Shkëlqimi i rremë i fundoreve të basketbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2018 | 21:01

Shkëlqimi i rremë i fundoreve të basketbollit shqiptar

PETRIT STEFA (MJESHTËR I MADH)

Petrit Stefa

Kudo në botë, gjatë dhe pas përfun dimit të fundoreve në çdo sport, protagonistët (d.m.th., lojtarët, trajnerët dhe sportdashësit) flasin, diskutojnë të gëzuar dhe të hidhëruar, të lumturuar dhe të zhgënjyer, përpiqen për t’u justifikuar, të gatshëm për t’u vetëlavdëruar. Dikush plot eufori në majë të suksesit e ndonjë tjetër tepër shpejt do ta shohë veten “të shkelur me këmbë”. Ndonjë tjetër do të largohet me kokën lart, i nderuar e i respektuar për atë punë që ka bërë. Pastaj vjen shtypi, që … flet i fundit.

Ç’të bësh? Kjo është bota magjike e sportit. Ndaj edhe bukuria e tij, asnjëherë nuk do të vyshket. Me sa po shohim, kjo bukuri po shkëlqen edhe më shumë. Pa dyshim që edhe katër skuadrat tona të basketbollit (M+F), që mbërritën në fundore, dhanë plot emocione, konkurrencë, ankth (veçanërisht “Teuta” e Durrësit, sepse “Tirana” nuk i rezistoi dot “Flamurtarit”) dhe tek-tuk edhe shkëndija cilësie. Sigurisht, të katër skuadrat duhen përgë- zuar për atë që dhanë dhe që titullin e fituan me meritë të plotë. Kampionët, pa dyshim të paktën këtë vit, janë më të mirët e basketbollit shqiptar. Por, objekt i këtyre përsiatjeve janë dy probleme të tjera dhe që diskutohen gjerë- sisht në ambiente sportive “të besueshme” (!!), nëpër kafene e gjetkë dhe asnjëherë hapur si p.sh. radio, televizione, gazeta, intervista etj.

tirana basket

Sigurisht, asnjëherë nëpër analiza, takime, mbledhje etj., sepse këto janë harruar në Shqipëri në këto 12 vjetët e fundit. Këtu përjashtojmë mbledhjet e Kryesisë së FSHB (nganjëherë vetëm me 2-3 anëtarë) ose diskutime mes miqsh të basketbollit, por jo profesionistë të tij. Së pari, është cilësia e ndeshjeve. Edhe pse dhanë gjithë ato emocione, ato kishin nivel teknik nën mesataren (shumë gabime për këtë nivel) dhe akoma më tepër nivel taktik shumë i dobët. Shkurt, njëfarë “free game” e pa ndërtuar në blloqe kombinimesh. Mjafton të kthesh pak kanalin ku jepet ndeshja jonë dhe të futesh për të parë në “YouTube” një ndeshje çfarëdo (mos të flasim për skuadra të mëdha, mos o Zot, që zhvillohet në Europë) dhe kupton menjëherë se vazhdojmë të jemi të vjetruar, madje dhe të kthyer pas në kohë. Patjetër, që kemi parë disa lojtarë/e që kanë teknikë individuale të mirë, por më tepër spektakolare sesa efikase, (të tillë lojtarë, nëpër Europë, mund të “shëtisin” mbi 2 (dy mijë), por ata janë edhe “mjeshtra” të vërtetë për të çorganizuar sulmet e varfra faktikisht, në favor të vetes së tyre. Ndaj, aksionet 1×1 të lojtarëve të huaj, tepër të sforcuara, “mbretëronin” në pothuajse çdo sulm.

Edhe trajnerët e huaj të meshkujve nuk treguan asgjë me vlerë që të mund të shërbenin për trajnerët tanë si modele për të mësuar. Sepse, sulmet nuk kishin strukturë bazë fillestare, kombinime të përshtatshme sipas lojtarëve, rivënie speciale, pa sulme kalimtare etj… Kurse mbrojtjet (më mirë të themi mbrojtja) standarde, uniforme, plot frikë për ndryshime qoftë edhe fragmentare. Kaq e vërtetë është kjo, sa në ndeshjen e fundit 50% e pikëve janë shënuar nga “tre moikanët e fundit” të Tiranës, pa i quajtur dot si “pikë grupi”. (Veçanërisht brilante ato 8 pikët e 36-vjeçarit Karaj, i nisur nga stoli i rezervave). Edhe te “Teuta” Klemonsi “bujshëm” shënoi vetëm 9 pikë (!!), pa përmendur katër herë shkelje “hapa”(!!) kundrejt 17 pikëve të Çelës. Pra, diçka nuk shkon edhe me lojtarët e huaj, madje edhe me trajnerët e huaj.

