Humbje e rrezikshme e Tiranës, tani duhet shumë guxim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2022 | 22:58

Humbje e rrezikshme e Tiranës, tani duhet shumë guxim

Nga REZART DABULLA

dabulla

Humbja 1-0 në Luksemburg është e rrezikshme. Kur një skuadër si Tirana shkon në transfertë dhe luan për dy rezultate, është për të ardhur keq që del e mposhtur. Është mungesë eksperience. Nuk shoh asnjë arsye tjetër. Goli i pësuar është tipik nga ato rastet kur përgjumet mbrojtja dhe nuk llogarit që rreziku mund të vijë në çdo rast. Prisja që Tirana të ishte pak më “e mbledhur” si skuadër dhe të mos lëshonte aq shumë terren në minutat e para.

U shpenzuan shumë energji në pjesën e parë. De Silva nuk më bindi për mënyrën se si veproi dhe se si u angazhua. Qendërsulmuesi në të tilla ndeshje tregon pak më shumë personalitet dhe i jep më shumë thellësi skuadrës. Praktikisht nuk e zotëronte topin as për dy sekonda, çka mund të ndihmonte shokët të vendoseshin më mirë. Tirana duhet të bëjë kujdes në ndeshjen e kthimit pas kësaj humbjeje. Jo sepse rezultati 1-0 është i pakthyeshëm, por do të shtohet presioni.

Tirana

Do të ketë më shumë presion për ta fituar ndeshjen, do të ketë presion nga tifozëria, që do të jenë me mijëra në stadium dhe, mbi të gjitha, do të mungojë një lojtar i rëndësishëm si Limaj. Ai gaboi dje, për fat të keq, gaboi shumë, sepse nuk mund të marrësh aq lehtë dy kartonë të verdhë në një ndeshje ku Tirana gjendej me 1 lojtar në avantazh dhe mund të synonte shumë më tepër se aq.

Mirëpo do të jetë mungesë, gjithsesi. Shpresoj ta marrin me qetësi dhe me vetëbesim ndeshjen e dytë. Duhet vendosmëri në ndeshje të tilla, përqendrim dhe shumë guxim. Qartazi, lojtarët e Dudelanzhit ishin fizikisht më mirë dhe më të gjatë, por një gol si ai mund të shmangej.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"