë. Dhe e fundit, në qoftë se është lojë, jepini fund sa më parë karruselit “Brdariç”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"