Por, kjo analizë u takon klubeve përkatëse, të ndihmuar nga këshilltarë profesionistë. Ka edhe një problem tjetër, tejet i rëndësishëm, që lidhet me lojtarët e tjerë, si Vogli, Strazimiri, Lasku apo Gorea, Uruçi e Hoxha (le të mos flasim për femrat sepse atje fenomeni është më i thellë)m të cilët duke qenë gjithnjë “violina të dyta ose të treta”, nuk do të bëhen asnjëherë protagonistë të një ndeshjeje, sepse kanë pamjaftueshmërisht minuta në ndeshje të intriguara dhe shumë pak minuta “protagonistësh”. Si rrjedhojë, do të humbasim së afërmi, jo vetëm ata, por edhe gjithë skuadrën ndonjëherë.

A kemi shembuj të freskët? Kujtoni, bie fjala, “Vllazninë” e kampionateve 2014, 2015, 2016 dhe Vllazninë e këtij kampionati që sapo mbaroi. Mbaj mend, në njërin nga ato vite të “lavdishme”, në rrjetin e “Facebook” të një kolegu, shkodrani i thekur “X” shkroi: “Pas 100 vjetësh, Vllaznia luajti me 5 lojtarë të huaj në fushë”…. Ishte ngadhënjim apo trishtim kjo “cicërime” e tij në rrjetin social… vetëm një Zot e di! Pra, lojtarët e huaj nuk lanë dhe nuk do të lenë asnjë hapësirë për lojtarët tanë, për aq kohë sa ata nuk do të jenë më pak në numër, dhe nuk do të drejtohen nga trajnerë që i detyrojnë të jenë të integruar në një “lojë skuadre” d.m.th. “forcë skuadre” dhe jo “yll”, që shkëlqen (relativisht) pa rezultat të prekshëm d.m.th. pikë, ribaunde, asiste, bllokim gjuajtjesh, interceptime, pa gabime etj., që janë vendimtare për fitoren në kohën dhe vendin e duhur.

Pikërisht këtë arriti Obradoviçi në Athinë apo Stamboll dhe E. Mesina në Moskë, kur glorifikoheshin me lojtarët amerikanë. Sigurisht që nuk flasim për planetin e largët NBA, por po flasim për lojtarë të thjeshtë (patjetër amerikanë), të cilët për nga mënyra sesi janë rritur dhe zhvilluar, janë shumë të vështirë për t’u disiplinuar taktikisht në lojë skuadre. Veçanërisht nëse nuk janë aktivizuar në universitetet që luajnë në NCAA. Dhe atëherë mbërrijmë tek ajo që vetë ata e quajnë “horse play”. Këto skena mendoj se pamë në ndeshjet tona të fundoreve të basketbollit. Edhe te femrat është e njëjta situatë, në mos më keq. Pra, harxhojmë para për lojtarë dhe trajnerë të huaj, që s’janë modele të mira, pengojmë përparimin e lojtarëve tanë dhe kërkojmë pastaj një kombëtare konkurruese (!), suksese në europianin e moshave, kur lojtarët tanë nuk kanë eksperiencë loje përmbajtësore, por thjesht aktivizime nëpër ndeshje me rezultate të qarta, të sigurta.

Ndërkohë, kënaqemi me një titull kampion në një kampionat të dobët apo kujtojmë ndeshjet e Ballkan Ligës (!), divizioni B a C… Problemi i dytë janë numri i pakufizuar i lojtarëve të huaj/ja në kampionatin tonë. Te femrat, situata është katastrofike. Nga 10 lojtarë në fushë, 8 (plot 8!) ishin të huaja. Ky është një nga paradokset më të mëdha që ka basketbolli shqiptar. Sikur t’i shtosh këtij fakti edhe atë që FSHB-ja është e vetmja federatë në botë (po, po, në botë) që federon lojtarë të huaj/a vetëm për “play-off” ose në prag të tij.

Ka edhe disa zëra (nuk do të doja ta besoja) se, ndonjë lojtar/e ka luajtur në kampionatin e shtetit të vet edhe ¾-at e ndeshjeve të fazës së dytë të kampionatit të tyre, d.m.th. në dy kampionate të të njëjtit sezon sportiv, në dy shtete të ndryshme. Nëse pyet ndonjë anëtar kryesie, a është e drejtë apo jo për një shtet si Shqipëria (me këtë basketboll dhe me këtë nivel ekonomik), të thotë se e kanë ngritur vazhdimisht problemin si të gabuar, por… nuk na dëgjon njeri. Po kush pra? – pyes unë. Presidenti, sekretari, anëtari “X” i kryesisë apo ndonjë zyrtar i lartë? Kush pra?- pyes sërish. Pastaj ka heshtje, asnjë përgjigje.

Është një heshtje që po i shurdhon të gjithë duke i dekurajuar. Besoj që, asnjeri prej këtyre që përmenda më lart, nuk dëshiron që të mbeten në histori si autorë të shuarjes së basketbollit tonë (duke imituar futbollin, për të cilin i palodhuri Besnik Dizdari vazhdon të shkruajë vazhdimisht, edhe pse nuk e dëgjojnë djallëzisht). Gjë që, për hir të së vërtetës, është e pranishme gjatë presidencës së tyre, madje po thellohet. Por, ka zëra që thonë se z.Ponari ka filluar të tronditet. Atëherë e gjithë kjo e vërtetë ka vetëm një shpjegim: Së pari, drejtuesit kryesorë të FSHB-së dhe këshilltarët e tyre kanë të meta serioze në njohjen dhe drejtimin e basketbollit të kohës në vendet e vogla, dhe së dyti, duan të fshehin cilësinë shumë të dobët që ka kampionati ynë i basketbollit.

Nuk dua ta besoj hamendjen se nuk u intereson aspak përparimi i lojtarëve vendës, sepse … “sporti është tani biznes”. Sepse “kështu veprojnë të gjithë në Europë”, se “skuadrat europiane janë mbushur me të huaj”, se “do të shkojmë edhe në Europë e do të përgatitemi për ligjin Bosman”, se “këto janë koncepte të vjetërsuara etj., etj. Ah, jo zotërinj! Çdo shtet ka dhe duhet të ketë modelet e tij të organizimit dhe drejtimit të një sporti të veçantë. Kudo rregulloret e brendshme janë të veçanta. Ato rrjedhin nga sfidat e zhvillimit dhe të mundësive financiare, por ato gjithnjë janë në ndihmë të zhvillimit të sportit vendës.

Pasi vendos themele të shëndosha, mund të përforcohet me 1-2 lojtarë të huaj, të cilët nuk plotësojnë vetëm boshllëkun, por shërbejnë edhe si modele për lojtarët tanë. Kjo është filozofia që e ndihmoi z. P. Goga kur vendosi të tërheqë skuadrën e femrave nga kampionati i ardhshëm i basketbollit. “S’kemi lojtarë vendës”, më tha menaxheri i tij, M. Aliaj, një nga basketbollistët e talentuar që kemi pasur.

Pikërisht, për këtë arsye, e quaj me vend që të përsëris ato që kam thënë në një shkrim të mëparshëm se: “…në FSHB-në tonë ka shumë mendësi, ide, vendime, organizime apo udhëzime të tjera, që duhen krijuar, ndryshuar, korrigjuar apo anuluar…”. (Panorama Sport dt. 03 Mars 2018 fq. 13) A mund ta fillojnë këtë evolucion drejtuesit e sotëm? Them evolucion dhe jo revolucion, sepse për këtë të dytën duhen mendësi sfiduese, por që gjenerojnë projekte të suksesshme në një vend të vogël. A do ta bëjnë këta drejtues këtë evolucion? Eh…! Në sport fjalia më makiaveliste dhe më përmbajtësore është: “Rezultati është ai që pi ujë”.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"